Festivali Që Fuqizon Femrën

Festivali “FEMART” i njohur me emrin  e dikurshëm “Femmes Fatales”,  organizuar nga qendra për art dhe komunitet “Artpolis”, është i vetmi festival në Kosovë, i cili karakterizohet me pjesëmarrse femra.

Që nga themelimi, ky festival, nëpërmjet paraqitjeve artistike të femrave artiste pjesëmarrëse, ka pasur

për qëllim promovimin e të drejtave të njeriut, drejtësinë tranzicionale në Ballkan, të drejtat e komunitetit LGBT, ndalimin e dhunës ndaj grave, fuqizimin e femrës në shoqëri etj.

Sipas drejtoreshës artistike të festivalit, Zana Hoxha-Krasniqi, indikatori më i mirë se festivali po e arrinë qëllimin e tij, është që për dallim nga edicionet e tjera të festivalit, që kishte kryesisht artistë e aktivistë të moshave të mesme, në hapjen e edicionit të tretë pati më së tepërmi të rinjë.

“Rinia jonë është shumë e interesuar për të ndryshuar realitetin. E interesuar për përvoja të reja, për të marrë informacione të cilat më pas vendosë t’i ndjekë apo jo” tha Hoxha-Krasniqi.

Edicioni i tretë u hap me performancën teatrore “Krisjet janë ashtu siç hyn drita” të Deirdre Morris nga SHBA, me Poezi Slam “Gypsee Yo” nga Jonida Beqo nga Shqipëria, si dhe ekspozita premierë “Qenia proteine, Bota Sterile” nga Salome Kokoladeze nga Gjeorgjia.

Për artisten Jonida Beqo, festivali si ngjarje është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, po për tërë rajonin.

“Ka vite që këtu lëvrohet art shumë cilësor nga gra e vajza në tërë spektrin e profesioneve. Shpresoj se në vazhdimësi “FEMART”  të vazhdojë ta ofrojë këtë mundësi bashkëpunimi, njohjeje dhe komunikimi mes artistëve, dhe do të bëhet faktor shumë shpejt në rajon” shtoi Beqo.

Ky edicion do t’i ketë rreth 35 aktivitete të llojeve të ndryshme, 6 workshop-e, performance e ekspozita, filma, shfaqje teatrore, panele diskutimi, poezi e muzikë, dhe shumica prej tyre do të jenë premiera në festival. Do të marrin pjesë mbi 100 artiste e aktiviste, puna artistike e të cilave do të prezantohet në shtatë lokacione të ndryshme në Prishtinë:  Teatri ODA, Teatri Kombëtar, Universiteti i Prishtinës, Galeria e Fakultetit të Arteve, Teatri Dodona, EU Info Center dhe Qendra ARTPOLIS.

Për shkak të numrit të madh të aplikimeve, festivali do të ketë gjashtë ditë performancash artistike, për dallim nga pesë ditë të dy edicioneve të kaluara.

Festivali mbledhë artiste nga vendet e ndryshme të rajonit, si nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Serbia, Hungaria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia dhe Turqia.

Oda Haliti, koordinatore e festivalit, tha se në krahasim me festivalet e tjera, vitin e kaluar “FEMART” ka thyer rekordin për publik, me mbi 2000 vizitorë.

“Festivali deri tash është identifikuar me artiste dhe aktiviste nga vendet e rajonit. Këtë vit në thirrjen e hapur, kanë aplikuar nga Amerika, Italia, Gjeorgjia, dhe kjo ishte shumë inkurajuese për neve dhe na bëri të kuptojmë që festivali dëshiron të bëhet në përmasa pak më të mëdha” tha Haliti.

Për Halitin, e cila është edhe inicuesja e kampanjës “TakeBackTheNight” nëpër rrjetet sociale, ky festival është duke bërë punën e vetë në vetëdijësimin e femrës dhe rolin e saj në shoqëri, dhe kjo vërehet në revoltimin që kanë nisur të bëjnë gratë vitet e fundit.

Festivali do të zgjasë deri më 12 tetor dhe hyrja nëpër të gjitha aktivitetet është falas.