FBI Ndihmon Hetimin e Vdekjes së Dino Asanajt

Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë tha të enjten për Gazetën Jeta në Kosovvë se hetimi në këtë rast kryhet nga Policia e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara për të hetuar vdekjen e z.Dino Asanaj”, tha zëdhënësi. “Ambasada e SHBA-së po ndihmon autoritetet kosovare në punën e tyre përmes FBI-së”.

Edhe Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se zyrtarët e FBI-së janë në terren duke u marrë me rastin.

“Zëvendësministri është njoftuar nga Drejtori i Institutit Mjeko-Ligjor se ai u ka dhënë dokumentacionin që ka pasur në lidhje me këtë rast zyrtarëve të FBI-së. Ata do të punojnë me prokurorinë e vendit në këtë rast”, tha një zëdhënës i ministrisë. “Ekipi ka ardhur me ftesën zyrtare të Zëvendëskryeministrit të Kosovës”. 

Shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Dino Asanaj, kishte vdekur më 14 qershor pasi intervenimi urgjent kirurgjikal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk e kishte shpëtuar atë nga therja me thikë në zyrën e tij.

Raportet zyrtare të autopsisë kanë sugjeruar se Asanaj kishte bërë vetëvrasje.

Gazeta Express ka raportuar të enjten se oficerët e FBI-së kanë marrë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore raportin e autopsisë, si dhe prova e ekzaminime tjera.