Falsifikojnë ‘Hatri’ i Kolegut

Tre mjekë të Klinikës së Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë përfshirë në një skandal pasi kanë lëshuar një vendim të falsifikuar për Mentor Preniqin, ish drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësis Familjare (QKMF) në Obiliq.

Behxhet Osmani, Musa Hoxha e Tefik Leci, pulmologë të QKUK’së, në vendimin e tyre, pa i bërë asnjë ekzaminim paraprak ish-drejtorit Preniqi, i kanë shpallur atij diagnozën që i është përshtatur, me qëllim që të mos kryej punë gjatë ndërrimit të natës.

E tëra ka filluar me moszgjedhjen e Mentor Preniqit drejtor i QKMF’së, pas dy mandatesh që ai kishte mbajtur atë post.
Preniqi është ankuar se nuk është rizgjedhur në pozitë, pasi nuk ka qenë i preferuari i kryetarit të komunës së Obiliqit,
Mehmet Krasniqi, i cili, sipas tij, ka humbur betejën për kryetar të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në këtë qytet, nga kushëriri i tij i parë, Adem Preniqi.

“Dy herë radhazi është anuluar konkursi për shkak të shkeljeve. Edhe në konkursin e fundit, ka pasur përshtatje të konkursit dhe favorizime…”, thotë Mentor Preniqi, sipas të cilit, drejtoresha e sapozgjedhur, Atifete Shulemaja, nuk ka plotësuar kriterin e përvojës në implementimin e mjekësisë familjare, për të qenë në atë post.

I pari i Obiliqit, Mehmet Krasniqi, mohon deklaratat e Preniqit. “QKMF në Obiliq, në kohën sa ka menaxhuar Preniqi, ka përjetuar ditët më të zeza…”, shprehet kryetari, sipas të cilit, mundësia tashmë i është dhënë dikujt tjetër.

Krasniqi thotë se mosrizgjedhja e Mentor Preniqit nuk është e ndërlidhur me rivalitetin ndërmjet tij dhe Adem Preniqit, në degën e LDK’së në Obiliq. “LDK në Obiliq, nuk ka ende kryetar…”, thotë kryetari i komunës, në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Pavarësisht mospajtimeve që kishte me ish-drejtorin, Atifete Shulemaja ka kërkuar nga Mentor Preniqi që t’i kthehej punës si mjek. Ai ka pranuar.

Për Preniqin, megjithatë, ka qenë e papranueshme që ai të mbajë kujdestaritë gjatë ndërrimit të natës me arsyet se ka probleme shëndetësore. Drejtoresha Shulemaja, për këtë, i ka kërkuar atij një vendim të një komisioni të mjekëve konsoliarë.
Kjo e ka shtyrë Preniqin, t’ia mësyjë Klinikës së Pulmologjisë, ku edhe ka nxjerrë vërtetimin, siç i është përshtatur atij.

Drejtoresha Shulemaja nuk i kishte besuar vendimit. Ish-drejtori Preniqi sa ka qenë menaxher i QKMF’së ishte dënuar më herët nga gjykata komunale e Prishtinës me katër muaj burg me kusht, për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Dyshimi i saj buronte këtu.

“E mora dokumentin dhe e pashë se aty në vendin e drejtorit Gazmend Zhuri, ishte nënshkruar doktor Tefik Leci…”, shpjegon
Shulemaja, momentin kur para vetes i kanë dalë dyshimet për dokumentin në fjalë.

Tek pastaj, thotë ajo, bashkë me Imer Krasniqin, drejtorin e drejtorisë së shëndetësisë në Obiliq, ia kanë mësyrë Klinikës së Pulmologjisë ku kanë vërtetuar se dokumenti që Preniqi e kishte dërguar ishte lëshuar nga mjekët, por pasi ishin ‘lajthitur’ nga ish-drejtori.

 “E takuam doktor Gazmend Zhurin, drejtor i Klinikës, dhe kërkuam nga ai të dimë pse nuk ishte nënshkruar ai në atë dokument, por në vendin e tij ishte nënshkruar doktor Tefik Leci…”, rrëfen Shulemaja. “Doktor Gazmendi është habitë. E thirri menjëherë doktor Behxhet Osmanin, mirëpo ai nuk u lajmërua në telefon, pastaj e mori doktor Tefik Lecin, i cili e pranoi se e ka nënshkruar atë dokument, por tha se e ka nënshkruar për asistencë sociale e jo për paaftësi pune”.

E doktorin tjetër, Musa Hoxha, i cili po ashtu kishte vënë vulë në dokumentin e Preniqit, drejtori i Klinikës së Pulmologjisë Gazmend Zhuri nuk e ka kontaktuar fare atë ditë. 

Pas takimit, drejtori Zhuri e ka anuluar vendimin e mjekëve të klinikës që drejton. Ai e arsyetoi anulimin me faktin se as Behxhet Osmani e as Musa Hoxha, të cilët kanë nënshkruar në atë dokument, nuk janë anëtarë të komisionit për caktimin e aftësisë në punë.

Arsye tjetër ishte se në vendin e tij kishte nënshkruar doktor Tefik Leci, pa qenë i autorizuar. E edhe më e fuqishme, ishte arsyeja e tretë. Për lëshimin e dokumentit, mjekët nuk kanë paraqitur fakte, në bazë të të cilave është përcaktuar paaftësia në punë. Në këtë rast, nuk është bërë as Spirometrija e as testet e duhura alergjike. Madje, nuk ishte bërë së paku një rëntgen i thjeshtë i mushkërive.

Doktor Tefik Leci nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment lidhur me nënshkrimin e tij në vend të drejtorit të pulmologjisë.
Kurse Musa Hoxha thotë se ky ka qenë një pacient i doktor Behxhet Osmanit dhe ai e ka nënshkruar diagnozën, duke i besuar doktor Osmanit.

“Unë pastaj e kam kuptuar që s’ka bërë ekzaminime… Unë kam menduar që Behxheti i ka kryer këto punë. Tha nënshkruaje, unë e kam bërë këtë, se as s’e njoh pacientin, as s’e kam parë e as s’kam pasur lidhje me atë person”, është shprehur Hoxha.
Në anën tjetër, doktor Behxhet Osmani, sipas kolegëve të tij gjendet në pushim. Gazeta Jeta në Kosovë, ka provuar të kontaktojë me të për më shumë se një javë.

Drejtorit Zhuri i vjen keq për çfarë ka ndodhur, mirëpo nuk ka ndërmarrë ndonjë masë ndaj mjekëve të klinikës që drejton. Ai heziton që dokumentin ta quaj të falsifikuar, edhe pse thotë se falsifikimi është vepër penale e dënueshme. Andaj edhe ka biseduar me mjekët e pulmologjisë dhe i ka tërhequr vërejtjen që mos të përsëriten raste si kjo.

As në QKMF deri më tash nuk kanë inicuar ndonjë procedurë për mjekun Preniqi i cili ka përdorur dëshmi të falsifikuara, për t’iu shmangur përgjegjësisë në punë.

Preniqi këmbëngulë se atij i është kërkuar nga drejtoresha që të sjell një dëshmi me shkrim prej komisionit për sëmundjen. “Kam shkuar e kam marrë prej komisionit konsiliar. Atë ditë drejtori ka dalë, drejtori i pneumofnizës dr. Gazmend Zhuri, kam kontaktuar me të, më ka thanë nuk mundet se ka qenë kujdestar. Më tha shko vulose te sekretaresha. Nuk ka qenë drejtori. E ka vulosur doktor Tefik Leci”, thotë doktor Preniqi.

Sa i përket dënimit me burg që i ishte shqiptuar gjatë kohës sa ka qenë drejtor i QKMF’së, thotë se nuk ka ditur afatet kohore për t’u ankuar, pasi ajo masë ka qenë tepër e rëndë, për ‘çështjet administrative’ për të cilat është dënuar.

Preniqi thotë se i është dashur ta pranojë fajin me qëllim që të mund të nxjerr një dokument udhëtimi, pasi i duhej të udhëtonte në Kanada.

Çuditërisht, edhe pse e kanë ditur se drejtori i QKMF në Obiliq kishte pasur dënim me burg, në drejtorinë e shëndetësisë nuk kanë reaguar fare. Imer Krasniqi, drejtor i drejtorisë së shëndetësisë së Obiliqit, mosmarrjen e masave ndaj ish drejtorit, e arsyeton thjesht me profesionin e tij prej mjeku ‘që mund t’i mungojë ana ligjore’.

“Unë jam mjek me profesion, ndoshta ajo ana ligjore dhe juridike më ka munguar”, thotë Krasniqi. I pyetur pse nuk e ka kontaktur zyrën ligjore për të ditur se si të veprohet në këtë rast,  ai tha se kanë kontaktuar me personat juridikë në komunë. Por, arsyet e mosreagimit të tyre ai nuk i di.