Flamuri i Bashkimit Europian. Foto: Kirsty Wigglesworth/AP

Europa Nuk po Hyn në Një ‘Epokë të Re Diktatorësh’

Editoriali i të hënës së kaluar në New York Times duhet t’ia ketë ngecur mëngjesin në fyt Aleksandër Vuçiçit nëse e ka lexuar. Duke iu referuar fitores së thellë të kryeministrit serb në zgjedhjet presidenciale në Serbi, ky bastion i mendimit liberal amerikan të Gjirit Lindor e akuzoi Vuçiç se po e çon Serbinë pranë autoritarizmit, duke qenë se tashmë ka sulmuar shtypin e lirë.

NYT vazhdoi dhe paralajmëroi liderët europianë kundër idesë se një brez i ri “të fortosh” si Vuçiç i Serbisë paraqesin ndonjë garanci reale për stabilitet afatgjatë.

Nëse NYT po i bie alarmit për Vuçiçin, kjo nuk është vetëm prej ngjarjeve brenda një vendi të vogël si Serbia.

Në Europën Lindore dhe Juglindore, nga Polonia në Turqi, liberalët shohin se era po fryn në favor të regjimeve “joliberale”

Viktor Orban i Hungarisë – tani po përpiqet të mbyllën Universitetin Qendror Europian – i parapriu kësaj faze gjithë krenari. Por gjithashtu kjo vlen po aq shumë për qeverinë nacionaliste në Poloni dhe Maqedoni, presidenti i të cilës po abuzon me pushtetin për të ndaluar formimin e një qeverie të drejtuar nga opozita.

Mbi të gjitha vlen për Turqinë, ku më 16 prill një referendum do të mbahet për t’i dhënë ose jo presidentit Erdogan më shumë kompetenca sesa ka tani.

Frika në qarqet perëndimore liberale lidhet me përhapjen në Europë të formës së një qeverisjes që shpesh njihet si “demokraci e menaxhuar” e parë te Rusia e Vladimir Putinit, që mban vetëm format në dukje të sundimit demokratik, e ndihmuar nga frika ndaj myslimanëve dhe “armiqve të tjerë” të brendshëm.

Domethënia e ngjarjeve në Poloni, Hungari dhe Turqi është vërtet shqetësuese sepse nënvijëzon mungesën e pushtetit nga BE-ja për të imponuar standardet e saj te anëtarët e vet.

Deri tani, diskutimi për të penguar fondet për Hungarinë dhe Poloninë, për refuzimin e marrjes së refugjatëve dhe ndryshimeve të bëra te gjyqësori, kushtetuta dhe media, ka arritur pakogjë. Nuk ka gjasa të ndodhë ndonjë gjë, pasi kancelarja gjermane Angela Merkel tha në fund të marsit: “Nuk mendoj se kërcënimet do të bënin mirë tani,”. Për Turqinë, heshtja e Europës është edhe më shurdhuese.

Në Europën Lindore, liderët me dyshime paranojake të kritikave po përfitojnë nga këmbëngulja në rritje e Rusisë, nga ulja e besimit te perspektiva afatgjatë e BE-së, nga lodhja e SHBA-së prej të qenët drejtuesja e botës dhe nga frika për imigrim masiv e islam radikal.

Sa për Turqinë, Ankaraja mjafton të kërcënojë me mospranimin mbrapsht të migrantëve që liderët europianë të bien në heshtje mbi shkeljet e të drejtave të njeriut që po ndodhin në vend.

Roli kyç i Maqedonisë si portier i Ballkanit, për të ndaluar çdo valë të mundshme refugjatësh të hyjnë në BE nga Greqia, gjithashtu shpjegon pse Brukseli është aq i druajtur rreth përmendjes së shkeljeve të demokracisë në vend.

Në Serbi, kërcënimi i medias anti-qeveritare duket se nuk u përfshi në diskutimet që senatori amerikan John Mçain mbajti me kryeministrin dhe presidentin e ardhshëm Vuçiç. Në fakt, ata u përqendruan te bashkëpunimi ushtarak bilateral.

Shkurt, shpresat liberale që dikush në Bruksel apo Uashington ka për të shpëtuar nga Orban, Vuçiç, Erdogan apo Gruevski duken të largëta për t’u arritur.

Por pavarësisht kësaj, Europa është larg nga të qenët pranë një “Epoke të Re Diktatorësh”.

Kjo nuk është ende një rikthim i viteve 1930, kur besimi në sistemet demokratike ra në shumicën e kontinentit, duke u zëvendësuar nga diktaturat fashiste në Spanjë, Portugali, Itali dhe Gjermani, nga diktatura mbretërore në Jugosllavi dhe diktatura presidenciale në Poloni.

Duhet kujtuar se deri në fillim të viteve 1970, Perëndimi “demokratik” ishte shtëpi e tre diktaturave absolute në Europë, në Spanjë, Portugali dhe Greqi. Kjo është e paperceptueshme tani.

Gjithashtu duhet pranuar se nëse demokracia është disi e sëmurë në disa vende europiane lindore, të gjitha këto janë vende ku demokracia ka pasur rrënjë të dobëta.

Rusia, referuesi i madh i të fortëve të ardhshëm, nuk ka pasur kurrë kujtim të demokracisë. Ajo kaloi nga carizmi te Stalini pa shumë dallim, përpara se të hapej për ndaj botës së re në zhvillim në vitet 1990. Nuk është çudi që nuk ka caktuar ndonjë formë të dhënë të qeverisjes, por ka ndërthurur carizmin dhe populizmin në një sistem hibrid të vetin.

Hungaria nuk ishte demokraci para viteve 1990. Në fakt, Hungaria e Madhe, ajo e vetja para 1918 nuk do të kishte mbijetuar kurrë si demokraci, pasi nacionalistët ia kalonin në numër fiseve vendase. Sa për Poloninë, ajo u nënshtrua nga rusët dhe prusianët për shumicën e ekzistencës, derisa fitoi një pavarësi të brishtë në 1918. Demokracia parlamentare polake zgjati gjithsej vetëm tetë vjet derisa e mori Pilsudksi dhe nuk u rishfaq deri në vitet 1990.

Në të gjitha këtu vende, shto Serbinë, çështjet kombëtare janë prirur të bëhen më të mëdha në mendjet e njerëzve krahasuar me çështjet e të drejtave. Ato kanë ngjashmëri, duke filluar me një ndjenjë të fortë se pavarësia e tyre këmbëtare është e re dhe në rrezik. Por kjo nuk do të thotë se ndonjëra prej tyre do të bëhet diktaturë e vërtetë, apo që ndonjë nga simptomat e tyre do të përhapen në kontinent.

Demokracia mund të mos jetë aq shëndetplotë në Europë nga sa dukej në vitet 1990. Por është ende në aksion në shumicën e vendeve, të lindjes dhe perëndimit, si dhe respektohet të paktën me gojë në pjesën tjetër. Ne kemi më shumë “të fortë” dhe regjime “joliberale” të zbuluara se më parë – por ato mbeten përjashtimi, jo rregulli dhe ky ndryshim është i rëndësishëm.

 

Mendimet e shprehura në rubrikën e komenteve i përkasin autorit dhe jo domosodoshmërisht reflektojnë me ato të BIRN.