eule“X”

“The Life of David Gale” është film që trajton idealizmin – filozofinë e tij, format e reprezentimit dhe kufijtë deri ku mund të shkojë përkushtimi ndaj idesë. 

Një grup aktivistësh kundër dënimit me vdekje synojnë ta dëshmojnë papërsosmërinë e Sistemit, duke vërtetuar se është e mundshme që, për shkak të gabimeve në proceset gjyqësore, të privohen nga jeta edhe njerëz të pafajshëm. Skena më emocionale është kur personazhi kryesor sakrifikon jetën dhe bëhet vetë shembulli më bindës i kauzës së tij ideologjike. Vdekja është pjesë e Planit. Ajo është Porosia.

Asnjëherë nuk do të dihen mendimet e fundit që kanë kaluar nëpër mendjen e Dëshmitarit “X”, derisa në një park të Duisburgut po i linte shëndenë kësaj dynjaje. Çdo supozim që japim – vetëm sa shpalos paragjykimet tona ndaj kësaj ngjarjeje.

Vdekja e Agim Zogajt ka krijuar një tavolinë suedeze të konspiracioneve dhe krimi-skenarëve për motivet, fituesit/humbësit dhe ndikimin që do të ketë në procesin më të rëndësishëm gjyqësor në Kosovë. Prej perspektivës së sotme, është e vështirë të parashikohet rrjedhja e ngjarjeve. Mirëpo, në mjegullnajën e dendur të interpretimeve, ekziston një gjë që spikatet qartazi dhe është e pamundur të relativizohet. Dështimi absolut profesional dhe etik i EULEX’it.      

Me vdekjen e tij, Dëshmitari “X” është bërë dëshmi fundamentale e degradimit moral dhe institucional të EULEX’it. Ky mision ka shpërdoruar pakthyeshmërisht mundësinë më të mirë për të kontribuar në ndërtimin e një modeli efikas të sistemit gjyqësor në Kosovë.

Nonshalanca në mbrojtjen adekuate të Agim Zogajt, që do të duhej të ishte proporcionale me rëndësinë e dëshmisë së tij – është shenjë e joprofesionalizmit. 

Tentimi për shfajësim dhe kërkimi i arsyetimeve për këtë gabim gjigant – është hipokrizi dhe amoralitet. 

EULEX erdhi në kohën më të përshtatshme. Kishte përkrahje të plotë nga populli dhe institucionet. Të gjitha kompetencat. Të gjitha resurset. Shihej si mentor i gjyqësisë kosovare. Kushte të përsosura për punë të mirë. 

Mbase, gjëja më e rëndësishme për të ishte “Leksioni UNMIK”, i cili për tetë vjet e kishte blinduar bindjen për Kosovën si vend ku drejtësia është një asistente e politikës së përditshme.

Pra, EULEX duhej të bënte vetëm një gjë. Të kundërtën e asaj që kishte bërë UNMIK’u i hiperburokratizuar, i ngathtë dhe i paaftë. Mirëpo, Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit zgjodhi rrugën së cilës i bien më shpesh misionet ndërkombëtare. Ai jo vetëm që transferoi një pjesë të stafit nga UNMIK’u, por huazoi edhe mentalitetin negativ të funksionimit dhe sjelljes profesionale. 

Aksionet spektakulare të bastisjeve dhe ngritja e akuzave pompoze u bënë qëllim në vetvete, sepse çdo gjë mbetej në to. Edhe përrallat e bukura të prokurorit që u bë superstar medial, Johan van Vreeswijk, për “peshqit e mëdhenj” dhe “shtrëngimin e muskujve”, mbetën të tilla. Përralla të bukura.

Statistikat e punës, natyrisht, janë zhgënjyese: një gjyqtar i EULEX’it mesatarisht ka shpallur 0.17 aktgjykime për rastet e korrupsionit dhe 0.07 aktgjykime për rastet e krimit të organizuar në vit. 

Pas publikimit të lajmit për vdekjen e Dëshmitarit “X”, EULEX dha një performansë makabre, si përgjigje ndaj interesimit gjithëpopullor për çështjen. U transformua krejtësisht në një Kështjellë Kafkiane: heshtje, mbyllje, një njoftim i shkurtër, i zbrazët, mekanikisht i ftohtë. Misteriozitet burokratik. 

Deklaratat kaotike nëse Agim Zogaj ishte apo s’ishte dëshmitar i mbrojtur dhe refuzimi total i përgjegjësisë për skandalin, folën shumë dhe qartë për ngathtësinë e prepotencën e Misionit në raport me shoqërinë në të cilën dhe për të cilën funksionon. 

Rasti “Kleçka” është i jashtëzakonshëm për shkak të simbolikës së madhe politike dhe të ardhmes së sistemit gjyqësor. Gjykimi profesional i Fatmir Limajt, politikanit të tretë në Kosovë për nga fuqia e votës, mund ta kishte shënuar kthesën për të mirë në praktikën gjyqësore në vend. Të bëhej shembull për proceset tjera. 

E ardhmja politike e Limajt ndikon drejtpërdrejt në strukturën udhëheqëse të PDK’së, rrjedhimisht në elektorat dhe në relacionet e pushtetit politik në Kosovë. Për këtë arsye, pa marrë parasysh vendimin përfundimtar, një proces i rregullt gjyqësor do ta kishte fituar besueshmërinë shoqërore në pafajësinë ose fajësinë e tij. Me mënyrën e tillë të vdekjes së Dëshmitarit “X”, ka vdekur edhe ky besim. 

Tash, në aspektin e procesit gjyqësor, nuk është aq e rëndësishme nëse Fatmir Limaj do të shpallet i pafajshëm, ose do të dënohet me burg. 

E rëndësishme është që vendimi do të jepet nga një gjyq, i cili, përveç se është i paaftë që ta mbrojë dëshmitarin kryesor të procesit më të rëndësishëm, është aq arrogant sa të mos e denjojë shoqërinë kosovare për shpjegime që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj.

Dëshmitari “X” u shndërrua vetë në dëshmi.

Në jetë dhe në vdekje.