EULEX Shpreh Keqardhje

“Neve na vjen keq për humbjen e jetës dhe ne i shprehim ngushllime familjes dhe miqve të e tij”, zëdhënësi i EULEX’it, Nick Hawton, ka thënë të premten për Gazeta Jeta në Kosovë. “Mbrojtja e dëshmitarëve dhe siguria e tyre janë shumë çështje të ndjeshme dhe ne nuk mund dhe nuk do të konfirmojmë e as mohojmë asnjë detaj operacional”.

Reagimi vjen pasi familja e Agim Zogajt e bëri përgjegjës EULEX’in për vdekjen e ‘Dëshmitarit X’ pasi nuk e kishte mbrojtur atë si dhe akuzoi misionin europian për marrje të pavullnetshme të Zogajt nga shtëpia muaj më parë.

Burime të Gazetës Jeta në Kosovë thonë se Zogaj kishte qenë nën mbrojtjen e EULEX’it kur e kishin larguar nga shtëpia e tij në Nashec të Prizrenit, por jo edhe në momentin e vdekjes. Një prej arsyeve thuhet të ketë qenë edhe mosdurimi i tij për gjendjen në të cilën ai duhej të mbrohej gjithmonë.

Përreth fshatit të tij të lindjes, të gjithë e dinin se ai është dëshmitari kryesor në ‘Rastin Kleçka’ dhe familjarët shpesh pyeteshin për vendndodhjen e tij nga kureshtarët.

Institucionet e vendit dhe sidomos EULEX’i janë tashmë përpara një presioni shoqëror për gjendjen e dëshmitarëve. Raste të tilla pritet vetëm të dekurajojnë edhe më tej bashkëpunimin e njerëzve me organet e rendit.