Photo: Beta, AP Photo/Ted S. Warren.

A Është ky Momenti i #MeToo për Kosovën?

Tingëllon gati e pabesueshme: një platformë politike në Kosovë që e ka barazinë gjinore prioritet dhe mban një vijë strikte kundër ngacmimit seksual. Platforma e Albin Kurtit për Vetëvendosjen bëri thirrje për reforma që është e para dhe historike për Kosovën: thirrje për komitete disiplinore për ngacmime seksuale, mentorë për gra të reja në parti, barazi gjinore në praktikat e punëdhënëse brenda partisë, dhe një rishikim të statutit të partisë prej perspektivës feministe. Dhe pastaj ndodhi edhe një e padëgjuar historike në intervistën e së enjtes në Emisionin ‘Jeta në Kosovë’: kur Kurti u pyet për prioritizimin e barazisë gjinore në platformën e tij të re, ai pranoi se platforma kishte dalë si përgjigje ndaj ankesave për ngacmim seksual brenda partisë. Ai po ashtu tha se kjo kishte rezultuar në daljen e grave dhe vajzave nga partia.

Gjatë dorëheqjes së saj nga partia të enjten, Teutë Rrusta, ish-koordinatorja e qendrave të Vetëvendosjes, e akuzoi Kurtin për instrumentalizim të çështjes së barazisë gjinore për përfitime politike (Kurti sapo është zgjedhur kryetar i partisë në mes të një vlugu dorëheqjesh nga ish-anëtarë udhëheqës në parti). Ajo e ftoi Kurtin të adresonte ngacmimin seksual me “emra konkretë” duke shtuar që “është tepër problem me e hedhë një temë të tillë veç në ajër.

“E kam problem që z. Kurti nëse ka pasë kritika të tilla, nuk i ka përmendë më herët por është duke i thënë tash dhe kam arsye të plotë me besu që është duke u përdorë përsëri çështja e gruas për qëllime politike. Është e papranueshme.”

Nazlie Bala, udhëheqësja e Sekretariatit të Gruas në Vetëvendosje, u përgjigj duke thënë se gratë brenda partisë e kishin ngritur çështjen e ngacmimit seksual si dhe format tjera të dhunës në baza gjinore (sipas Tinka Kurtit, gratë brenda partisë kishin propozuar që barazia gjinore të bëhej pjesë e platformës). Bala tha se emërimi i fajtorëve duhet të bëhet vetëm nga vetë viktimat, të cilat ajo i përshkroi si të guximshme për shprehjen ankesave të tyre në parti.

Trazirat e shkaktuara nga pranimi i Kurtit se ka ngacmim seksual brenda partisë është e paprecedent në historinë e politikës në Kosovë. Thashethemet për trajtimin e grave si lloç nga figura politike nga i gjithë spektri politik në Kosovë janë të shumta – prej dhunës në familje e deri te shantazhimi i studenteve për favore seksuale. Kam dëgjuar rrëfime prej grave të reja që kanë punuar apo kanë qenë vullnetare në parti politike që më kanë rrëqethë mishin. Ato nuk i tregojnë publikisht këto raste gati kurrë, sepse pasojat janë shumë të rënda: si mund të paramendosh që një gjykatës do ta dëgjojë rastin tënd nëse ka gjasa që ai apo ajo mund të besojë që e ke kërkuar vet që t’i kapë dikush vithet apo gjoksin – që nuk ke dashur asgjë më shumë se të trajtohesh si një copë mishi në vend të punës?

Më falni për gjuhën time vulgare por ky është thelbi i asaj çka ne me përkëdheli i themi në shqip “me të ngucë”: reduktimin e një qenieje njerëzore që mendon dhe merr frymë, në bythë, cica, dhe vrima. Zakonisht nuk ka kurrfarë pasoja për këtë sjellje, sepse nderi në këtë shoqëri tradicionale është i rrënjosur në fuqinë që e ke për t’i poshtëruar dhe denigruar të tjerët.

Kjo është arsyeja pse gratë në ‘Vetëvendosje’ dhe ato që e kanë lënë partinë për shkak të ngacmimit seksual e meritojnë respektin tonë: ato janë duke kërkuar që të marrë fund një formë e dhunës që ne e konsiderojmë po aq të zakonshme sa frymën që e marrim. Duke kërkuar llogaridhënie, ato janë duke i dhënë një zë të gjitha grave të cilat i kanë jetët profesionale dhe private përplot me doza të përditshme të poshtërimit.

Ju lutem mos mendoni që veç pse gratë kosovare në vitin 2018 veshin xhinse dhe pinë cigare që seksizmi është një histeri e jona kolektive. Si përkujtim, para dy javësh gratë nëpër krejt Kosovës u nxorën jashtë nga strehimoret për viktima të dhunës në familje sepse qeveria i kishte lënë pa fonde. Ato ishin nxjerrë, bukvalisht, në rrugë. Vrasësi dhe ish partneri i Diana Kastratit, Adnan Jashari, është burrë i lirë i cili s’e kaloi asnjë ditë në burg. Dënimi i Nebih Bytyqit për therjen e gruas së tij, Zejnepe Bytyqi, u ngrit vetëm pasi që Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës pagoi një avokate për ta apeluar dënimin. Deputeteve u janë botuar inçizime të mitrave të tyre gjithandej nëpër mediat nacionale. Edhe pas gjithë asaj zhurme në vitin 2014 dhe 2015, kam dëgjuar se libri i Vesel Latifit për lëndën e kriminologjisë vazhdon të përdoret nga studentë të juridikut në Universitetin e Prishtinës – ky libër i cili i quan viktimat e dhunës seksuale “të sëmurë psikopata” dhe “të përdalura”. Mijëra gra në këtë vend janë përdhunuar dhe vazhdojnë të heshtin sepse bashkëkombësit e tyre burra, të cilët nuk i mbrojtën nga ushtarë dhe paramilitarë në vitin 1999 e kërkojnë nënshtrimin e tyre sot.

Në anën e ultë të spektrit të urrejtjes sonë për gratë janë dhunime të tjera të “nivelit të ultë”, gjëra si ‘shakatë’ për qimet publike apo mungesën e tyre, “ngucja” që ndodhë kur e prekë dikë kundër vullnetit të tyre, “aranzhmani” i punës në këmbim të qasjes në trupin e tyre. Atë që gratë e ‘Vetëvendosjes’ janë duke e denoncuar është një qëndrim i përhapur shoqëror që na bën që t’i mësojmë vajzat të mbrohen nga veprimet e burrave (dhe grave që u ndihmojnë atyre) në çastin që hynë në pubertet duke qeshur bashkë me burra apo thjesht duke mos e bërë të madhe.

Ngacmimi seksual dhe përdhunimi nuk janë dy ide kategorike të ndara, por ekzistojnë përgjatë një spektri të tërë abuzimesh. Kur një vajze i thuhet që thjesht “mos ja vno veshin” burrave që i thonë gjëra që e reduktojnë atë në cica dhe bythë, ajo po ashtu është duke u edukuar që të tolerojë nëse dikush sillet me të thjesht si cica dhe bythë. Por, mund të thoni, Hana, ku është dëshmia që ky është një problem kaq i përhapur? Ja ku është përgjigja ime: si duket nuk është aspak e rëndësishme që ka hulumtime të shumta që e llogarisin dhe dëshmojnë që pabarazia gjinore ekziston në Kosovë, duke parë mohimin monumental dhe arsyetimin që ndodh sa herë që një grua e thotë të vërtetën se si është cenuar. Për këtë arsye as që do t’i hyjë statistikave dhe numrave në këtë opinion. Nëse vërtetë dëshironi të dini se sa prevalent është ky problem, ja ku e keni një listë leximi.

Shpresoj se kjo është pjesë e një vale të re mllefi. Koha për panele diskutimesh dhe raporte ka përfunduar – është koha për zemërim të shoqëruar me vepra. ‘Vetëvendosje’ e ka mundësinë për t’u bërë partia e parë që e pastron sokakun e vet, dhe shpresoj se e shfrytëzojnë këtë rast. Por krejt kjo nuk ndalet vetëm me ‘Vetëvendosjen’. Është hera e parë që një udhëheqës i çfarëdo organizate apo institucioni në Kosovë e pranon se ngacmimi seksual është një çështje që duhet të adresohet; më fal, është hera e parë që gratë brenda një organizate kanë arritur të bëjnë këtë problem prioritet kryesor në vendin e tyre të punës. Kjo është e paprecedent në një vend ku me ditë të tëra burrat e mbronin “flirtimin” e “ngucjen” (lexo ngacmimin) pasi që gratë ua bënë me dije të gjithë ato cenime që i përjetojnë vetëm pse e kalojnë pragun e derës gjatë kampanjës #TakeBacktheNight / #NataEshteeJona në vitin 2014.

Fatkeqësisht, nuk kemi yje Hollywoodi që të na çojnë drejt një epoke të re duke i emëruar dhe turpëruar ngacmuesit e tyre. Do të na duhet më shumë se një intervistë e vetme që të ndryshojmë kulturën e fajësimit të viktimave që është thellësisht e rrënjosur në patrariaklizmin tonë të veçantë. Por duke e thënë atë që është e qartë, apo më drejt, atë që është strukturore dhe që as nuk fillon e mbaron në partinë e tij, Albin Kurti na dha të gjithëve diçka që na është dashur shumë – që problemi të pranohet si i tillë. E me këtë mund të nisim të bëjmë diçka.