Sekretari i Frontit Popullor për Kultivimin e Veprës së Shokut Enver Hoxha, Agim Xhigoli | Foto nga Rron Gjinovci

Enveristët Kosovarë Mbajnë Lart 'Zjarrin e Revolucionit'

Pak minuta larg qendrës së qytetit të Ferizajt, në ndërtesën e gjimnazit të parë të vitit 1938 në këtë qytet, mes shkurresh dhe pemësh që bëjnë hije, ndodhet zyra e Frontit Popullor për Kultivimin e Veprës së Shokut Enver Hoxha.

Sekretari i kësaj organizate, Agim Xhigoli rreth të 60-ave, hap derën e Frontit dhe përpara shfaqet një bust rreth një metër i lartë i vendosur në ballë të dhomës. E tërë dhoma është e mbushur me fotografi.

Një pjesë e tyre janë fotografitë ikonike të Enver Hoxhës, udhëheqës i Shqipërisë që pas Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1945 deri në vdekjen e tij më 1985.

Vite më parë publiku i Shqipërisë u trondit me pamjet që dolën nga Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë në Prishtinë të një mbledhjeje përkujtimore të hoxhaistëve kosovarë, ku Enver Hoxhës i thureshin lavde e i përmendeshin sukseset e udhëheqjes së tij.

Madje, duartrokitjet e gjata që shoqëroheshin me thirrjet e emrit të tij që të kujtonin pamjet e mbledhjeve të kongreseve të punës së PPSH-së, sigurisht në Shqipëri, nuk lanë shije aspak të mirë.

Kosovarët janë të njëanshëm kur vjen puna te udhëheqësit e Shqipërisë. Pa i përjetuar në lëkurën e tyre politikat që burrështetasit e Shqipërisë mund t’i ndjekin, kosovarët apriori krijojnë simpati për ta, duke i konsideruar si burrështetas të kombit në përgjithësi dhe jo si zyrtarë me funksione e përgjegjësi të caktuara.

Busti i Shokut Enver në Ferizaj | Foto nga Rron Gjinovci
Busti i Shokut Enver në Ferizaj | Foto nga Rron Gjinovci

Për këtë arsye, kur vjen puna te figura e Enver Hoxhës, shqiptarët e Kosovës nuk kanë emocion për sa i përket jetës në kohën e tij, ata e shohin atë vetëm në nivel makro të politikës e historisë dhe më shumë nga aspekti i aktivitetit të tij nacionalist.

Agim Xhigoli, i cili ngjan më i ri se mosha e tij, ndoshta edhe ngaqë ka qenë notar dhe merret ende me sporte, tregon se Fronti në Ferizaj u themelua në vitin 2000.

“Enver Hoxha ishte frymëzuesi dhe ideatori i të gjitha lëvizjeve për çlirim dhe bashkim kombëtar”, tregon sekretari i Frontit, duke sqaruar anët më të forta të Enver Hoxhës.

Për të, Enver Hoxha ishte i dinjitetshëm dhe para tij “dridheshin armiqtë e lindjes dhe perëndimit”.

Xhigoli nuk thotë vetëm fraza letrare për njeriun më të rëndësishëm, sipas tij, të kombit shqiptar, por përmend zhdukjen e analfabetizmit dhe elektrifikimin e vendit po ashtu.

Por ajo që është më e rëndësishmja për të, është ruajtja e Shqipërisë siç është sot. “Në atë kohë, jeta mund të ketë qenë e vështirë për shqiptarët, por duke e parë nga sot, është e qartë që Shqipëria e ka ruajtur sovranitetin për shkak të Enverit”, sqaron ai për GazetaJNK.

Sekretari enverist thotë se Fronti Popullor për Kultivimin e Veprës së Shokut Enver Hoxha në Ferizaj ka lëshuar deri më sot rreth 5000 libreza anëtarësimi dhe të paktën 300 prej tyre disponohen nga anëtarë aktivë.

Ndonëse Xhigoli ishte qytetar i Jugosllavisë, ai e urrente atë. Ai shpjegon se në atë kohë kishte vetëm dy mundësi, ose ishe titist ose enverist, “natyrisht, ne shqiptarët e Kosovës nuk mund të bëheshim me Titon, por me Enverin”, shpjegon ai.

Ndryshimin e sistemeve nga ai socialist në kapitalist, sekretari e sheh si të rrezikshëm për njerëzit, mirëpo shpreh bindjen se socializmi do të vijë përsëri. Madje, thekson se “Enver Hoxhën s’mund ta ngjallim, por socializmi ka me ardhë prap”.

Zyrat e Frontit në Ferizaj janë të pajisura me infrastrukturë për mbledhje e takime revolucionare | Foto nga Rron Gjinovci
Zyra e Frontit në Ferizaj është e pajisur me infrastrukturë për mbledhje e takime revolucionare | Foto nga Rron Gjinovci

Korrupsioni që sot zë vend në të gjitha ballinat e të përditshmeve, sipas Xhigolit, në Shqipëri nuk ka ekzistuar kur ishte gjallë Enver Hoxha.

“I vetmi vend në botë ku nuk ka pasur korrupsion ka qenë Shqipëria në kohë të Enverit. Ata kanë mësu në shkolla për korrupsionin në vendet tjera të botës se në Shqipëri s’ka pasë korrupsion, e tash…?” – hap sytë sekretari si për të treguar se pyetja e tij është retorike.

Ai thotë se e çmon sistemin socialist në përgjithësi, për mbrojtjen që u bënte qytetarëve të vet. Xhigoli shpjegon se edhe duke qenë brenda Jugosllavisë, që për të paraqet një entitet shtypës, jeta e dinjitetshme e punëtorëve mbrohej.

“Ja për shembull” – thotë ai – “atëherë ke mund me marrë kredi sa të duash por bankat kanë mund me t’i ndalë vetëm 30% të të ardhunave, e sot ta marrin krejt rrogën edhe vijnë senet në shpi t’i marrin”, përfundon ai duke tundur kokën si me njëfarë dëshpërimi për atë se si njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë thjeshtësinë e asaj që shpjegon.

Ndërkohë që Xhigoli shpalos mendimet e tij rreth Shokut Enver dhe socializmit, dhoma ku ndodh biseda është e stërngarkuar me flamuj të Shqipërisë socialiste që karakterizohen me yllin pesë-rremësh në mes të flamurit, me fotografi të aktiviteteve të ndryshme të Frontit Popullor për Kultivimin e Veprës së Shokut Enver Hoxha, simbole të socializmit e banera me thënie të Enver Hoxhës.

Të gjitha këto nën hijen e rëndë të bustit të ftohtë, të bardhë të Enver Hoxhës, që sheh i vrenjtur mbi atë që ka lënë pas.

Xhigoli nuk heziton ta rreshtojë Enverin si njeriun me më ndikim në shekullin 20, bashkë me Nelson Mandelën madje, me Stalinin, me Che Guevarën. Por ai e dallon Enverin nga të tjerët. “Ai ishte i pandryshueshëm në mendime, i pathyeshëm, nuk ia zgjaste qafën askujt”, shprehet Xhigoli për idhullin e tij.

Foto nga Rron Gjinovci
Foto nga Rron Gjinovci

Ndërkohë që Titon, si socialistin fqinj të Enverit, e sheh si joparimor. “Ai ishte me krejt, s’kishte parime si Enveri”, vazhdon sekretari enverist.

Daljen nga pakti i Varshavës që ndodhi në vitin 1968 për shkak të mosmarrëveshjeve rreth konfliktit kinez-sovjetik dhe pavarësisht faktit se Shqipëria socialiste merrte ndihma domethënëse nga Bashkimi Sovjetik, Xhigoli e sheh si dëshmi të parimeve të forta të Enver Hoxhës.

Kjo ngjarje ka bërë që udhëheqësi komunist i Shqipërisë të gëzojë reputacion të mirë te shumë shtete dhe organizata socialiste të kohës. Madje një simpati e tillë vazhdon të kultivohet edhe sot.

Qartazi adhurimi për figurën e Shokut Enver i ka mbijetuar dekadave jo vetëm në Ferizajn e veçuar në Kosovën e vogël, por edhe në vende më serioze e që zënë sipërfaqe të mëdha në hartën e planetit.

Me një kërkim të thjeshtë në internet mund të gjenden lista të partive komuniste hoxhaise si dhe debate mbi atë se çka është hoxhaizmi.

Partia e Punës së Iranit është një nga ato parti që u rreshtua me Shqipërinë gjatë konfliktit kinezo-sovjetik. Platforma Komuniste në Itali e formuar në vitin 2008 poashtu identifikohet me hoxhaizmin. Lista vazhdon në vende të ndryshme në të gjitha kontinentet e botës.

Madje disa parti komuniste të sotme, siç është Partia Komuniste e Spanjës, qartazi shprehin admirim dhe ngrejnë lart figurën e Enver Hoxhës.

I pyetur se kush është më afër Enver Hoxhës nga partitë që veprojnë në Kosovë, Xhigoli u shpreh “me shiku me platformë, nëse janë të vërteta ato që i thonë, atëherë Vetëvendosja është më afër ideve të Enverit”.

Mirëpo ai e sheh Hashim Thaqin si figurën politike më të suksesshme dhe më afër Enverit ndërkohë që na tregon një fotografi të tij dhe Kadri Veselit në mesin e shumë fotografive të veprimtarëve komunistë që mban zyra e Frontit.

Së fundmi në Britaninë e Madhe pati bërë bujë një citim i Enver Hoxhës nga ana e Jeremy Corbin, udhëheqësit të laburistëve, i cili në ndejën e krishtlindjeve të Partisë Laburiste tha se “ky vit do të jetë më i vështirë se viti i kaluar” dhe këtë fjali ia atribuoi “liderit të ashpër”.

Kjo ngjalli reagime të shumta qoftë në Britani të Madhe po ashtu në Shqipëri. Zyra e Corbyn sqaroi më vonë se fjala ishte për një shaka.

Enver Hoxha akuzohet se është përgjegjës për vrasjen e të paktën 5000 njerëzve dhe burgosjen e internimin e dhjetëra mijëra të tjerëve, duke u konsideruar si një nga diktatorët me të egër komunistë në botë.

Në një intervistë të disa viteve më parë për Enverin, Remzi Lani, një ekspert i medias nga Shqipëri, tha me shpoti: “Krahasuar me Enver Hoxhën, Çaushesku ishte demokrat i madh”.

E me gjithë këtë, adhurimi për të vazhdon, jo vetëm në Shqipëri, por edhe përreth saj, dhe nuk përfundon këtu, por vazhdon të shpërndahet përtej oqeanit Atlantik e atij Paqësor, duke mbërritur në të gjitha skajet e botës.

Ndërkohë, shqiptarët janë në përpjekje të vazhdueshme për daljen nga traumat dhe dëmet që ka lënë periudha e të ashtuquajturit “sistemi socialist” në Shqipëri.

Teksti i kenges per Enver Hoxhen
Teksti i një kënge për ringjalljen e Enver Hoxhës i shpalosur në zyrën e Frontit në Ferizaj | Foto nga Rron Gjinovci