Ujërat e zeza afër një shkolle në Skenderaj. Foto: Kallxo.com

Ëndrrat e Skenderajt për Zhvillim

Mbeturinat, uji i pijshëm, tollovitë në trafik mirëqenia sociale e deri te problemet me ekstremizmin e dhunshëm janë sfidat me të cilat do përballet kryetari i ardhshëm i Skenderajt.

Me një buxhet më të vogël sesa ai i Lipjanit dhe Fushë Kosovës, kryetari i ri i Skenderajt do ta këtë problem zgjidhjen e problemeve të mëdha të komunës.
Faktet e grumbulluara gjatë hulumtimit për debatet zgjedhore 2017 tregojnë se 23 fshatra të komunës kanë probleme me ujin e pijes.

Hulumtimi tregon se fshatrat Murgë, Abri, Pluzhinë, Likoc, Ticë, Rezallë, Makermal, Rakinicë, Qubrel, Vitak, Leqinë, Kryshec, Kotorr, Prelloc, Radishevë, Kopiliq i Poshtëm dhe i Epër, Izbicë, Klodernicë, Kosterc, Qirez, Dashec e Polac nuk janë te kyçur ne ujësjellës dhe kjo u sjell probleme serioze në furnizim me ujë të pijes.

Në ambient, qyteti dhe fshatrat e Skenderajt kanë probleme serioze me grumbullimin e mbeturinave. Në mbarë komunën janë të vendosura mbi 70 deponi ilegale.

Në arsim, 14 shkolla të komunës punojnë në dy ndërrime ndërsa vetëm një çerdhe është funksionale.

Deponi e mbeturinave në fshatin Leqinë, Skenderaj. Foto: Kallxo.com

Në 14 shkolla në Skenderaj mësimi vazhdon të mbahet në dy ndërrime ndërsa vetëm 4 nga 27 shkollat kanë salla të edukatës fizike. Shtimi i infrastrukturës shkollore është nevojë e domosdoshme.

Skenderaj në Debat Pernime

Mirëqenia sociale

Raportet statistikore tregojnë se Skenderaj është në mesin e komunave ku organizata terroriste ISIS ka arritur të rekrutojë shumë qytetarë. Tre persona nga Skenderaj janë në burg për momentin të paktën tre të tjerë janë vrarë në Siri e Irak. Komuna ka një varg kompetencash në deradikalizm dhe në trajtim të ekstremizmit. Komuna duhet të sigurojë që Qendra për Punë Sociale, Drejtoria e Arsimit, Shëndetësisë, psikologët e kësaj komune, Drejtoria e Rinise dhe Sportit të merren me këta njerëz dhe me problemet e tyre pas kthimit të këtyre luftëtarëve nga vatrat e luftës.

Në mirëqenien sociale komuna ka probleme të mëdha edhe me strehimin e familjeve të varfëria.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 154 familje kanë problem sigurimin e banimit.

Skenderaj synon që në sport ta zhvillojë futbollin dhe hendbollin po që nga viti 2009 palestra sportive në qytet, një investim i Ministrisë së Sportit, ende nuk ka përfunduar.

Si rrjedhojë dy klubet e suksesshme të volejbollit ai i femrave dhe i meshkujve është dashur t’i kryejnë stërvitjet në sallat e edukatës fizike të shkollave.

Skenderaj përballet me mbingarkesë të trafikut në veçanti në rrugët “Ilaz Kodra”, “18 Qershori”, “28 Nëntori”, “Fehmi e Xhevë Lladrovci” dhe “Sala e Hamit Jashari”, ndërsa në probleme të tjera të infrastrukturës renditen mungesa e trotuareve në fshatra, mungesa e ndriçimit publik në rrugët e Skenderajt dhe mungesa e trotuareve në fshatra veçanërisht përreth shkollave.

Palestra e papërfunduar e sporteve në Skenderaj. Foto: Kallxo.com

Me një popullsi prej 53 mijë banorëve, Skenderaj ka të hyra prej 816 mijë euro, që janë shumë pak krahasuar me komunat siç është Lipjani apo Fushë Kosova.

Për zhvillimin ekonomik të komunës në vitin 2010 është marrë vendimi që në Skenderaj të ketë një Park Teknologjik. Por i njëjti ende nuk është jetësuar.

Skenderaj i ka falur borxhet në vlerë 8,520 euro, ndërsa në vitin 2015 i ka falur 106 mijë euro. Këto borxhe u janë falur bizneseve që nuk i kanë paguar taksat e ngarkuara në biznes. Skenderaj është thirrur në ligjin për faljen e borxheve, mirëpo Auditori në raportin e vitit 2016 thotë se Komuna nuk kishte bazë të qartë ligjore për faljen e këtyre borxheve, për shkak se këto kategori borxhesh nuk përfshihen në Ligjin për faljen e borxhit.

Auditori, në raportin e vitit 2016, thotë se Skenderaj ka dhënë në shfrytëzim 5 prona komunale pa ankand publik dhe për kohë të pacaktuar. Kjo është në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës publike, i cili thotë se “afati kohor për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të komunës jepet nga një (1) deri në 15 vite dhe duhet të bëhet përmes ankandit publik”.