Emigrantët kosovar duke pritur në stacionin e policisë kufitare në Serbi, pasi ishin zënë duke tentuar të kalojnë ilegalisht kufirin nga Serbia në Hungari. Shkurt 2015 || Foto: Beta, AP Photo/Darko Vojinovic

Ëndrra e Mbetur Përgjysmë

Para se të përfundonte lufta e Kosovës, UNHCR kishte përgatitur një plan të detajuar se si të asistojë në kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre.

Ky plan parashihte një kthim gradual dhe afatgjatë, pasi të ishin futur trupat e NATO-s. Por, me fillimin e tërheqjes së ushtrisë serbe nga Kosova, ende pa hyrë ushtarët e NATO-s, afër një milion refugjatë filluan kthimin e menjëhershëm në shtëpitë e tyre, shumë nga të cilat ishin të rrafshuara për tokë.

Në mungesë të transportit, shumë refugjatë morën rrugën e kthimit në këmbë. Turmat e mëdha të refugjatëve krijuan kolona të gjata dhe ngadalësuan edhe lëvizjen e makinerisë ushtarake të KFOR dhe administratës civile ndërkombëtare.

Komandanti i parë i KFOR-it, gjenerali britanik Mike Jackson në autobiografinë e tij rrëfen një bisedë me një nga drejtorët rajonal të UNHCR, duke i thënë se “kriza e refugjatëve u kalua shpejt, ashtu ‘siç shkrihet shpejtë bora e pranverës’”. “Po, por ata nuk ndoqën planin tonë”, ishte përgjigjur si pa qejf drejtori i UNHCR.

Pak pas refugjatëve edhe shumë kosovarë të tjerë me qëndrim të përhershëm në vendet e Europës Perëndimore filluan të kthehen, duke lënë pas punën e paguar mirë, për të filluar një jetë të re në Kosovë.

Tetëmbëdhjetë vjet pas, një qytetar i Kosovës paguan trafikantëve 2.000 deri 3.000 euro për kalim ilegal të kufijve në vendet e Bashkimit Europian.

Që nga shpallja e pavarësisë më 2008, rreth 185 mijë kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, apo rreth 10% e popullsisë, duke shpenzuar deri 550 milionë euro për ikje ilegale nga Kosova.

Si erdhëm deri tek kjo situatë: nga kthimi masiv duke mos u frikësuar as minave, vetëm e vetëm për të ndërtuar një jetë të re në tokën e lirë, deri tek rrezikimi i jetës për të ikur, për të ndërtuar një jetë të re sa më larg Kosovës?

Krejt kjo faji i një klase politike kriminale dhe një administrimi të keq ndërkombëtar.

Shteti i Kosovës nuk arriti që të kompletojë lirinë: lirinë ekonomike që mund ta sjell një shtet në të cilën garantohen liritë politike, respektohen të drejtat e njeriut dhe të gjithëve u ofrohen mundësi të barabarta.

Sipas rezultateve të anketës me diasporën të publikuar nga Ministria e Diasporës, 32.2% e diasporës së anketuar përmend arsyet ekonomike si shtysën kryesore për t’u larguar jashtë vendit, kundrejt vetëm 8.4% të cilët përmendin arsyet politike.

Mungesa e lirive ekonomike është po aq e rëndë sa edhe mungesa e lirive politike.

Sipas nobelistit Amartya Sen, liria ekonomike nënkupton lirinë për të shuar urinë, për të siguruar ushqim të mjaftueshëm, për të siguruar ilaçet, mundësitë për t’u veshur e strehuar, për të shijuar ujë të pastër apo për të pasur kushte higjienike, liria për t’u arsimuar e për t’u mbrojtur nga epidemitë.

Është pikërisht mungesa e këtyre lirive ajo që i shtynë kosovarët që të largohen jashtë.

Azilkërkuesit nga Kosova si arsye të emigrimit përmendin pamundësinë për të siguruar një vend pune, gjendjen e rëndë në sistemin e shëndetësisë e arsimit, pamundësia për të siguruar strehim adekuat e madje për të plotësuar nevojat higjienike.

Dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe 19 vjetorin e çlirimit, Kosova e feston si vendi më i izoluar, më i varfër, me papunësinë më të lartë në Europë, si dhe vendi i cili përveç mungesës së lirive ekonomike, ka filluar të cenojë edhe liritë civile dhe politike.

Sot, çdo qytetar mund të jetë viktimë e dhunës arbitrare të pushtetit.

Ditë më parë, dy policë në hierarkinë e lartë të Policisë së Kosovës i sulmuan në pikë të ditës dy qytetarë në qendër të qytetit të Prishtinës.

Qytetarët që e raportuan sulmin në Polici u klasifikuan si sulmues dhe jo si viktima. Vetëm pas publikimit të xhirimeve nga kamerat e sigurisë, Policia e ndërroi qëndrimin duke suspenduar njërin nga policët, gjersa për policin tjetër të përfshirë në rrahje nuk u mor asnjë masë, as nga Policia, as nga Inspektorati Policor e as nga Prokuroria.

Sot, çdo qytetari të Republikës së Kosovës i përgjohet komunikimi privat, pa pasur nevojë për urdhër të gjykatës.

Në jo pak raste këto përgjime përdoren për të shantazhuar apo diskredituar kritikuesit e pushtetit.

Pas një seri akuzash ndaj Kryeprokurorit për falsifikim të diplomës së jurisprudencës, në media rrodhën përgjimet kundër gazetarit dhe anëtarit të shoqërisë civile Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Edhe pse përgjimet nuk përmbanin asgjë inkriminuese, qëllimi i publikimit të tyre ishte frikësimi dhe shantazhimi i kritikëve.

Liria e pjesëmarrjes politike është e kufizuar për faktin se një klasë politike ka kapur institucionet më të rëndësishme të shtetit.

Sistemi aktual zgjedhor dekurajon partitë e reja që t’i hyjnë garës zgjedhore për shkak të pragut të lartë prej 5% për t’u përfaqësuar në Kuvend, pamundësinë e angazhimit të vëzhguesve në ditën e zgjedhjeve, apo edhe sigurimi i financimit për aktivitete politike.

Në anën tjetër, vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, të cilat i dhanë të drejtë partisë e cila ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje të mbetet në pushtet edhe në rast se nuk e ka shumicën parlamentare, kanë vështirësuar edhe më tej ndërrimin e qeverisjes përmes zgjedhjeve.

Kjo klasë politike e cila ka kapur pushtetin, shfrytëzon atë për interesa të tyre personale dhe klanore. Sot, nga taksat e qytetarëve shpenzohen mbi 60 milionë euro në vit për pensionet e 36 mijë veteranëve të luftës së UÇK, në një proces i cili është konceptuar më shumë si mekanizëm për zgjerimin dhe mbajtjen e bazës klienteliste të partive të luftës, se sa si mekanizëm i cili njeh meritat e pjesëtarëve të vërtetë të luftës.

E njëjta klasë politike e cila fryn listat e veteranëve, e ka kundërshtuar me ngulm ndarjen e ndihmës financiare për viktimat e torturës dhe dhunës seksuale të luftës. Pas shumë presioneve, Qeveria ka pranuar që nga ky vit të ndajë një milion euro për viktimat e dhunës seksuale të luftës. Në anën tjetër, ndahen mbi 22 milionë euro në vit vetëm për pensionet e veteranëve mashtrues, apo për ata 11 nga 36 mijë persona që marrin pension pa qenë pjesë e listës së NATO-s të cilët janë çarmatosur më 1999.

Njësoj, veprimet e fundit të Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit për të shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, janë veprime të cilat vënë interesin e tyre personal para interesit të shoqërisë. Për shkak të këtyre veprimeve, sot marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtare janë në pikën më të ulët në dy dekadat e fundit.

Hakmarrja ndërkombëtare për keqqeverisjen në Kosovë sot bie pikërisht mbi ata qytetarë të varfër e të papunë, të cilët mbeten më të izoluarit në Europë.

Shpeshherë na thuhet se kosovarët kanë qeverisjen që e meritojnë, ngase po të donin përmes zgjedhjeve mund të largonin këtë klasë politike të korruptuar. Por, kjo nuk është kaq e thjeshtë. Ka qenë pikërisht bashkësia ndërkombëtare ajo që në emër të stabilitetit ka mbajtur në pushtet këtë klasë politike. Përkundër asaj se zgjedhjet parlamentare të 2010 u konsideruan nga ish-ambasadori amerikan si zgjedhje me vjedhje industriale të votave, kurse misioni vëzhgues i BE i cilësoi me shumë anomali, prapë se prapë u bë presion që të krijohet qeveria dhe të vazhdohet me dialogun e Brukselit. Sot, ajo klasë politike e cila është mbajtur në pushtet për hir të stabilitetit në dëm të demokracisë dhe zhvillimit, është po ajo e cila kërcënon me destabilitet në Kosovë.

Ka plot të atillë të cilët ngecjen dhe keqqeverisjen e arsyetojnë me atë se Kosova është një shtet i ri dhe se ndërtimi i një shoqërie të drejtë dhe prosperuese merr kohë. Kjo është logjikë e gabuar e arsyetimit. Çdo ditë që kalon, shpresat për një rezultat të mirë zbehen. Nëse kapja e institucioneve shtetërore vazhdon tani e dhjetë vjet, çkapja e tyre nuk do të jetë më e lehtë me kalimin e kohës, por shumë më e vështirë.

A nuk e dëshmon këtë edhe veriu i Kosovës? Përkundër logjikës së gabuar se “veriu” i Kosovës do të integrohet me kalimin e viteve, e kundërta ka ndodhur: 18 vite pas ekziston një realitet krejt tjetër në veri të Kosovës, ashtu siç ekziston një realitet krejt tjetër në Kosovë nga ai që ishte para vitit 1999.

Kohëzgjatja e rimëkëmbjes së një shteti është po aq e gjatë sa edhe kohëzgjatja e degradimit të tij. E degradimi i shtetit po vazhdon tani e dhjetë vjet dhe nëse nuk ndalet kjo rënie, rimëkëmbja do të jetë po aq e gjatë e shumë e vështirë. E ndoshta edhe e pamundur, në rast se vazhdon eksodi i largimit të të rinjve nga vendi.