Ëndrra Amerikane

Viti i Ri nisi me lajmin se trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova. Edhe pse eprori më i lartë ushtarak amerikan në Kosovë shpejt kumtoi se nuk do të ketë tërheqje të trupave amerikane në vitin 2012, lajmi shkaktoi mjaft reagime në Kosovë, në rajon e madje edhe në vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësues të shqiptaro-amerikanëve e quajtën vendim të ngutshëm – nëse ka pasur vendim fare. Në Kosovë u dëgjuan vetëm qytetarët. Përfaqësues politikë nuk u dëgjuan, me siguri duke pritur ndonjë konfirmim zyrtar të këtij lajmi.

Një lajm i tillë, edhe pse erdhi si një “bombë”, në të vërtetë nuk duhet të befasojë asnjë dhe është shumë e mundur, jo vetëm që trupat amerikane do të tërhiqen një ditë, por edhe që po të mundej, Washingtoni do t’i tërhiqte trupat qysh sot. Sot ka shumë vatra krize e zona të tjera të rëndësisë së lartë për Shtetet e Bashkuara e ku Washingtoni duhet të përqendrojë vëmendjen dhe të gjitha resurset që i ka.

Mbajtja e trupave ushtarake në Evropë, tani që kontinenti i vjetër jeton në paqe ndërsa rreziku nga ish-BRSS-ja është zhdukur, nuk duhet të jetë interes madhor i SHBA-së.

Por, çfarë do të thotë kjo për Kosovën, madje edhe nëse ishte vetëm një lajm i pakonfirmuar?
Kosova që nga shpallja e pavarësisë është treguar krejtësisht e varur nga Shtetet e Bashkuara. Përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Prishtinë kanë mikromenagjuar programin e ditës, kur është shpallur pavarësia e Kosovës dhe kanë pasur gisht dhe vazhdojnë të kenë gisht në gati çdo vendim që është marrë në Kosovë.

Pa hyrë në motivin pse ambasada pranon të marrë një barrë kaq të madhe, mund të vërehet se kjo e ka penguar klasën politike në Kosovë që të tregohet kompetente dhe e pjekur që të marrë vendime të duhura e në mënyrë të pavarur. Për më tepër, jo vetëm qytetarët, por edhe pjesa më e madhe e klasës politike vazhdon të operojë me konceptin joekzistent në marrëdhëniet ndërkombëtare atë të mikut që ndihmon tjetrin pa asnjë interes e deri në vetëmohim. Kështu shihen Shtetet e Bashkuara në Kosovë dhe përkrahja e tyre merret si e pakushtëzuar dhe e pakufizuar. Lajmi për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane mund të bëhet sinjali që tregon se megjithatë Washingtoni e shikon, në rend të parë, interesin e vet, sikur edhe të gjithë anëtarët tjerë të bashkësisë ndërkombëtare.

Reagimet e lexuesve të mediave në gjuhën shqipe, që kishin lënë komente nëpër portalet e internetit, shprehnin drojë nga ajo se çfarë do të ndodhë? Në këtë frikë vërehej qartë mosbesimi që qytetarët kanë kundruall institucioneve të shtetit të Kosovës, jo vetëm për të mbrojtur fizikisht qytetarin e Kosovës, por edhe për të siguruar mirëqenie për qytetarin duke marrë vendime në mënyrë krejtësisht të pavarur, pa ndihmën e askujt. Dobia më e madhe nga ky lajm, tash për tash, do të ishte “zgjimi” i qytetarëve kosovarë dhe përqendrimi i vëmendjes në institucionet qeverisëse në Kosovë, për të kërkuar nga to që të ndërtojnë institucione sa më të qëndrueshme, të vejnë një qeverisje të mirë, që do të garantonte mirëqenie e siguri për qytetarët e Kosovës.

Më e vështirë është që qytetarëve të Kosovës t’u largohet frika për sigurinë e tyre fizike. Shqiptarët e Kosovës tradicionalisht shprehin mosbesim ndaj shteteve evropiane dhe gjithmonë i kanë mbajtur sytë të kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zbrazëtinë që do ta lënin amerikanët me largimin e tyre nuk mund ta mbushë asnjë vend evropiane e as e tërë BE-ja.

Lajmi shkaktoi jehonë edhe në Serbi, ndonëse edhe atje politikanët janë përmbajtur nga deklarimet, sipas të gjitha gjasave për arsyen e njëjtë – kanë pritur të konfirmohet lajmi e pastaj ta interpretojnë. Edhe në Serbi, komentatorët kanë arsyetuar me lloj-lloj teorie konspiracioni atë që e shihnin si involvim i amerikanëve dhe mbështetje për shqiptarët e Kosovës dhe stacionim afatgjatë në Kosovë.

Gjithkund në Ballkan, por sidomos në Serbi, ende operohet me koncepte ushtarake dhe një lajm për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova – është shumë e mundur – do të shihet si përfundim i mbështetjes për shqiptarët e Kosovës e rrjedhimisht edhe si një rast për “të kthyer Kosovën”.

Nëse Beogradi dyshon që ka diçka të vërtetë në këtë lajm, atëherë kjo do ta inkurajojë Serbinë që të marrë qëndrim më radikal kundrejt Kosovës. Kur kihet parasysh që Serbia po hyn në një fushatë zgjedhjesh, kjo do të ashpërsojë edhe më shumë retorikën politike por ndoshta edhe veprimet e klasës politike në Serbi. Indikativ është një koment i bërë në një gazetë të Serbisë, në të cilën komentatori vëren se në ushtarët amerikanë nuk guxon të shtiesh me armë, siç guxon të bësh me ushtarët e shteteve të tjera. Kjo zbulon se sa Serbia i trembet Amerikës, por edhe sa nuk i trembet Evropës.

Tërheqja amerikane nga Kosova do të ishte e rëndë edhe për Evropën. Shtetet evropiane vazhdimisht janë treguar të ngathëta që të shtyjnë përpara ndryshimet pozitive në Ballkan dhe gjithmonë është nevojitur një shtytje nga amerikanët për të lëvizur gjërat. BE-ja vetë nuk ka një politikë më të qartë për Ballkanit, përveç se përsëritë se Ballkani ka të ardhme evropiane dhe e ka vendin në BE. Bosnja, prej nga Shtetet e Bashkuara janë tërhequr dhe i a kanë lënë punët në dorë BE-së, është shembull i dështimit për të lëvizur gjërat përpara dhe një mësim për të gjithë se sa është i nevojshëm involvimi i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara.

Atëherë, çfarë do të ndodhë? Largimi i trupave amerikane nga Kosova duhet shikuar si diçka që mund të bëhet dhe atë shumë shpejtë. Kosova duhet të ndërtojë institucione sa më të forta, sa më kompetente e të përgjegjshme, që të ndërtojë një shtet sa më të fortë, që është në gjendje të sigurojë mirëqenie dhe të garantojë këtë mirëqenie për qytetarët e saj. Serbia mund të ndihet e inkurajuar dhe të “mprehë dhëmbët” e të paramendojë ndonjë inkursion me trupat e saja në veri të Kosovës për të marrë për vete atë pjesë, një skenar që fshehurazi është përmendur si mundësi. Evropa, me vëmendjen e larguar nga Ballkani dhe e përqendruar në çështjet më të rëndësishme për të siç është kriza ekonomike, mund të tregohet përsëri e vonuar në reagimin në Ballkan. Atëherë amerikanët përsëri do të duhet të kthehen në Kosovë.

Kosovës i mbetet të dëshmojë se di të kthejë miqësinë dhe ta kuptojë nevojën e Washingtonit që të kthejë sytë kah pjesët tjera të globit dhe ta lirojë mikun nga barra të cilën nuk dëshiron ta mbajë. Qeverisja e mirë, e drejtë dhe transparente është falënderimi më i mirë për këtë miqësi dhe përkrahje dhe garanci që amerikanët do të na gjinden pranë gjithmonë.