Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Emocionalë për situatën e stagnuar

Gjersa banorët e Beogradit duken të painteresuar me krizën e fundit kufitare, pasionet po vlojnë tek komunitetet e ndara të Kosovës.

Situata e tensionuar ka provokuar emocione të ndryshme tek qytetarët e Beogradit, Prishtinës dhe qytetit të ndarë të Mitrovicës – nga heqja dorë deri te indinjata dhe dëshpërimi.

NDËRLIDHUR

Shumë vetë në kryeqytetin serb e kanë hequr nga mendja Kosovën si kauzë të humbur dhe kanë thënë se kanë nevoja më urgjente sesa kontesti kufitar që kishte nxitur bllokim të rrugëve në atë territor.

Të tjerët në Beograd kanë thënë se ndjenjë dhembshuri me gjendjen e vështirë të serbëve etnikë në veri të Kosovës dhe kanë mbështetur bllokadat e tyre.

Në pjesën veriore të Mitrovicës të dominuar me serbë, disponimi ishte i pashpresë, gjersa shqiptarët etnikë mospërfillës të intervistuar në Pristhinë kanë thënë se dëshironin përfshirje më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Serbët kanë bllokuar rrugët në Kosovën veriore në shenjë proteste për përpjekjet e Prishtinës për të zbarkuar zyrtarë shqiptarë në dy vendkalimet kufitare. Beogradi dhe Serbët e Kosovës, të cilët përbëjnë shumicë në veri të Kosovës por pakicë në përgjithësi, kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, të udhëhequr nga administrata me shumicë shqiptare.

Një polic shqiptar është vrarë gjatë konfrontimit në postbllokun në Jarinje në korrik. Që atëherë, Beogradi dhe Prishtina kanë pasur diskutime të ashpra lidhur me lëvizjen e mallrave dhe zbarkimin e doganierëve në kufi.

Zyrtarët e BE-së po mundohen të ndërmjetësojnë në krizë, gjersa paqeruajtësit e NATO-s patrullojnë në pikat problematike të territorit.

Lodhje dhe dhembshuri

Gazetarët e Belgrade Insight kanë kryer një sondazh duke pyetur njerëzit e thjeshtë në tri qytete mbi ndikimin e krizës në jetët e tyre.

Në radhët e qytetarëve të Mitrovicës dhe Prishtinës kishte një ndjenjë të përbashkët se kontesti kufitar kishte sjellë konfliktin e stërzgjatur në pikë kthimi.

Kjo ishte krejtësisht ndryshe nga mendimet e disa personave në Beograd, kryesisht serbë të rinj, të cilët mendonin se kriza ekonomike në vend ishte shqetësim më i madh për ta sesa kriza politike në Kosovë.

“Të rinjtë nuk e çajnë kokën për Kosovën, ata jetojnë jetët e tyre,” tha Marko Ivanovic, ekonomist në të tridhjetat. “Personat në moshë mesatare shqetësohen për faturat…. pensionistët për ilaçet. Njerëzit kanë telashe tjera të përditshme.”

“Çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën është në kontroll të bashkësisë ndërkombëtare dhe shteteve të fuqishme, nuk ia vlen të mërzitemi për asgjë,” tha ai.

Gjersa banorët e Beogradit përgjithësisht kanë thënë se kanë ndjerë dhembshuri me serbët e Kosovës, shumë të tjerë kanë thënë se ka ardhur koha për të vazhduar tutje.

Milutin Babic, kimist në fund të njëzetave, tha se ky territor më nuk është i rëndësishëm prej se është ndarë praktikisht nga Serbia.

“Të jem i sinqertë, nuk ndjej asgjë. Vetëm shpresoj që situata të mos përshkallëzohet… mirëpo e di se kjo çështje nuk do të shndërrohet në luftë,” tha ai. “Unë shpresoj se do të gjendet një zgjidhje për këta njerëz që jetojnë atje, por kur flasim për Kosovën në përgjithësi dhe kontrollet në vendkalime kufitare, mendoj – a është vërtetë kjo aq e rëndësishme?”

Sanja Simic, studente 19 vjeçe, tha se ishte “paksa e bezdisur”me këtë situatë.

“Tensionet mbi [kufirin] janë të panevojshme, sikurse çdo diskutim tjetër për Kosovën. Këta njerëz po rrezikojnë jetët e tyre për diçka që tanimë është humbur,” tha ajo.

“Ka të tjerë në Beograd që do të shkonin atje për të luftuar … por për shumicën e njerëzve, kjo histori është bërë abstrakte.

“Ata mund të zemërohen gjersa i shikojnë lajmet, por sapo ta kenë fikur televizionin, kanë probleme tjera në krye.”

Tanja Trlajic, afariste në të dyzetat, tha se ndjehej “keq dhe e frikësuar” për serbët në pjesën veriore të Kosovës, por ishte në pamundësi për t’i ndihmuar.

“Realiteti është se kemi humbur kontroll mbi Kosovën dhe se krejt çka vlen tani janë njerëzit,” tha ajo.

Për banorët tjerë të Beogradit, megjithatë, kriza ka arritur në pikë kritike. Djordje Stevovic, një inxhinier në të pesëdhjetat, tha se është rrezik të ndjehemi të vetëkënaqur.

“Telashet në Kosovë mund të shpërndahen lehtë në Serbi,” tha ai. “Disa njerëz dinë vetëm të punojnë dhe të paguajnë fatura.

Por ata nuk mund ta dinë se e tëra që ndodh në Kosovë përfundimisht prek edhe faturat e tyre të energjisë elektrike.”

Ana Stipcic, pensioniste nga Beogradi në të shtatëdhjetat, tha se të moshuarit janë më të prekur nga vuajtjet e serbëve në enklava.

“Ndryshe nga rinia të cilët nuk dinë asgjë për Kosovën, ne shqetësohemi për këta njerëz, sepse e dimë si është të jesh i izoluar,” tha ajo.

‘Sovraniteti në rrezik’

Të rinjtë serbë në Mitrovicë, të intervistuar me telefon nga Beogradi, folën për një ndjenjë të shtetrrethimit. Ata thanë se postblloqet e ngritura sinjalizuan se ata nuk do të tolerojnë më cenime nga ana e administratës shqiptare.

“Natyrisht këto barrikada i dëmtojnë serbët, por nuk kemi zgjidhje tjetër,” tha Marko Vucicevic, student në të njëzetat. “Kjo është punë e madhe. Ata [autoritetet në Prishtinë] po fillojnë të na burgosin.”

Banorët shqiptarë të intervistuar në Prishtinë pajtohen njëzëri se kriza aktuale ka shënuar një moment kritik për synimet e Kosovës për të konfirmuar sovranitetin e saj.

“Nuk mund ta zhvillojmë ekonominë tonë apo çfarëdo tjetër nëse nuk e zgjidhim çështjen e kufirit,” tha Bleta Berisha, 46 vjeçe, mësimdhënëse në shkollë fillore.

Adrian Blakaj, student në të njëzetat, tha se situata e stagnuar me serbët ishte “çështje e madhe që kishte shkelur sovranitetin e Kosovës”.

Megjithatë, disa në Prishtinë kanë thënë, gjithashtu, se shtypi vendor nuk duhet të futet thellë në krizën e kufirit në dëm të problemeve afatgjate.

“Mediat janë më të përqendruara në politikë sesa në temat tjera këtu,” tha Selvete Krasniqi, shitëse në të dyzetat. “Por unë mendoj se edhe çështjet tjera kanë nevojë për vëmendje,” shtoi ajo, duke përmendur papunësinë e madhe dhe kujdesin e dobët shëndetësor si shembuj.

Disa banorë të Prishtinës mendonin se kishte ardhur koha që organet ndërkombëtare t’i respektojnë obligimet e tyre ndaj Kosovës, e cila është njohur si e pavarur nga shumica e shteteve anëtare.

“Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare ka komplikuar situatën,” tha Enver Maxhuni, jurist në të dyzetat. “Nuk është e interesuar në zgjidhjen e problemit; dëshiron ta zgjasë atë në pafundësi.”

ETIKETA

29 Shtator 2011 - 17:37

Gordana Andric dhe Zana Govori 29/09/2011 - 17:37
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Emocionalë për situatën e stagnuar

by Gazeta JNK
NA NDIQNI