Qeveria Haradinaj në njërën nga mbledhjet | Foto: ZKM

Emërimet e Kundërligjshme në Bordin e ‘Ibër Lepencit’

Qeveria e Kosovës të premten e kaluar e plotësoi bordin e drejtorëve të ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci”, me dy anëtarë të rinj.

Qeveria Haradinaj zgjodhi dy njerëz për drejtorë të bordit që kanë qenë në listën e pritjes në konkursin e vitit 2015, bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Por, qeveria aktuale emëroi dy kandidatë që janë të afërt me partnerin e koalicionit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Muharrem Xhemajli dhe Liridon Zogjani janë dy anëtarët më të rijnë të bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci”.

Muharrem Xhemjali është paraardhësi i Hysni Gucatit në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së. Ai në dy palë zgjedhje ka qenë kandidat për deputet nga radhët e PDK-së.

Xhemajli kishte provuar fillimisht në vitin 2014. Kishte marrë 6 mijë e 385 vota që ishin të pamjaftueshme për t’u bërë deputet.

Në zgjedhjet e fundit qendrore, Xhemajli ishte pjesë e listës së koalicionit PAN-it, si kandidat i PDK-së. I renditur i 105-ti në listë, Xhemajli nuk kishte arritur të hynte në Kuvendin e Kosovës. Ai kishte marrë 5 mijë e 474 vota. Koalicioni PDK-AAK-NISMA (PAN) e ka formuar qeverinë e Kosovës falë koalicionit me AKR-në.

Edhe pse në dy palë zgjedhje kishte marrë mbi 5 mijë vota dhe nuk arritur të hyjë në Kuvend, në 2018 atij i kanë mjaftuar vetëm 24 vota të kabinetit qeveritar që të bëhet anëtar i bordit të drejtorëve të ndërmarrjes ‘Ibër Lepenci’.

Sipas vendimit të Qeverisë të datës 12 janar, Muharrem Xhemajli do të zëvendësojë ish anëtarin e bordit të drejtorëve, tani deputetin e PAN-it, Mërgim Lushtakun. Lushtaku më herët kishte qenë njëri nga 6 anëtarët e bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrje publike qendrore.

“Ndryshohet dhe plotësohet nënpika 1.4 e vendimit nr. 07/49 të datës 16.09.2015, si në vijim: 1.4 Muharrem Xhemjali; Pas nënpikës 1.5 të vendimit nr. 07/49 të datës 16.09.2015, shtohet nënpika 1.6, si në vijim; 1.6 Liridon Zogiani”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Emërimi i Xhemajlit në bordin e Ndërmarrjes Publike ‘Ibër Lepenci’ është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Ligji për ndërmarrjet Publike thotë që të gjithë drejtorët duhet të jenë të pavarur.

“Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Sqarime shtesë janë dhënë në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) që ia ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës, në atë kohë ish kryeministrit Isa Mustafa, pas nisjes së hetimeve për emërimet e drejtorëve në disa Ndërmarrje Publike. Ky opinion është marrë si bazë nga kryeministri Haradinaj për shkarkimin e 10 anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike vitin e kaluar.

Në këtë opinion, AKK citon nenin 17, duke dhënë qartësim për të. Sipas AKK-së, ‘i emëruar politik’ nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.

Sipas AKK-së, “zyrtar i zgjedhur publik” – nënkupton individin i cili ushtron një post publik, të cilin e ka fituar përmes zgjedhjeve.

“I emëruar politik – nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur”, thuhet në opinionin e AKK-së.

E Xhemajli ka qenë dy herë kandidat i PDK-së për deputet, në 2014 dhe në 2017.

Mirëpo Xhemajli në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se asnjëherë s’ka qenë anëtar i PDK-së dhe se s’ka pasur pozitë udhëheqëse brenda partisë.

“Nuk jam kanë asnjëherë pozicion udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës, e as anëtar me letra nuk jam, kam qenë kandidat për deputet, por asnjëherë s’kam qenë në struktura të partisë”, tha Xhemajli për Gazetën JnK.

Xhemajli tregon se për këtë pozitë ka aplikuar kohë më parë dhe se ende s’ka informacion zyrtar për emërimin e tij.

“Unë nuk kam ndonjë informacion, veç çka kam pa në media, kurrgjë zyrtare s’kam. Unë para dy viteve kam apliku, atëherë s’më kanë marrë, i kanë marrë do tjerë që kanë qenë me renditje më poshtë”, tha Xhemajli për Gazetën Jeta në Kosovë.

Edhe drejtori tjetër i emëruar, Liridon Zogjani është i ‘afërt’ me PDK-në. Në zgjedhjet e fundit lokale, babai i tij Adem Zogjani ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga radhët e PDK-së.

I kontaktuar nga Gazeta JnK, Adem Zogjani thotë se nuk ka ndikuar përmes PDK-së.

“Asnjë intervencë, as kurrkujt s’i kam thanë as asgjë. E kanë zgjedhur ata, e ka notën mesatare afër 10, është i përgatitun, ka qenë në radhë, tash i ka ardhur radha. As që e kemi ditë, prej mjeteve të informimit e kemi marrë vesh”, tha Zogjani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka siguruar listën e 15 kandidatëve më të mirë pas intervistave të bërë në vitin 2015, në kohën e qeverisë Mustafa, për bordin e Ibër Lepencit. Qeveria Mustafa i kishte përzgjedhur vetëm pesë nga pesëmbëdhjetë anëtarët e rekomanduar. Përzgjedhjen e kishte bërë bazuar në ndikimin politik të kandidatëve dhe jo bazuar në poentimin e tyre, pasi ishin përzgjedhur kandidatë me më pak pikë të grumbulluara.

Mërgim Lushtaku që ishte emëruar kandidat në 2015, ka qenë i 14-ti në listë, ndërsa njëri nga kandidatët, Ejup Visoka që kishte qenë i treti në listë nuk është emëruar në këtë pozitë.

Liridon Zogjani në atë kohë ka qenë i nënti në listë dhe i vetmi që ka hyrë në listë e që ka qenë poshtë tij me pikë ishte Mërgim Lushtaku.

Njëri nga anëtarët e tjerë, që është emëruar në 2015 dhe vazhdon të jetë ende drejtor, Imer Hamiti ka qenë i teti në listë dhe ka arrit të hyjë para Ejup Visokës, Mehdi Jonuzit, Mehmet Ballazhit dhe anëtarit më të ri, Muharrem Xhemjalit i cili ka qenë i pesti në listë në atë kohë. Të gjithë këta kanë pasur më shumë pikë pas intervistës me gojë se sa drejtori i tanishëm, Imer Hamiti.

Përvec të kaluarës politike, këto emërime bien ndesh me Ligjin për Ndërmarrjet Publike edhe sa i përket kërkesës që një nga anëtarët e bordit të jetë nga minoritetet dhe që gjysma e të emëruarave duhet të jenë gra.

Pas plotësim-ndryshimit të ligjit për ndërmarrje publike në vitin 2015, pika 4 e nenit 17 thotë se përbërja e bordeve duhet të jetë në harmoni me ligjin për barazi gjinore.

“Përbërja e Bordeve të drejtorëve të NP-së duhet te jetë në harmoni me Ligjin për barazi gjinore”, thuhet në ligj.

Pika 8 e nenit 6 të Ligjit për Barazi Gjinore thotë që përfaqësimi gjinorë arrihet kur përfaqësimi arrin 50% për secilën gjini.

“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”, thuhet në Ligjin për Barazi Gjinore.

Në këtë rast kur me emërimin e dy anëtarëve të rinj, numri i anëtarëve të bordit arrin në 7 dhe anëtare e bordit është vetëm një grua, Albiona Maloku, atëherë përfaqësimi është vetëm 14% apo 1 nga 7 anëtarët dhe jo 50% si kërkohet me ligjin për barazi gjinore.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se njëri nga të emëruarit kishte qenë pjesë e partisë NISMA për Kosovën. Në këtë bord kishte pasur edhe persona që nëpër rrjetet sociale kishin bërë fushatë për PDK-në.

Bordi i Kundërligjshëm i KEK-ut