Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Elektroenergjetika, me Perspektivë por S'ka Profesorë dhe Programe të Akredituara

Sektori i energjisë po konsiderohet sektori më premtues për të ardhmen por në anën tjetër në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) është mbyllur programi i Elektroenergjetikës në nivelin master dhe doktoraturë, si rezultat i mungesës së profesorëve dhe asistentëve.

Çështja e mbylljes së programit të Elektroenergjetikës u ngrit gjatë Forumit të 3-të të Energjisë që u mbajt në Prishtinë me ç’rast ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka u shpreh se nuk ishte në dijeni për këtë.

“Nuk jam në dijeni. Nëse kjo është e vërtetë është shqetësuese. Nga tash do ta ketë vëmendjen time. Duhet të bëjmë një analizë se pse ka ardhë deri te kjo. Do të ishte gabim që drejtime të tilla të mbyllen. Do ta shqyrtoj me seriozitet në takim me rektorin”, ishte përgjigja e ministrit Lluka kundrejt këtij shqetësimi të ngritur në Forumin e 3-të Energjisë.

Në vitin akademik 2017 – 2018 në nivelin bachelor, në Departamentin e Elektroenergjetikës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike janë regjistruar 75 studentë. Në nivelin master nuk është regjistruar asnjë student sikurse edhe në nivelin doktoratës.

Profesorë të pensionuar e të pazëvendësuar

Programi i nivelit master dhe i nivelit të doktoratës në Elektroenergjetikë, sipas vendimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, është pezulluar për shkak të mungesës së stafit akademik.

Sipas njërit prej kritereve mbi Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë për secilin program të studimit duhet të ketë të paktën tre anëtarë të stafit akademik në marrëdhënie të rregullt të punës me gradën shkencore doktor shkence.

“Në rend të parë si pasojë e mungesës së kandidatëve me kredencialet e domosdoshme shkencore dhe akademike, por edhe i mungesës së vullnetit të tyre për të vazhduar me karrierë akademike”, ka thënë për KALLXO.com, Enver Hamiti, dekan i FIEK-ut.

FIEK ka qenë i akredituar në katër programe të studimeve në nivel të doktoratës, nga viti 2013 deri në vitin 2016. Në ndërkohë, janë pensionuar 8 anëtarë të stafit akademik, të cilët nuk janë zëvendësuar me të rinj. Edhe në fund të këtij viti pritet të pensionohen edhe dy profesorë të tjerë.

“Duhet theksuar që për shkak të zhvillimeve në UP, në periudhën 2013-2016, nuk është lejuar të hapet asnjëherë konkursi për programin e Elektroenergjetikës dhe vetëm një herë për tri tjerat”, ka thënë Hamiti.

Sipas rregullave të akreditimit, për nivelin bachelor Universiteti duhet të sigurojë 3 profesorë, për nivelin master 2 profesorë dhe për nivelin e doktoraturës 2 profesorë.

Akreditimin e fundit për nivelin  e doktoratës në programin e studimeve në Elektroenergjetikë e kanë pasur në vitin 2013 për periudhën trivjeçare, deri në vitin 2016.

“Por edhe pse e kemi pasur të akredituar programin e studimeve nuk kemi mundur asnjëherë të shpallim konkurs për regjistrimin e studentëve në studime të doktoratës, pasi kjo është kompetencë e Senatit të UP”, ka thënë dekani i FIEK-ut, Enver Hamiti për KALLXO.com.

Interesim i vogël nga nxënësit për Elektroenergjetikë

Në Departamentin e Elektroenergjetikës në vitin akademik 2017-2018 në nivelin bachelor nga muaji tetor i vitit 2017 deri në mars të vitit 2018 kanë diplomuar 20 studentë. Në nivelin master kanë diplomuar  8 studentë kurse në nivelin e studimeve të doktoratës asnjë student.

Numri i studentëve të regjistruar në programin Elektroenergjetikë në nivelin bachelor: Viti akademik 2013-14  -97 studentë, viti akademik 2014-15 – 140, viti akademik 2015-16 – 121 studentë dhe viti akademik 2016-17 – 90 studentë.

Por sipas dekanit të FIEK-ut, Enver Hamiti, drejtimi i Elektroenergjetikës asnjëherë nuk ka pasur rrezik për mbyllje për shkak të interesimit të numrit të vogël të studentëve.

Numri i studentëve të regjistruar në programin Elektroenergjetikë në nivelin master:  Viti akademik 2013-14 – 43 studentë, viti akademik 2014-15 – 26 studentë, viti akademik 2015-16 – 30 studentë dhe viti akademik 2016-17 – 26 studentë.

Enver Hamiti është shprehur se interesimi i studentëve për programin e studimeve të Elektroenergjetikës vitet e fundit ka filluar të rritet, por nuk ka arritur  në nivelin të cilin e dëshirojnë.

“Interesimi për studime në këtë program të studimeve pas vitit 1999 ka rënë në masë të madhe, pasi që interesimi i të rinjve ka qenë i orientuar në programet e tjera të studimeve të cilat ofrohen në FIEK”, ka thënë Hamiti.

Sipas dekanit Hamiti, numri i studentëve që aplikojnë në konkurs, gati çdo herë është më i vogël ose në disa vite i barabartë me numrin e studentëve që janë kërkuar me konkurs për atë vit akademik.

“Numri maksimal i të interesuarve asnjëherë nuk e ka kaluar shumë numrin e studentëve të cilët i kemi kërkuar. Numri maksimal i të interesuarve ka qenë në vitin akademik 2014-15”, ka theksuar Hamiti.

Njëra ndër arsyet e numrit të vogël të të interesuarve për Elektroenergjetikë sipas dekanit Enver Hamiti është edhe informimi jo i mjaftueshëm i tyre për këtë drejtim.

Deri tani është organizuar informimi i nxënësve gjatë kohës sa ka zgjatur konkursi për regjistrim të studentëve të rinj. Por sipas dekanit është vërejtur që kjo mënyrë e informimit nuk është e mjaftueshme dhe duhet të fillohet me informim sa ma herët.

“Andaj, për këtë vit akademik kemi filluar përgatitjet në këtë drejtim dhe planifikojmë që gjatë muajit prill do të fillojmë me prezantimet e programeve tona të studimet në shkollat e mesme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hamiti.

Bursa për studentët që zgjedhin Elektroenergjetikën

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka e ka mbajtur premtimin dhe ka vizituar Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” pas shqetësimit të ngritur në Forumin e 3-të të Energjisë.

Ministri Lluka është takuar me dekanin e FIEK-ut, Enver Hamiti, me ç’rast ka ofruar mbështetje për studentët të këtij fakulteti, pasi që sektori i energjisë në Kosovë po shkon drejt një zhvillimi të hovshëm.

Ai ka thënë se janë duke filluar shumë projekte në fushën e energjetikës, siç janë termocentrali ‘Kosova e Re’, efiçienca e energjisë, burimet e ripërtëritshme dhe shumë të tjera në këtë sektor.

“Unë jam i sigurt, që për 20 vitet e ardhshme, energjia është sektori më premtues për vende të punës, të cilat, jo vetëm që janë stabile, por edhe janë të paguara shumë më mirë se mesatarja që ofron Kosova”, ka theksuar Lluka në postimin e tij.

Ministri Lluka, po ashtu ka shkruar se kuadrot që dalin nga fakulteti i Elektroenergjetikës i kontribuojnë të ardhmes së vendit, duke shtuar se fushat që ata studiojnë do t’i ndihmojnë sektorit të energjisë me kapacitetin që ata do të ofrojnë në të ardhmen.

Lluka ka thënë se për momentin nuk ka ndonjë zgjidhje për mungesën e profesorëve por ai ka ofruar një zgjidhje që të ketë interesim më të madh nga nxënësit për t’u regjistruar në drejtimin e Elektroenergjetikës.

“Përderisa nuk kam ndonjë zgjidhje të shpejtë për rritjen e numrit të profesorëve, përveç rekrutimit nga shtetet e huaja, për studentët nga ana tjetër, në mënyrë që të rrisim interesimin, kam filluar të shikoj mundësitë për të siguruar 40 bursa për të mbuluar shpenzimet e jetesës në Prishtinë gjatë 3 viteve të studimit, duke shpresuar që kjo do të ndikojë pozitivisht”, ka thënë ministri Lluka.

Ai ka theksuar se është e papranueshme që të vijmë në një situatë ku Kosova duhet të importojë fuqi punëtore të kësaj fushe për të mbuluar nevojat.

Gjatë takimit të përbashkët me dekanin e FIEK-ut janë pajtuar që gjatë kohës së përgatitjes së planprogramit mësimor të koordinohen së bashku.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të angazhojë ekspertë të huaj dhe vendorë për të inkuadruar në program të gjitha nevojat e industrisë, sipas strategjisë për energji 2017 – 2026 që sapo është aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Studentë, nëse dëshironi një të ardhme të sigurtë dhe stabile, konsideroni këtë drejtim pasi që nevojat për këtë profesion do të jenë përtej imagjinatës. Nëse filloni sivjet, deri në momentin e diplomimit do të jenë në dispozicion mbi 1500 vende të punës në këtë fushë”, u ka bërë thirrje ministri Lluka nxënësve dhe studentëve përmes postimit të tij.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka shkruar edhe vendet e punës që do të hapen në të ardhmen në fushën e energjisë.

“Kosova e Re: 500, energjia e ripërtrishme: 700, efiçienca e energjisë: 300”, ka shkruar Lluka.

Në fillim të muajit mars janë ndarë 47 certifikata për studentët e Universitetit të Prishtinës të cilët kanë përfunduar praktikën profesionale për gjashtë muaj  në sektorin energjetik.

Programi ‘Repaower’ i cili ka filluar që nga viti 2015, është mbështetur nga USAID, ndërsa u ka mundësuar studentëve të përfundojnë praktikën gjashtëmujore në KOSTT, KEK dhe ZRrE.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie gjatë Forumit të 3-të për energji u tregua optimist për të rinjtë e Kosovës duke thënë se ata janë e ardhmja e energjisë së Kosovës.

“Para disa jave u takova një grup të praktikantëve me shumë energji, derisa fola me ta u sigurova që sektori i energjisë do t’i kaloj këto sfida. Këta janë e ardhmja e Kosovës. Ka ende punë por ju lavdëroj për atë që e keni arritur”, përfundoi Delawie.