Ekspresi otoman

E kuptova se qëndrimi në stacionin e autobusëve në Prizren i ngjante udhëtimit në Turqi, edhe nëse nuk planifikoni të largoheni nga Kosova fare.

Ekspres Prizren-Stamboll është një linjë që e lidh Kosovën drejtpërdrejt – dhe pothuajse pa ndalje – me historinë e saj osmane. Më është dukë shumë romantike që mundesh me hyp në autobus në Kosovën e rëndomtë, në orën 14 një ditë, dhe me të zgjohesh të nesërmen në orën 6 mëngjes në udhëkryqin e Europës dhe Azisë. Ndjeja që me po vjen era e melmesave në ajër, pazareve në treg, papuçeve jo praktike… ëndrra e orientalistit.

NDËRLIDHUR

Prandaj me kremtue ditëlindjen kam udhëtue prej Prizrenit deri në kryeqytetin e Turqisë së imagjinatës – porta e Azisë, shtëpia e  Sulltanahmetit, te vendi ku kupolat e larta të Aja Sofisë dhe Xhamisë së Kaltër qëndrojnë njëra përballë tjetrës si sumo-mundës antikë.

Nuk ishte vizita ime e parë – kam vizitue Stambollin për herë të parë para 12 viteve, dhe mbas asaj jam kthye dy herë. Mirëpo, si të gjitha aventurat e bukura, ky udhëtim do të më kthente në një vend që e kisha të njohur, por të cilin pothuajse po e shihja për herë të parë. Ç’është e vërteta, si të gjitha aventurat e mira, ky udhëtim më bëri të kuptoj më mirë jo vetëm destinacionin, por edhe pikënisjen e tij.

E kuptova se qëndrimi në stacionin e autobusëve në Prizren i ngjante udhëtimit në Turqi, edhe nëse nuk planifikoni të largoheni nga Kosova fare. Në Prizren, gjuha turke flitet mjaft shumë (shpesh edhe në shtëpitë e atyre që konsiderojnë veten shqiptarë), ndërsa që edhe shenjat e rrugëve janë në tri gjuhë. Kjo na rikujton se ky qytet është vendi i tretë në botë, pas Turqisë dhe Qipros, ku gjuha turke është gjuhë zyrtare. Ky fakt harrohet nga shumë prej atyre që veprojnë me seli në Prishtinë, siç ishte një projekt i BE-së që kishte organizuar një konferencë në të cilën unë mora pjesë përkrah turk-folësve nga Mamusha dhe Prizreni. Atyre nuk iu ofrua përkthyesi në turqisht me pretekstin se e dinin edhe shqipen, gjë që madje doli të mos jetë fare e vërtetë. Turqit u larguan nga konferenca që në pushimin e parë të kafesë..

Tue pritë autobusin për Stamboll menjëherë jam bërë ma e vetëdijshme për ndikimet e Turqisë që janë pjesë e jetës së përditshme kudo në Kosovë. Tu këqyrë produktet në një minimarket, i vërejta sa mall ka të importuar prej Turqisë – çajëra, bylmet, ëmbëlsira, keks. Vërejta ndikimet e fejës gjithashtu të importuar nga osmanët, dëshmuar në xhami dhe shami, por edhe ndikimet më të rëndomta, siç është adet me u dathë para se me hy në një shpi. Ndigjova fjalorin e njerëzve rreth meje – jo vetëm ata që ishin tu fol gjuhën turke, por fjalët që tash janë adoptue edhe në gjuhën shqipe edhe në gjuhen serbe – jorgan, jastëk, fistik, burek, hajde, javash, hiç, tamam, boll, patlixhan, alti, myshteri, mysafir.

Tue mendue për këtë histori, kur erdh autobusi, supozova që isha në rrugë për turizëm që lidhet me trashëgimi. Mezi kam pritë të baj pazar në një shitore të qilimave, që diçka do të ndodhë me një dhi…

Mirëpo autobusi ka qenë kulmi i modernitetit; me një ekran televiziv me një varg kanalesh në çdo ulëse, ishte i pastër, rahat (siç thonë turqit) dhe me kohë. Dhe kur, mbas një udhëtimi të këndshëm 16-orësh, kemi hy në Stamboll, e pashë që po ndryshon qyteti, edhe prej kohës së vizitës sime para një viti. Pazari i Madh tani është ma shumë si Albi Mall. Çmimet janë rritë, dhe zakonisht janë fikse, pra orët me radhe tu ba Pazar dhe prijes së çajit të mollës me gota të vogla, që kam si kujtim të çmuar prej vizitave të mëparshme, janë shndërrue në bisedë (muhabet!) të shpejt dhe efikas.

Megjithatë kemi kalue një fundjavë të këndshme – në një metropol të bukur dhe të gjallë. Kam ble çizme të mrekullueshme, kam hangër ushqim të shijshëm; Stambolli ende është njëri prej qyteteve të mia të preferuara, por nuk ka kuptim m’e dashtë për diçka që nuk është ma.

Për arsye praktike, jemi kthye me avion (po më cilësoni si frikacak?) dhe avioni  ka ateru në aeroportin e Prishtinës që ka turq si pronar. Mirëseardhje na dëshirohej nga një mur që promovonte monumentet turistike të Kosovës – hamamin dhe xhamitë, Urën e Terzive, sahatkullën – të gjitha trashëgimi otomane (shumë më pak hapësirë në mur u ishte siguruar kullave shqiptare të Dukagjinit, ose manastireve ortodokse serbe). Më vonë, gjatë leximit të programit të një agjencie turistike britanike, që është një nga agjencitë e rralla që ka vizita të organizuara në Kosovë, pashë se ata organizonin një vizitë turistike të ‘ndërtesave otomane të ruajtura mrekullisht’ në Prizren, ‘monumenteve otomane’ në Pejë; ‘qyteteve të vjetra otomane në Gjakovë dhe Prishtinë’, të cilat ‘si pjesë e ish-Perandorisë Otomane’ përshkruheshin si ‘lokacione ku gjenden disa ndërtesa të shkëlqyeshme të Turqisë së vjetër’.

Si duket, ata që duan me ‘paketue’ Kosovën për turistë janë të vendosur me vazhdue këtu përshkrimet e bukurive orientale të Stambollit që kanë lanë anash kohët e fundit. Kuptohet (‘ashiqare’…), orientalizmi ka qenë një strategji shumë i suksesshëm për ekonominë e Stambollit për shumë shekuj, dhe ekonomia e Kosovës ka nevojë për shtytje; por unë megjithatë shpresoja se në vend do të ketë edhe zhvillime më moderne, siç ishin televizorët në ulëse që i përmenda më parë.

Elizabeth Gowing është bashkëthemeluesja e The Ideas Partnership, një OJQ kosovar që shfrytëzon fuqinë e vullnetarëve me luftue sfida në edukim, trashëgimi kulturor dhe mjedis. Gjithashtu është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo (Signal Books, 2011) dhe Edith and I; on the trail of an Edwardian traveler in Kosovo (2013) – www.edith-and-i.com – për Edith Durham. Mund të kontaktohet në [email protected]

07 Janar 2014 - 15:08

Elizabeth Gowing 07/01/2014 - 15:08
NDËRVEPRIMI0