Ekipi i 90-tave Kthehet në Qeverinë Serbe

Pas 50 ditë të bisedimeve mes të gjithë akterëve, partia që dikur udhëhiqej nga Sllobodan Milloseviqi ka formuar qeveri të re me Partinë Progresive Serbe si partnerin e saj kryesor, përderisa demokratët kanë dalë në opozitë.

Presidenti Tomisllav Nikoliq, që deri vonë drejtoi radikalët e Serbisë dhe ishte zëvendës i Vojisllav Sheshelit, ia dha mandatin liderit socialist Ivica Daqiq për të formuar një qeveri më 28 qershor.

Bisedimet u koncentruan rreth mbrojtjes së interesave të Serbisë duke vazhduar lëvizjen drejt BE-së, përmirësimin e standardit të jetesës dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.

“Në lidhje me këto qëllime të përbashkëta, unë e pranoj përgjegjësinë për të udhëhequr qeverinë e re. Nuk do të ketë kthim në vitet nëntëdhjetë. Unë nuk jam i interesuar për “Serbi të madhe, por më shumë në të tashmen dhe të ardhmen e shtetit”, Daqiq tha më 28 qershor, duke shtuar se ai do të flasë edhe me parti tjera për t’i futur në qeveri.

Daqiq pritet të jetë Kryeministri i një qeverie të përbërë nga progresivët, socialistët dhe Rajonet e Bashkuara të Serbisë.

Përbërja e qeverisë së re shihet si déjà vu për shumëkë pasi socialistët dhe progresivët, në formën e Partisë së dikurshme Radikale, qeverisnin së bashku nën Sllobodan Millosheviqin gjatë viteve ‘90të.

Opinioni është i ndarë në atë se sa kanë ndryshuar këto dy parti dhe madje edhe se sa do të zgjas qeveria e tyre.

Që nga viti 2006, Daqiqi filloi të drejtojë Partinë Socialiste, u distancua nga periudha e Millosheviqit kur ishte edhe vetë zëdhënës i partisë dhe mbështeti integrimet europiane.

Partia Progresive u formua më 2008 në kohën kur lideri radikal Vojisllav Sheshel po gjykohej në Hagë për krime lufte. Partia ka moderuar imazhin nacionalist, ka mbështetur integrimin në BE dhe i ishte mbështetur demokratëve në profil.

Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi thotë se Serbia nuk mund të jetë e bindur se çfarë duhet të presë nga ekipi i ri i vjetër.

“Fitorja e Nikoliqit në zgjedhjet presidenciale na befasoi, por ky është realiteti ynë dhe kjo qeveri është produkt natyror i atij realiteti”, tha Biserko.

“Këta janë njerëzit e njëjtë që qeverisën Serbinë gjatë viteve nëntëdhjeta dhe tash janë kthyer”.

“Pres që socialistët ta dominojnë qeverinë, pasi progresivët nuk kanë njerëz kompetentë për ta drejtuar shtetin. Por nuk e dimë çfarë të presim prej tyre. E dimë çfarë kanë bërë në të kaluarën, por nuk e dimë se çfarë duan tash”, tha Biserko.

Miljenko Dereta, drejtuesi i ojq-së Iniciativat Civile, beson se qeveria e re nuk do të zgjas shumë, por se mund ta ngufasë procesin e integrimit të Serbisë në BE.

“Kjo do të jetë një qeveri me jetë të shkurtër dhe që nuk do të merret me asnjë prej temave të rëndësishme”, tha Dereta. “Mendoj se qëllimi i saj kryesor do të jetë dobësimi i Partisë Demokratike”.

Bosko Jaksic, ekspert për politikë të jashtme, parasheh që qeveria të fokusohet në atë që partitë e kanë premtuar – vazhdimin e lëvizjes drejt BE-së dhe shtyrjen e bisedimeve me Kosovën në nivel më të lartë.

Dejan Vuk Stankovic, analist politik, dyshon se do të ketë ndonjë ndryshim të madh me qeverinë e re.

“Vitet e fundit kanë treguar se nuk ka dallime të mëdha ideologjike mes partive në Serbi”, tha ai. “Kjo qeveri do të mbajë kursin e njëjtë. Mund të ketë një përafrim me Rusinë, por jo radikal”.