Edhe Shqipëria i Zgjat Dorën Dokufestit (TV)

Festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër Dokufest që mbahet në Prizren, do t’i shtohet edhe një mbështetje financiare, kësaj radhe nga qeveria e Shqipërisë.

Kjo mbështetje është bërë zyrtare me nënshkrimin e propozimit të shtunën e kaluar kur u takuan qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë në takimin e përbashkët në Prizren.

Drejtori ekzekutiv i Dokufestit, Eroll Bilibani, tha se janë të gëzuar për lajmin se do të ndihmohen nga qeveria shqiptare dhe se kryeministri Rama po e mban fjalën që kishte dhënë gjatë vizitës së tij në edicionin e fundit të Dokufestit.
 
“Na vjen mirë që ato fjalë që i përmendi kryeministri i Shqipërisë në Dokufest, në takimin e tyre të parë me kryeministrin Thaçi, ku thanë që nga viti i ardhshëm edhe qeveria e Shqipërisë do ta financojë Dokufestin. Tash kjo kaloi në një dokument. Unë me sa pashë nga mediat kjo ishte si propozim për bashkëfinancim dhe tash si do të shkojë tutje nuk e dimë. Nuk kemi marrë ndonjë informatë zyrtare”, tha Bilibani.

Edicioni i kaluar i Dokufestit është ndihmuar nga qeveria e Kosovës me 40 mijë euro, ndërsa edhe këtë vit pritet që të financohet festivali tanimë i njohur ndërkombëtarisht.

“Ne tashmë e kemi të hapur konkursin për mbështetjen e projekteve kulturore-artistike dhe po besojmë se Dokufesti do ta përcjellë këtë konkurs, sepse gjithmonë e kanë përcjellë dhe gjithmonë kanë aplikuar në konkurset që i ka hapur Ministria e Kulturës, kështu që me siguri se do ta ketë mbështetjen si projekt”, tha Jehona Shyti, zëdhënëse në Ministrinë e Kulturës së Kosovës.

Megjithatë, të dy qeveritë janë deklaruar më herët se detajet e kësaj ndihme do të përcaktohen në takimet e ardhshme.

Sipas Bilibanit, Dokufesti në vitin e kaluar ka pasur në dispozicion 250 mijë euro me të cilat ka mbuluar të gjitha shpenzimet.

Në mbledhjen e parë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë janë shqyrtuar 13 pika për bashkëpunim.

Nga këto 13 pika të bëra publike nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës tri u janë kushtuar aktiviteteve kulturore.

Përveç propozimit për bashkëfinancim të Dokufestit, pikë e veçantë e këtij takimi ka qenë edhe marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor dhe propozimi për heqjen e taksës së TVSH-së, apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria