Kryeministri Isa Mustafa dhe ministri Imet Rrahmani - Foto: ZKM

Edhe Reja e Dytë e Isa Mustafës Punësohet në Qeveri

Reja e kryeministrit në detyrë, Isa Mustafa, është punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Njomza Mustafa është punësuar si zyrtare e personelit në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë.

NDËRLIDHUR

Njomza Mustafa është gruaja e Arbenit, djalit të i dytë të kryeministrit Mustafa. Ministër në Ministrinë e Shëndetësisë është Imet Rrahmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që udhëhiqet nga Isa Mustafa.

Në fillim të vitit 2016, në një projekt të BE-së dhe Ministrisë së Punës ishte angazhuar Edita Bajrami, e cila është gruaja e Besnik Mustafës, djalit tjetër të kryeministrit Mustafa.

Punësimi i Njomza Mustafës është bërë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. E Sigurimet Shëndetësore kanë qenë një nga premtimet e kryeministrit Mustafa, i cili nuk ka arritur që ta funksionalizojë gjatë mandatit të tij.

Njomza ka dalë më e suksesshmja pas intervistave me të gjithë kandidatët.

Ajo është renditur e para me 818 pikë në listën e renditjes së kandidatëve për pozitën e zyrtares së personelit në Fondin për Sigurime Shëndetësore.

“Pas intervistave të zhvilluara dhe bazuar në raportin final të rekomandimit të komisionit rekrutues të datës 21.06.2017, si dhe pas miratimit të këtij raporti nga UD drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, shpallet rezultati përfundimtar në pozitat e punës si zyrtar i personelit me kandidaten e pranuar Njomza Mustafa”, thuhet në një dokument të publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka tentuar disa herë të marrë një koment nga ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, por ai nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara në zyrën për informim të kësaj Ministrie dhe as në telefonatat e bëra nga gazetari.

“Gazeta JnK” ka arritur të kontaktojë me Petrit Bruqin, personi përgjegjës për Burime Njerëzore në Ministri të Shëndetësisë.

“Nuk na interesojnë se a është a s’është reja e Isa Mustafës”, tha Bruqi.

Ai theksoi se ka qenë anëtar i komisionit gjatë intervistimit të Njomza Mustafës për pozitën e zyrtares. Tha se punësimi i saj nuk është bërë për shkak se ajo ka qenë e afërt me kryeministrin.

“Absolut jo, unë kam qenë edhe anëtar i komisionit, unë tash pe kuptoj që koka reja e Isa Mustafës edhe prej mediave”, tha Bruqi.

Ai tha se të gjitha informatat rreth punësimit të saj mund të merren në Ministri të Shëndetësisë.

“Janë dokumentet, janë gjanat që i vërtetojnë këto sene, nuk jemi në kanagjeq. Nëse don me e pa nëse i ka plotësu ose s’i ka plotësu hajde në Ministri lyp qasje në dokumente zyrtare, është komisioni që i vlerëson edhe hajde i sheh krejt”, tha Bruqi.

Arben Mustafa, djali i kryeministrit Mustafa, e konfirmoi për “Gazetën Jnk” se gruaja e tij Njomza është punësuar.

Ai tha se kryeministri Mustafa nuk ka ndikuar në punësimin e gruas së tij.

“Jo valla nuk kemi ndikuar asnjëri, as unë as Isa Mustafa. Shumë e sigurt që nuk kemi ndikuar”, tha ai për “Gazetën Jnk”.

Madje, ai thotë se nuk kanë qenë të informuar që Njomza është punësuar.

“Jo për besë, ne nuk e dimë hala a është pranu a s’është pranu. Faleminderit shumë se nuk e kemi ditur, ju ma dhatë myzhdenë e parë”, shtoi më tutje ai.

Por, vendimi për punësimin e Njomza Mustafës në Ministrinë e Shëndetësisë është publik dhe i publikuar në ueb-faqen e MhH-së.

Në gusht të vitit 2015, “Gazeta Jeta në Kosovë” kishte zbuluar se Zyra e kryeministrit Mustafa i kishte dhënë tender djalit të tij për riparimin e një veture zyrtare.

Në fillim, kryeministri kishte reaguar ashpër kundër hulumtimit të “Gazetës JnK”, por disa ditë më pas ai kishte kërkuar anulimin e këtij tenderi.

02 Gusht 2017 - 18:43

Adelina Ahmeti 02/08/2017 - 18:43
NDËRVEPRIMI0