Edhe Këtu Mësohet

Shkolla “Zahir Pajaziti” në fshatin Turuçicë të Podujevës zhvillon mësimin në kushte të mjerueshme.

Objekti i shkollës është i vjetruar, ka dyshemenë e dëmtuar, dyert e dritaret e vjetra, dhe nuk i plotëson as për së afërmi kushtet për zhvillimin e mësimit. Shqetësim, kohëve të fundit, janë bërë edhe brejtësit, të cilët lëvizin “lirshëm” brenda hapësirave të shkollës.

Drejtori i shkollës, Zijadin Zeqiri, thotë se mësimi po zhvillohet në kushte të mjerueshme. Në mungesë të dhomave për mësim, tregon se janë detyruar të improvizojnë disa ndarje si klasa, në mënyrë që të mbahet mësimi.

Shkolla ka gjithsej 27 nxënës, të cilët vijojnë mësimin që nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.  Mësimi zhvillohet vetëm në një ndërrim, për arsye se nxënësit e vegjël nuk guxojnë të udhëtojnë vetëm deri në shkollë, pasi disa nga shtëpitë janë disa kilometra larg.

Ndonëse objekti nuk është në gjendje të mirë, ai nuk është futur as në projektin për renovimin e shkollave.

“Drejtori i Arsimit asnjëherë nuk ka qenë për ta vizituar shkollën tonë dhe për t’u njohur më afër me gjendjen e saj”, thotë arsimtarja e anglishtes, Valbona Azemi.
 
Sipas drejtorit të Arsimit në Komunën e Podujevës, Nexhmi Rudari, arsyeja pse shkolla nuk është futur në projektin për renovimin e shkollës është se ajo ka një numër të vogël të nxënësve. Drejtoria ka ofruar mundësi që këta nxënës të barten me kombibus deri në shkollën më të afërm në Orllan. Mirëpo një gjë e tillë nuk është pranuar nga arsimtarët e shkollës dhe prindërit.

“Unë e kam vizituar shkollën gjatë verës, por shkolla ka qenë e mbyllur dhe nuk kemi pasur mundësi që të futemi brenda. Dhe nuk është e vetmja shkollë që nuk është futur në projektin e renovimit të shkollave”, i tha Rudari, Gazetës JnK.

Ai shton se ka biseduar me disa donatorë, dhe po shikojnë mundësinë që ta bëjnë një renovim të shkollës. “Por mundësit buxhetore nuk na lejojnë që të ndërtojmë një objekt të ri shkollor”.
 
Shkolla ka pasur mungesë edhe të energjisë elektrike deri më 16 shtator, me ç’rast komuna e Podujevës ka intervenuar dhe ka bërë instalimin e energjisë.

Fshati Turuçicë ndodhet në kufi me Serbinë dhe numëron rreth 23 familje me gjithsej 278 banorë.

Rruga që të shpie deri në fshat është e paasfaltuar dhe dimrit, shpeshherë bëhet e pakalueshme për veturat e zakonshme. Transporti me autobus nuk funksionon, kështu që banorët e fshatit duhet ecur këmbë për të arritur deri në fshatin Orllan.