Edhe “Handikosi” Pretendon Lokalet e RTV Mitrovicës

Protesta tre ditore e personave me aftësi të kufizuara, përkatësisht anëtarëve të Shoqatës Handikos në Mitrovicë, për lokalet e kontestuara të RTV Mitrovicës, ka përfunduar të mërkurën.

Sipas Handikos-it, këto zyra u takojnë atyre.
 
Por  Nexhmedin Spahiu, pronar i RTV Mitrovicës, që ka në përdorim këto lokale, thotë se personat e hendikepuar po përdoren nga autoritetet komunale, “përkatësisht nga PDK-ja dhe SHIK-u”, me qëllim të presionit ndaj tij dhe punonjësve të RTV- Mitrovicës.

Në anën tjetër, Sadije Sadiku nga Handikos-i, thotë se protesta nuk është e manipuluar.

“Nuk është e vërtetë që neve po na bëjnë presion komunarët për me dalë nëpër rrugë apo për të protestuar. Unë kërkoj që të vije dikush, përfshirë këtu edhe komunën, dhe të na shpjegojë pse ne nuk po vendosemi në këto zyre”, tha ajo.

Pronari i RTV Mitrovicës, përveç që insiston se këta persona me aftësi të kufizuara po përdoren nga Autoritet Komunale, shton se PDK-ja dhe ShIK-u po e përdorin këtë grup të vogël të njerëzve me nevoja të veçanta me qëllim të presionit ndaj RTV Mitrovicës.

“Unë ua jap një shembull për këtë. Në Mitrovicë ka plotë zyra të lira pronë e Komunës, siç janë në Shtëpinë e Kulturës etj, por ata (zyrtaret komunalë) po gjejnë pretekst për zyrat që është duke i shfrytëzuar RTV-Mitrovica”, thotë Spahiu.

Ky shkrim është plotësim në artikullin e publikuar fillimisht më: 05.03.2013, 09:52:28

(E plotësuar në 17:11)

RTV Mitrovica Mbahet Nën Presion

Komuna vazhdon t’i bëjë presion televizionit të Mitrovicës për t’i liruar disa zyra që janë pronë e komunës, edhe pse një vendim gjykate i vitit të kaluar i lejon këtij mediumi shfrytëzimin  e lokaleve në kontest.

Drejtoria për Planifikim dhe Urbanizëm e komunës së Mitrovicës nga mesi i muajit shkurt nxori një vendim administrativ nëpërmjet të cilit bie në kundërshtim me një aktvendim të mëhershëm të Gjykatës themelore të këtij qyteti në lidhje me RTV Mitrovicën.

 
Problemi i lokaleve të RTV Mitrovicës, tash ka mbërritur në Gjykatën e Apelit  

 

Kjo drejtori më 15 shkurt kërkoi nga drejtuesi dhe personeli i RTV “Mitrovicës” lirimin e zyrave që mediumi i mban në shfrytëzim, pasi këto zyra me fletëposedim janë pronë komunale.

Mirëpo, një vendim i vitit të kaluar, i lëshuar për këto zyra nga Gjykata Komunale e Mitrovicës, që tash është shndërruar në gjykatë themelore, nuk ia kontestonte pronësinë e tyre komunës, por lejonte shfrytëzimin  e lokaleve nga RTV “Mitrovica”.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore, Faton Ademi, kishte marrë këtë vendim pasi Inspektoriati komunal dëboi nga këto zyra personelin e televizionit dhe largoi pajisjet e tij, duke shtyrë drejtorin e mediumit Nexhmedin Spahiun që çështjen ta çojë në gjykatë.

Problemi i shfrytëzimit ose dëbimit nga këto zyra të RTV Mitrovicës, tash ka mbërritur te Gjykata e Apelit.

Drejtuesi i televizionit Nexhmedin Spahiu thotë se ai dhe stafi i tij nuk duhet të shqetësohen nga organet komunale, derisa gjykata të vendosë ndryshe për këtë çështje.

“Më 15 shkurt unë kam pranuar një vendim nga Drejtoria për Planifikim dhe Urbanizëm, sipas të cilit, jam i detyruar t’i liroj lokalet ku janë të vendosura pajisjet e Tv- Mitrovicës. Ky vendim është i llojit ‘sui-generis’ pasi vitin që shkoi gjykata ka marrë vendim që lokalet i përkasin Tv-Mitrovicës”, tha Spahiu. “Por tash po del se komuna nuk po u beson vendimeve gjyqësore”.

 
Sheshi i Jasharajve, Mitrovicë  

Komuna mbron vendimin e saj

Autoritetet komunale thonë se vendimi i vjetëm i Gjykatës themelore për t’ia lejuar RTV “Mitrovicës” shfrytëzimin e zyrave që janë pronë publike, ishte i paligjshëm.

“Sipas meje së pari vendimi i mëhershëm gjyqësor është kryekëput joligjor”, tha avokati publik i komunës së Mitrovicës, Faik Gërguri. “Ne këtë vendim e kemi respektuar në kohën e duhur, mirëpo, procedimi nuk ka përfunduar më tutje dhe ne kemi qenë të detyruar të ndërmarrim veprime tjera”.

Për Gërgurin është me rëndësi që pushteti lokal, si titullar i kësaj prone, ta menaxhojë atë në interes të  qytetarëve.

Për mosrespektim të vendimit gjyqësor rreth zyrave kontestuese, në adresë të komunës së Mitrovicës, para dhjetë ditësh, ka ardhur një shkresë shpjeguese edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Kjo ministri ia bën me dije komunës që të mos bie në kundërshtim me vendimet gjyqësore.

“Vendimet e gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë personat fizikë dhe juridikë. MAPL-ja konstaton se çdo vendim administrativ i nxjerrë nga organet komunale, derisa është në proces të shqyrtimit kjo çështje nga gjykata, mund të shkaktojë pasoja juridike të paevitueshme”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga ministri Petroviq.

Në shkresë rekomandohet të pritet vendimi përfundimtar i gjykatës për këtë çështje.

Anëtarë të shoqatës humanitare “Handikos” ndërkohë të hënën kanë protestuar në kërkim të objektit  ku aktualisht është e vendosur RTV Mitrovica, duke thënë se ai është i tyre. 

Sadije Sadiku, përfaqësuese e Handikosit, i ka thënë gazetës Koha Ditore se kanë vendimin e Komunës që dëshmon se lokalet janë të kësaj organizate.

Ajo poashtu është zotuar se protesta të tilla do të organizohen për tri ditë me radhë. Sipas saj, nëse nuk plotësohen kushtet e tyre, protesta do të radikalizohet.