Edhe Gllogoci Bëhet me Gjykatë Model (TV)

Gjykata e Gllogocit është e njëzeta me radhë që shndërrohet në gjykatë model, pas rinovimit të mbështetur nga qeveria e Kosovës, Shtetet të Bashkuara të Amerikës dhe Norvegjia.

Ceremonia e inaugurimit të gjykatës së Gllogocit nisi me prerjen e shiritit dhe vazhdoi me një diskutim rreth rolit të gjykatave në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Falënderimin e filloi Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili tha se ky investim e ndihmon gjyqësinë dhe rritë transparencën ndaj qytetarëve.

Edhe Enver Peci, kryesues i  Këshillit Gjyqësor të Kosovës tha se ky investim lehtëson punën e gjyqësisë në Kosovë dhe motivon ata që të punojnë edhe më shumë.

“Kjo e shton edhe më shumë besimin e qytetarëve ndaj gjyqësisë te ne”, tha Peci.

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson iu drejtua audiencës së përbërë nga përfaqësues të sektorit të drejtësisë, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të mediave, duke thënë se një gjyqësor i fuqishëm përforcon demokracinë.

Ajo pastaj foli për rëndësinë e zgjedhjeve të fundit në ngritjen e besimit të votuesve. Ajo lavdëroi edhe partitë politike.

“Ato morën qëndrim të guximshëm, duke thënë se këtë herë do të jetë ndryshe. Do të kemi zgjedhje të vërteta, do t’i tregojmë botës dhe popullit tonë se mund të mbajmë zgjedhje fer.  Tash ju keni treguar se mund ta bëni këtë, prandaj vitin e ardhshëm duhet të jetë edhe më mirë”, tha Jacobson.

Gjykata e Gllogocit nga ky renovim ka fituar dy salla të gjykimeve, nga një sallë sa ka pasur më herët. Stafi administrativ është bartur në kat të parë, ku qytetarët kanë mundësi të kenë qasje në punën e tyre.

Gjykatat model sipas programit të USAID-it për Sundim të Ligjit ofrojnë shërbime të hapura, efikase dhe qasje për të gjithë.