JazzHeng n'M

M - Neja Anonime Kah Xhamia e Msheftë

Kur nisë me u dendsu muzgu i mramjes, dyert mshilen e njerzit shukaten rrânzë koftorrave e radiatorëve. Lagjet e Prishtinës nuk lshojnë ma asnji zâ, përveç zhurmës t’erës qi e fërfllon t’njâjtën kese t’pllastikës p’ej parvjetit, edhe naj angullimë sporadike e ndonji klyshi qi s’i zihet vêni-vên p’ej mrazit. Dy-tri llafe larg Nanës Terezë e drejt Muzeut, rrugtë fillojnë me u ngushtu e shpitë doken sikur kacavirren njana mi tjetrën. Pak përtej Sahatkullës kambsorët thuejse zhduken, e shitset e minimarketeve i zhagisin shputat deri jashtë për me ndrru naj fjalë e m’e dhezë cigaren e fundit t’paqetës.

Çdo hap e ma shumë, nji tingull n’kajde t’gumzhimës nisë me ma xiglitë veshin; n’mesin e atij skenari t’heshtun, njana prej ndertesave, për nji arsye a tjetrën, u dallojke p’ej kojshillakut. S’shkoi gat’ e i rashë n’fije burimit t’zhurmës t’çuditshme: shpí, si krejtë tjerat, po poget qi gjinja mrena s’ishin bâ rahat tu u kotë përkrahë koftorrave.

Nji poezi në >
Ni poezi në <<M>>

Dy kat’, tâna dritat dhezë, e oborrin ni dreq e gjysë. U mata shumë derisa e dava mênën m’e qitë hapin e parë drejt derës. S’e pashë kurrfar shêje n’kapixhik, e drujta mos po i hi najkujt n’hise. Për ni moment m’u ga shumë sikur oborri i gjyshës t’êm n’Podujevë, e dorën n’zemër, hiç nuk m’u duk larg mêç figura e ni gërrxhuli musteçok t’u m’bërtitë p’ej dritarës: “Kah ia ke msy o kastravec? S’na ka metë mâ asni arrë për shkak t’rrebanave si ti!”. Po, nafaka jêm, s’dulë. Me gjithë tutën qi po i ndërhyjë naj familjës n’sesion ditor t’çajit t’rusit, morra zêmër m’e shty derën e hymjës.

Dal-kadale, zhurma e mbytun filloi me u shndrru n’biseda t’përditshme e xhez t’gërshetuem me naj notë t’atyktushme me motiv kombtar. Disonanca kognitive s’ma fali dakikun e m’rroki përniher: për besë s’un i bisha n’fije pse gjinja e Dit’ e Nat’-it janë akumulu n’kit shpí t’paraluftës. Po, pytjet e hamendsimet menjanë, iu qasa shankut. Për ni gjysë sekondi njerzit e kthyen krytë kah un’, u zgërdhinë ni grimë, e vazhduen me i shkëmby hallet jetëshkurtra. E ekzekutova ni rrotullim për me mërthy n’shikim tân vênin, e s’u çudita qi pavarsisht pijeve me mbushullim, gjithçka u përfaqke si ni nêjë shumë intime e e përzemërt. U përfala me shoqni, e shtrëngova krigllën e ftoftë xehër, e e pshteta brrylin n’parmak t’shankut. Mas ni kohe shumë t’shkurtë, çdo tingull – sado i mekun – shkri n’ritëm: çakjet e duerve mes miqve, cakrrimet e gotave, çokatjet e kpucave për toke e çuçuritjet e gjithmbarshme. S’pashë koftorr, po u niva goxha ngrohtë.

Hymja pa tabelë
Hymja pa tabelë

P’ej llafeve t’hallkut e morra vesh qi shpinë e kishin pagzu me emnin «M».

N’anën e kundërt t’hymjës – bash përbri shankut – ke ni derë. U turra meniher drejt saj, e pa pritë asni grimë, e çela. Ni ballkon i dyshemetisun me drrasa, i veshun me muhabet e lezet. I rashë mêspërmês tullugut t’timit t’duhanit e zhdrypa shkallve teposhtë për me dalë n’bashçën e mas-shpisë. N’midis ke ni dru i bigzuem me bazë t’qyreqtë qi ta zike shumicën e pamjes. Pak ma n’tmajtë ke e ngritun pingul ni minare e moçme, qaq e vogël qi p’ej largu ta çojke mallin e ni cungu. I vetmi sen qi s’m’la me u shtri n’bari ke t’ftoftit qi për pak ma mërdhijti kurrizin. S’deshta me m’kapë gripi për herë t’pestë n’kit fillimvit e u ktheva p’ej kah erdha, prap nëpër mjegull t’nxehtë t’duhanit. Përte kauçit lara-lara e te shanku, e pashë qi ish shprazë krejtë kati: fillova me menu mos e lamë (pahiri) me lujtë msheftas, po, tingllimat e harmonishme veç ishin zhvendosë 2-3 metra n’drejtim t’havasë.

alkOOli
alkOOl…

N’katin e dytë asht ku gëlojke magnetizmi qi m’tërhjeku p’ej udhëve t’mërdhime. Çka me pa: nji parë duer tu u përpëlitë lezëm përmi tastet e nji sinti, e nji parë duer tjera tu rrshitë përgjatë qafës t’nji gitarës pa kurrfar pengese. Ni amfiteatër i improvizuem, e asni zhurmë tjetër përpos dridhjeve diatonike e pllamë-rrahjeve mes kangve. Dhoma – me ni thurimë trajsh n’tavan e përkundrejt shtresë parketi i modelit t’ktynehershit – ke e mobilume veç me karrika për me u ulë e drita t’zbehta sa me pa ku po shkelë. Me t’kthyme mrapa e pashë ni derë, n’anën tjetër t’s’cilës duel t’jetë veceja. M’vike gjynah me e lshu çeshmën se u tutsha mos po nihet jashtë, po edhe zhurma e ujit tu u përplasë për qeramike u bashkëshkri me kumbimet e instrumenteve t’Ilirit e Visarit. Tu i qitë hapat sa ma lehtë qi asht e mundun, ia dhashë ni qark vênit. Herë pas herë i lidhsha sytë me najkon veç sa me ia bâ me dije qi mu knaqën veshtë.

Biblioteka n'kat dytë
Biblioteka nalt

Nuk kaloi shumë kohë e e gjeta ni kthinë n’fund t’dhomës. Edhe pse fillimsht m’u dok e pamundun, i pashë edhe do shkallë për tenalt. Gjithmonë tu e rujtë hapin e macës, u ngjita kadal-dale shkallareve drunore. Kurrë s’ma kish marrë mênja qi ndeshna n’diçka qikaq cool qatje nalt: ni mini-bibliotekë. Sekondin e parë qi e peshova trupin n’platformë ma mërthei nuhatjen ni erë e pluhnit, gjâ qi u arsyetu kur e morra vesh qi shumica e librave janë t’moçëm. P’ej shëlbysit t’Nazaretit n’Dhiatën e Re, luftës klasore t’Marks-Engelsit e deri te arti bashkëkohor, nuk m’vjen marre me thânë qi përniher m’u shtunë trokitjet e zemrës. Edhe pse, sigurisht, s’mrriva me i katallogú tanë titujt, u shihke qi shumica nuk janë n’shqip; po prapë-se-prapë, libri metet libër. U rahatova n’njanën prej karrikave e ia nisa me shfletu. Gjinja vishin, ia lshojshin ni parë sy vozit t’shkronjave, e zhdrypishin prap teposhtë. Dikur m’shkoi mênja me nêjtë e me ia fut gjumë qitu kur t’vjen koha, po a pe din, s’nobë. I drejtova gujtë, e ia dhashë lamtumirën tavanit.

Tualet_720
N’nevojtore ndërkohë ke kjo

Kurgjâ s’kish ndryshu poshtë. Vazhdojshin luhatjet harmonike t’kafkave, komunikimi delikat mes Bajrit e Kuçit, e duartrokitjet mas kulmimeve t’kangve. Akrepave t’orës s’ju kish metë shumë për me ra njâ-mi-njâ, e mu filluen me m’u tërrmekë kapaktë e syve. Qat’her dikur ia uroi dikush ditlindjen Ilirit, e ai përmes ni thumbi t’prehtë ia kthei: “Urime qi jam plakë!”.

Nuk isha kânë veç un i lodhun: Xhezerët e prezantuen kangën e fundit t’titullueme “Si s’pate pak mshirë” e ia qitën kapakun ni nate fort t’lezetshme.

Krejtë çka ken aty u morrën vesh (joverbalisht) me lujtë nji lojë t’kadalshme po interesante t’quejtun “çkeptas”. Do nëpër shpia, e do tjerë nëpër hamburgertoret përballë me e shtrëngu mirë kapakun. E un’? Mos vet! Unë rashë prap n’shinat rrugve t’errta t’matanë-Sahatkullës, tân’ kohën tu e përkunë krytë mrêna ritmit t’mbetjeve tingullore p’ej shpisë qi gumzhojke.

Minarja e moçme n'muzg
Minarja e moçme n’muzg