Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

E Verdhë

Ishte hera e parë që kisha parë të vdekur në luftë. Më kujtohet që isha i befasuar me faktin që lëkura e tyre ishte e verdhë.

E verdhë. Lëkura e tyre ishte e verdhë. Balta u kishte hyrë në thonj dhe këmbët i kishin shumë të ndyra. Ishin gjashtë syresh, të gjitha femra, të futura nën ceradë. Disa prej tyre kishin mbijetuar aq gjatë sa t’i lidhin plagët me fashë. Disa kishin vdekur pak a shumë menjëherë pasi që shrapnelat ose plumbat 7.62-mm të jenë ngulitur në trupat e tyre. Ato ishin të pajeta që rreth 24 orë. Erdhëm për të qenë dëshmitarë në varrimin e tyre, për të parë dhe për të ofruar një lloj mbrojtjeje. Nëse ne ishim të pranishëm, snajperistët serbë nuk do të qëllonin mbi familjarët gjersa po i varrosnit të vdekurit e tyre.

Ishte hera e parë që kisha parë të vdekur në luftë. Më kujtohet që isha i befasuar me faktin që lëkura e tyre ishte e verdhë. Përvojat e mia me vdekjen para asaj dite ishin të kufizuara me disa varrime: vëllai i madh i një shokut tim, gjyshja ime. Asnjëri nga ta nuk ishte i verdhë. Andaj, isha i befasuar me atë ngjyrë. Ishte hera e parë që kisha parë njerëz të vdekur të pabalsamuar, pa grim dhe rroba të mira. Ato shtriheshin me gjymtyrë të çrregulluara nën një ceradë të kaltër në një rimorkio, e cila vetëm javë më parë me siguri bartte speca dhe misër për në tregun e Malishevës.

Mund t’i shihje vetëm disa pjesë të trupit nën ceradë. Nuk mund t’i shihja të gjitha fytyrat e tyre. njëra kishte dorën nën ballë. Njëra kishte fashë që mbulonte shumicën e kokës së saj. Një nga të vdekurit, një fëmijë 18 muajsh, ishte zhdukur. Pamë se disa qenë i kishin rënë në gjurmë.

Zyrtarja britanike e OKB’së e cila më kishte shoqëruar deri në vendngjarje e tha atë që të gjithë ne po e mendonim, “Me siguri se qentë e kanë kapur kufomën”. Natyrisht se e kishte me vend, mirëpo askush nuk dëshironte ta thoshte. Nëna e fëmijës qëndronte në një shtëpi në fshat vetëm disa kilometra larg me një plumb të ngecur sipër në dorë. Plumbi kishte depërtuar tejpërtej fëmijës, pastaj nëpër gjirin e saj para se t’i ngelet në dorë. I ati i saj tha se fëmija kishte vdekur në vend. “Plumbi e shqeu fëmijën përgjysmë”, tha ai. Ai e kishte tërhequr nënën zvarrë deri në një vend të sigurt. Një mjek nga Kryqi i Kuq u kujdes për plagët e saj në një shtëpi të vogël në fshat. Njëmbëdhjetë gra dhe një burrë i moshuar 72 vjeç, të gjithë të plagosur nga sulmi, pritnin durueshëm për mjekun, të ulur në dysheme të mbështetur në muret e dhomës.

Në Kosovë, është menduar që ekipi im dhe unë do të ofrojmë një ndjenjë të sigurisë për civilët serbë dhe shqiptarë dhe t’i ndalojmë gjuajtjet e dy forcave ushtarake në njëra-tjetrën sa më shumë që është e mundur. Një e pathënë në raportim por e nënkuptuar në mision ishte ndalimi i vrasjeve.

Vonesa ime në Senik ishte e kobshme për shtatë persona. Duke qëndruar në atë shtëpi, një ditë pas sulmit, të kapluar me erë djerse dhe gjaku dhe plagëve, përzier me erën e frikës së gojës së tharë, e kuptova se isha në mes të diçkaje që nuk e kuptoja – dhe ndoshta s’mund ta kuptoja – dhe se jetët e njerëzve vareshin nga unë dhe veprimet e mia të duhura. Mirëpo nuk kisha ide se cilat janë ato veprime. Historinë e rajonit e njihja shumë pak, nuk i flisja gjuhët lokale dhe në atë moment e gjeta vetën duke qëndruar në një shtëpi të vogël të rrethuar me civilë të plagosur dhe me këmbësorinë serbe vetëm disa kilometra larg.

E shikova plakun 72 vjeç të plagosur. Sytë e tij ishin të mbushur me diçka ndërmjet urrejtjes dhe pamundësisë për të kuptuar se një amerikan dhe një britanik qëndronin në dhomën e tij të ndejës duke mos bërë asgjë lidhur me këmbësorinë serbe që kishte vrarë gjashtë gra, dhe e kishte plagosur atë dhe të tjerët.

Seniku ishte një fshat me rreth 500 banorë. Në të vërtetë, janë jo më shumë se disa shtëpi në një udhëkryq trekahësh në një rrugë të paasfaltuar. Me vetëm një dyqan të vogël në të, të gjithë banorët blerjet i kryenin në tregun e madh në Malishevë. Shkolla fillore gjendej në majë të një kodre dy kilometra më larg, fëmijët mund të ecnin aq larg, madje edhe gjatë dimrit. Bujqit dikur kultivonin rrush, mirëpo hardhitë janë bërë shterpë nga thatësia dhe zjarri. Rruga e zhavorrit ishte e pluhurosur dhe me gropa e gunga nga qarkullimi ditor i traktorëve poshtë e lartë kodrës, drejt rrugës së asfaltuar dhe fushave e tregjeve përtej grupit të izoluar të shtëpive.

Problemi me Senikun, në sytë e policëve serbë, ishte se ai kufizohej me Malin Berishë, bastion ky i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Policia serbe planifikonte t’i sulmonte të gjitha fshatrat që mbështetnin UÇK’në. Në të vërtetë, ne kurrë nuk e dinim nëse fshatarët mbështesnin UÇK’në para sulmit apo jo, mirëpo gjithsesi se e mbështetnin pas kësaj ngjarjeje, pasi që varrosën gjashtë gra të tyre dhe pasi mjekët e Kryqit të Kuq mjekuan njëmbëdhjetë të tjerë.

Ne qëndronim në krah të një shtegu disa kilometrash lart rrugës nga shtëpia ku mjekët kujdeseshin për të plagosurit. Rreth pesëmbëdhjetë burra dhe gra të fshatit ecnin ngadalë prapa një traktori që tërhiqte kufomat në një rimorkio përgjatë luginës. Kur traktori arriti në fund të luginës, ne ende mund të shihnim snajperistët serbë në maje të vargmalit. E shikuam njëri-tjetrin, unë me nervozizëm.

Gratë e vdekura kishin jetuar dhe vdekur në këtë luginë. Ato kishin kaluar jetët e tyre duke u kujdesur për të mbjellat në këtë fushë dhe duke lindur fëmijë në shtëpitë e vogla që përbënin fshatin e vogël të varfër. Familjet e tyre dëshironin t’i varrosnin ato në qendër të luginës, në dukje të qartë nga vargmali.

Ne parkuam veturat tona në vend ku shihej tërësisht nga vargmali për të penguar qitjet e mëtejme. Gjithsesi, ne besonim se serbët nuk do të qëllonin në vëzhguesit e BE’së dhe SHBA’së, ose në veturën bardh e kaltër të OKB’së. Terreni ishte i fortë dhe u desh mjaftë kohë për ta përfunduar varrimin. Burrat punuan me lopata dhe kazma për rreth një ore për t’i gropuar varret. Ne qëndronim aty duke vëzhguar, duke vështruar para e prapa ndërmjet vargmalit dhe gërmuesve të varreve.

Përfundimisht, varret u hapën. Një nga një, gratë e vdekura u mbështjellën me mbulesa dhe ngadalë u futën në tokë. Dikush i tha disa fjalë mbi secilën nga to dhe burrat filluan t’i mbulojnë trupat e tyre me dhe të tokës së fortë. Pasi që kryen punë lopatat, luginën e kaploi qetësia. Nuk kishte fare erë. As vetura apo aeroplanë në largësi. Ne qëndruam aty për pak çaste, të pasigurt se çka të bëjmë. Burrat vendosën për ne. Rrapëllimat e kazmave dhe lopatave të tyre që u hodhën në rimorkio thyen heshtjen dhe i thamë lamtumirat.

Më pas, u ndalëm rrugës nga lugina dhe shfrytëzuam telefonin satelitor për të thirrur Uashingtonin dhe për t’i treguar Qendrës Operative të Departamentit të Shtetit atë që kishim parë. E ndjemë se ata janë shumë larg nga ajo kodrinë.

Ana ime e bisedës ishte kështu: “Njëmbëdhjetë të plagosur: dhjetë gra dhe një plak 72 vjeç. Gjashtë të vrarë: gjashtë gra dhe një fëmijë. Po, i kam numëruar vetë. Po, jemi të sigurt se ishin të vdekur. E kam vërtetuar personalisht.” Nuk e përmenda pjesën e qenit dhe fëmijës së zhdukur. Pa shtirësi, pa mendime personale. Asgjë lidhur me erën apo pluhurin apo shprehjen e fytyrës së plakut. Asgjë lidhur me frikën gjatë qëndrimit në rrafsh të luginës. Asgjë lidhur me ngjyrën e lëkurave të tyre apo sa butësisht familjarët mbështjellën trupat e pajetë, vajin e grave gjersa ngadalë dhe butësisht ulën trupat e grave nën dhe.

E bëmë edhe një ndalesë gjatë rrugës nga kodrina. Një njeri një moshë na bëri me shenjë të ndalemi gjersa po largoheshim nga lugina në drejtim të fshatit. Ai i tha përkthyesit tonë se dëshironte të na tregonte diçka që kishin bërë serbët. Shikova nga dritarja e shtëpisë dhe pashë shtatë apo tetë gra të ulura në tokë duke u lëkundur ngadalë, duke e ngushëlluar njëra-tjetrën.

Ato ishin ulur përreth trupit të një grua tjetër. Ajo ishte shtrirë në shpinë dhe e mbështjellë me një batanije. Fytyra e saj dhe shumica e kokës mungonte. Burri tha se një mortajë kishte shpërthyer më pak se gjysmë metri nga koka e saj. Ai i vendosi duart e tij para trupit për të treguar se për çfarë distance bëhet fjalë. Ai ishte i ati i gruas së vdekur dhe, kuptueshëm, dukej sikur kishte vdekur një pjesë e tij. Gjersa fliste, gratë vajtonin, zërat e tyre deklaratë e zisë dhe lodhjes.

Në mes të vajit, erës dhe mizave e dëgjuam historinë. I ati i saj tha se ajo kishte dashur të dërgojë ushqim për shoqet e saj, për të biseduar me to, për të pirë kafe me to. Ajo kishte arritur te lugina e vogël sapo kishte filluar sulmi.

Gëzhojat e mortajës me siguri qëlluan në grupe nga tri sosh. Ponk, ponk, ponk gjersa dilnin nga gypat, pastaj pritja torturuese, e pafrymë, pesë gjashtë sekondëshe gjersa ato fluturonin, dhe në fund gërvishtja dhe jehona e brishtë kuhrump, kuhrump, kuhrump nga muret e grykës gjersa shpërthenin. Qitësi me siguri e kishte rregulluar kapsollën që të shpërthejë rreth një metër e gjysmë apo dy metra lart tokës – mu në lartësi të kokës.

Ishte histori e tmerrshme. Mezi prisja të largohesha nga aty, larg erës dhe vajit dhe vdekjes. U ndjeva i zemëruar dhe i tmerruar që ushtarët do të qitnin me mortaja në gra dhe fëmijë. Nuk mund ta detyroja veten që ta shikoj. I shikova gratë tjera gjersa lëkundeshin ngadalë, shamitë e tyre të bardha përkujtim i zymtë dhe i tmerrshëm i asaj se koka e motrës apo e bijës apo shoqes së tyre ishte prishur gjersa ajo sillte ndihmë për të tjerat. Mora shënime të historisë së babait të saj ndërsa kolegu im fotografoi kufomën. E mësova erën dhe tingullin. Tetë të vdekur.

Udhëtuam poshtë drejt udhëkryqit kryesor të rrugës së Senikut, ku një turmë e vogël njerëzish u mblodhën rreth veturës sonë. E hapa derën me forcë dhe qëndroja në këmbë, i shtyrë anash veturës nga turma, gjersa përkthyesi im përcillte lutjet e herëpashershme për ndihmën time.

“Ajo dëshiron që ta marrësh fëmijën e saj që të mos e vrasin serbët,” tha Mimi. E shikova gruan, ajo e mbante fëmijën e saj lart në drejtimin tim me përgjërim. I thash Mimit: “I thuaj se ne jemi vëzhgues, nuk mund ta zhvendosim atë, përndryshe qeveria e Beogradit do të na dëbojë jashtë vendit,” U ndjeva i paaftë dhe i kotë gjersa i hidhja fjalët nga goja, duke menduar për marrëzinë absolute të të qenit në këtë zonë lufte vetëm për të vëzhguar, si turist në mesin e këtyre viktimave.

Ishte nxehtë dhe gjersa filloi të më zë dielli, ndjeva qyqari, verdhësi, i fshehur prapa syzeve të mia të diellit. Valëvita notesin tim në drejtim të furgonit të Kryqit të Kuq dhe thash se ajo veturë do të mund t’i nxirrte ata nga aty, duke shpresuar se turma do t’i hidhej atyre duke më lënë  mua të lirë. Mendoja që Kryqi i Kuqi sigurisht nuk do të pranonte, mirëpo nuk isha në gjendje ta mblidhja fuqinë për t’i treguar gruas se kishte pak shpresë që ajo të dilte nga aty atë ditë me një Ndërkombëtar. Më vonë mësova se kisha gabuar. Disa zyrtarë të OKB-së kishin ardhur në Senik më vonë atë ditë, dhe njëra nga to kishte marrë përsipër evakuimin e disa fëmijëve në një fshat më të sigurt.

“Ne jemi vëzhgues,” na kishin thënë shefat tonë. “Ne nuk mund të marrim anë përndryshe i tërë ekipi do të dëbohet nga vendi; e pastaj jemi të padobishëm,” tha ai. Edhe unë e kam thënë këtë. E kam thënë shpesh. Çdo mëngjes shkoja në terren dhe pothuajse çdo ditë kthehesha në shtëpi me raportime të shtëpive të djegura, apo sulmeve të stacioneve policore, apo njerëzve të vdekur. Çdo pasdite, shkruaja raporte për atë që kishim parë. Shkruaja raporte të prera, të sakta të akteve të çrregullta, të tmerrshme të mizorisë.

Atë ditë, duke e luftuar dëshirën e fortë për të ikur, erërat dhe tingujt u bënë pjesë e kujtesës sime. Mirëpo e kam harruar fytyrën e babait të vrerosur, dhe të gruas që ma drejtoi fëmijën kah unë. Sot, hamendem nëse për shkak se i shtyja larg vetes aq shumë ndjenja që i kisha në atë kohë – hutinë, frikën, zmbrapsjen, zemërimin – nuk mund t’i kujtoj fytyrat, meqë në nënvetëdije i kam shtypur ato imazhe.

Apo ndoshta ato janë bërë si fantazma, simbole që përfaqësojnë ngjarje të cilat, në mendjen time, janë më të mëdha se jeta. Sikurse aktorët e një shfaqjeje të parë më herët, që mbahen në mend vetëm papritur dhe herë pas herë, ato kthehen si përkujtim i dështimeve dhe dobësive të mia, dhe frikësimit tim. Ato janë personazhe kryesore të këtyre veprave të luftës.

Ron Capps ishte ushtar dhe zyrtar i Shërbimit të Jashtëm në vendet si Ruandë, Kosovë, Afganistan, Irak dhe Darfur. Ai është themelues dhe drejtor i Projektit të Shkrimeve të Veteranëve, organizatë jofitimprurëse 501(c)3 që ofron seminare dhe punëtori pa pagesë për shkrime për veteranë, pjesëtarë aktivë të shërbimit dhe familjarë të ushtarakëve. Ron jeton dhe shkruan në Washington, DC.

http://jmww.150m.com/Capps.html

05 Tetor 2011 - 10:09 am

Ron Capps 05/10/2011 - 10:09 am
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0