E Plagosi Dashnorin e Kunatës

Në Gjykatën e Qarkut në Prizren, të mërkurën u mbajt seanca gjyqësore ndaj 73-vjeçarit T. B., nga fshati Shkozë i Malishevës. Ai akuzohet se më datë 27 shtator 2011, ka plagosur rëndë dashnorin e gruas së vëllait të tij.

Sipas aktakuzës, natën kritike, T. B. ka dëgjuar derën e oborrit duke kërcitur nga era dhe del për ta mbyllur. Me atë rast, ai e vëren se ishte e hapur edhe dera e hyrjes së shtëpisë së vëllait të tij, i cili gjendej me punë në Kroaci. Shkon ta mbyllë dhe vëren se në shtëpi nuk ishte gruaja e vëllait të tij. I zgjon fëmijët e vëllait nga gjumi dhe i pyet se ku e kanë të ëmën. Ata nuk dinë asgjë.
 
Vendos ta presë para dyerve të shtëpisë për të zbuluar se ku ndodhej kunata. Pas orës 2, pas mesnatës, vjen një makinë e cila ndalet para dyerve të shtëpisë. Nga ajo zbret gruaja e vëllait të tij Sh.B., 42-vjeçare. Me këtë rast, tani i akuzuari T. B. i del para makinës, i thotë vozitësit që të ndalojë, mirëpo ai nuk ndalet dhe vazhdon ta ngasë makinën.
 
T. B. ka treguar se e ka gjuajtur me sëpatë veturën, mirëpo nuk ka mundur ta qëllojë. Më pas nxjerr revolen e tipit Zastava “TT” nga brezi dhe shtie pesë herë në drejtim të saj. Me një plumb e godet në kokë, tani të dëmtuarin Rr. T., i cili edhe më tutje gjendet i shtrirë në spital dhe ende nuk dihet se a do t’i shpëtojë vdekjes.
 
Prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes në tentativë”, dhe veprën penale të mbajtjes në pronësi, në kontroll, posedim dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
 
Në foltore, para trupit gjykues, doli vëllai i të dëmtuarit, i cili deklaroi se nuk di asgjë në lidhje me ditën kritike, mirëpo deklaroi se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarit dhe po ashtu tregoi se familja ia ka falur të akuzuarit, për shkak të rrethanave të ngjarjes.
 
Në shqyrtimin e së mërkurës prezantoi edhe eksperti mjeko-ligjor, Dr. Tefik Gashi, i cili mbështeti në tërësi ekspertizën e dhënë me shkrim, ndërsa për të dëmtuarin e elaboroi pjesën e dëmtuar të trurit, përmes monitorëve që gjendeshin në sallë të gjykimit.
 
Ky ekspert shprehu habinë sesi ka mundur ky person të mbijetojë, duke marrë parasysh dëmtimet e marra në tru.
 
Gashi saktësoi se tani i dëmtuari, gjendet në gjysmë paralizë dhe pjesët e dëmtuara të trurit asnjëherë nuk do të mund të rigjenerohen.
 
Prokurori, përfaqësuesit e të dëmtuarit dhe mbrojtësit e të akuzuarit, u pajtuan që të mos dëgjohet fare i dëmtuari, për faktin se kjo do ta bllokonte procesin gjyqësor, duke e pritur të dëmtuarin me vite, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
 
I akuzuari T.B. në rrëfimin e tij para gjyqit deklaroi se ka dëgjuar dyert e oborrit duke kërcitur nga era dhe kur ka dalë jashtë, ka parë që edhe dera e oborrit të vëllait të tij ka qenë e hapur dhe ka vërejtur se nuk ka qenë gruaja e vëllait aty. “Aty e pashë që nuk është puna mirë diçka”, u shpreh i akuzuari.
 
Ai pranoi veprën penale të kryer dhe deklaroi se nuk është penduar fare për këtë, madje iu drejtua prokurorit dhe trupit gjykues disa herë gjatë marrjes në pyetje: “Po më mundoni kot, sepse unë jam i pafajshëm. E kam mbrojtë nderin tim, më ka hyrë në oborr”.
 
Më tutje, ai shtoi se të dëmtuarin nuk e ka njohur fare, dhe për herë të parë e ka parë në natën kritike. “Po ju bëj be se po të bënte djali im një gjest të tillë, edhe me më pas shpëtu, sikurse në këtë rast, e kisha vra me duart e mia. E ju po më mbani kot në burg”, iu tha ai, prokurorit dhe trupit gjykues.
 
“Edhe 100 vjet po të më jepni burg, nuk do të pendohem, sepse e di se për çka jam burgos”, deklaroi i akuzuari.
 
Fjala përfundimtare do të jepet më 2 shkurt. Deri atëherë, i akuzuari do të vazhdojë të mbahet në paraburgim.

42-vjeçarja Sh.B., “dashuria e ndaluar” e të cilës, u bë shkak i gjakderdhjes, tashmë ndodhet në një strehimore, për shkak se nuk guxon më të rrijë në shtëpi, ka konfirmuar prokuroria për Gazetën JnK.