E Ofendojnë edhe Presidenten

Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe misioni i avokatëve është që ta sigurojë një gjë të tillë. Për presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ky është parimi i “shenjtë” i çdo avokati. Mirëpo, si duket këtë parim nuk e shohin edhe aq të “shenjtë” vetë avokatët kosovarë ngase shumica prej tyre e kanë injoruar kuvendin e dhjetë të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), të mbajtur të dielën, duke mos marrë pjesë fare në të.

Presidentja as nuk është dashur të mbante fjalimin e saj. Në kundërshtim me ligjin dhe praktikat, drejtuesit e OAK’së edhe pse e kanë ditur se Kuvendi nuk mund të zhvillohej, kanë lejuar që të mbaheshin fjalimet hyrëse të përfaqësuesve të lartë. Me të mbaruar ato, ka “mbaruar” edhe kuvendi.

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që OAK’ja dështon t’i mbledhë anëtarët e saj. Kësaj radhe e kishin injoruar madje edhe figurën më të lartë shtetërore.

Kryetari në dorëheqje i OAK’së, Musa Dragusha, gjatë fjalimit të tij hyrës e theksoi disa herë rëndësinë e sundimit të ligjit dhe rendit. Mirëpo, si duket vetë anëtarët e tij dhe ai nuk e kanë parasysh këtë. Rregullorja e Kuvendit të Odës e përcakton qartë se Kuvendi nuk mund të mbahet pa prezencën e shumicës së anëtarëve të saj.

Dragusha bëri të ditur se aktualisht në OAK janë të regjistruar 606 avokatë, ndërsa salla në të cilën ai e kishte paraparë që ta mbante Kuvendin mezi përmbushi kriteret për 250 pjesëmarrës, disa prej të cilëve u detyruan që të qëndronin në këmbë.

Saktësisht e njëjta ka ndodhur edhe në Kuvendin e kaluar. Realisht shqetësimet në lidhje me dështimin e këtij Kuvendi, përkatësisht mospërmbushjen e kuorumit (anëtarët e nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe zgjedhjes së kryetrarit), janë shfaqur qysh para fillimit të mbledhjes nga drejtuesit e OAK, të cilët kanë folur për gazeta JnK, ngase qenka pritur mosardhja e shumicës së anëtarëve të tjerë.

Musa Dragusha kritikoi gjatë mbledhjes anëtarët të cilët nuk i kanë përmbushur detyrat e veta duke injoruar Kuvendin. Por, kritikave nuk iu ka shpëtuar as ai. Kishte avokatë të shumtë të cilët shprehen pakënaqësitë e tyre në drejtim të vetë Dragushës si dhe anëtarëve të bordit drejtues të OAK’së.

Sipas avokatit, Blerim Hoxha, OAK’ja as që është siguruar që të ftojë të gjithë anëtarët. “Është faji i Odës për mos njoftim…Oda duhet me u siguru që avokatët të kenë pranuar ftesat”. Ndërsa, për avokatin Haxhi Millaku, është absurde që të paramendohet të mbahet një  Kuvend me 606 anëtarë në një sallë e cila mezi kishte vend për ata pjesëmarrës që ishin. “Nuk e di a është menduar si duhet mbajtja e këtij Kuvendi”.

Kritika pati edhe ndaj rregullativit ligjor te Odës. Sipas avokatit, Teki Bokshi ka defekte ligjore, te cilat pengojën punën e Kuvendit. “Duhet të bëhet ndryshimi i dispozitave ligjore”.

Përkundër faktit që nuk ka pasur kuorum për fillimin dhe  mbajtjen e Kuvendit, fjalët tyre hyrëse i thanë edhe përfaqësues të institucioneve tjera mjaft të rëndësishme.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës(KGJK), Enver Peci, e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet gjyqësorit dhe avokatisë.  Ai tha se pritet që së shpejti të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi ndërmjet KGJK-së dhe OAK-së. “Vitin e ardhshëm besoj se do të nënshkruajmë edhe memorandumin e bashkëpunimit”, tha Peci.

Rëndësinë e bashkëpunimit me avokatinë e shprehi edhe prokurorja Laura Pula, si përfaqësuese e Prokurorisë së shtetit.  “Kjo mund të bëhet më së miri në diskutime dhe tryeza të përbashkëta, të cilat nuk duhen të merren vetëm si obligime ligjore por edhe morale në drejtim të luftimit të krimit”.

Përveç përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë si dhe institucioneve bashkëpunuese të tyre si UNDP-së dhe Institutit gjyqësor, edhe përfaqësues të EULEX’it e nderuan këtë Kuvend që dështoi. Gjyqtari Francesko Florit madje ka mbajtur fjalim në gjuhën shqipe. “Avokatët me punën e tyre ndihmojnë gjykatësit”, tha Florit.

Sidoqoftë, kryesuesit e Odës nuk arritën t’ia shpaguanin mundin atyre. Kuvendi i paraparë për të dielën është shtyrë deri më 29 tetor të këtij viti, ku pritet që të votohet për kryetarin e ri të Odës si dhe të shqyrtohen amendamentimet e ligjit mbi avokatinë, statutin e OAK’së dhe amendamentimin e normativës së OAK-së, pika të parapara të shqyrtoheshin në Kuvendin e së dielës.