E Mërkura, Afati i Fundit

(E plotësuar) Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, e ka pranuar se dy konvoje të paqeruajtësve, të nisura të martën për në dy pikat kufitare në veri, janë ndaluar nga serbët në barrikada. Drews ka shprehur zhgënjimin me serbët e atjeshëm, por është zotuar se të mërkurën do të hapin korridorin e lëvizjes për transportin e ushtarëve të KFOR-it në dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak.

“Sot kam nisur dy konvoje në dy pikat kufitare dhe nga informacionet e para që kam, të dy ato janë ndaluar. Nuk kanë kaluar dhe në këtë aspekt mund të them se tani jam shumë i zhgënjyer. Qytetarët në veri nuk e kaluan testin”, ka thënë gjenerali gjerman.

Ai i bëri komentet gjatë një vizite në Lipjan, ku takoi  kreun e kësaj komune, Shukri Buja, transmetojnë mediet.

KFOR’i Nis Furnizimin Tokësor

KFOR’i ka njoftuar se rreth orës 10 paradite, dy konvoje të KFOR’it filluan misionin e tyre për të furnizuar trupat e KFOR’it në portat në Jarinjë dhe Bërnjak nëpërmjet rrugës në veri të Kosovës.

“Qëllimi i Komandantit të KFOR’it është të testojë lirinë e lëvizjes në përputhshmëri me kërkesën për largimin e barrikadave. Sipas rezultateve të misionit të rifurnizimit, KFOR’i do të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme të duhura”, thuhet në një komunikatë shtypi të KFOR’it.
 
KFOR’i rikujton se misioni i tij është të mbajë një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe të sigurojë liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. KFOR’i thekson se do të vazhdojë ta bëjë këtë fuqishëm, me kujdes dhe me paanshmëri në pajtueshmëri të plotë me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara.

Misioni i NATO’s në Kosovë kishte paralajmëruar se të martën do të fillojë aksionin për largimin e barrikadave të vëna nga serbët në veri të vendit.

Aksioni ishte planifikuar të fillonte në ora 10, kur nga fshati Maxhunaj do të nisej makineria e KFOR’it, e cila është dedikuar për heqjen e barrikadave.

Por mediat lokale raportojnë se, gjatë një takimi të mbajtur në veri të Kosovës, ndërmjet përfaqësueseve të KFOR-it dhe përfaqësueseve të serbëve të veriut, serbët kanë pranuar që të lejojnë qarkullimin e lirë të KFOR-it në veri të vendit, por jo të Policisë së Kosovës dhe Policisë së EULEX-it.

Kryetari paralel në veri të Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka thënë se një vendim do të merret në takimin e përbashkët të strukturave paralele që do të mbahet, të mërkurën, në Zubin Potok.

“Propozimi ynë është që KFOR-it t’i mundësohet lëvizje periodike e lirë në qarkullimin e tyre dhe dërgimin e ushqimit për ushtarët që ndodhen në pikat kufitare në veri të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se ata do të kenë lëvizjen e lirë të plotë, sepse një gjë të tillë tani nuk e kanë as serbët”, është shprehur Pantic.

Ndërkohë, që nga mëngjesi i sotëm në barrikadën në Zupç që çon në drejtim të pikës kufitare Bërnjak, janë tubuar serbë kryesisht nga Kollashini, ndërsa situatë e njëjtë është edhe në barrikadën afër Leposaviqit.

Edhe në Mitrovicë pranë urës kryesore të Ibrit vazhdojnë të qëndrojnë një numër i serbëve të cilët që nga ora tetë e mëngjesit janë duke protestuar kundër vendimit të KFOR-it për heqjen e barrikadave dhe shtrirjes së pushtetit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit.