Foto nga Atdhe Mulla

E Ardhmja e Varfër e Kosovës

(Artikulli origjinal është shkruar ne gjuhën angleze, përkthimi nga redaksia)

Kosova është e varfër. Kjo ëshë klishe, por një klishe të cilën shpesh e neglizhojmë kur duam të flasim për zhvillimet pozitive në Kosovë, imazhin dhe përpjekjet për ta bërë atë të njihet si shtet. Por, e vërteta qëndron se me një klasë politike të korruptuar, sundim të ligjit thuajse joekzistues, autostrada me prioritet mbi shëndetin, me shkallë të papunësisë prej 32.9% në grupmoshat punëtore dhe 57.7% papunësi të rinisë, Kosova mbetet një ndër shtetet më të varfëra të rajonit.

Rreth 29.2% e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri relative dhe 8.2% e popullsisë jeton në varfëri të skajshme (me më pak se 1.02 euro në ditë), çka do të thotë se 27,609 familje përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale. Të dhënat nga studimet vërtetojnë se shumica e qytetarëve jetojnë me të ardhura mujore prej më pak se 500 euro. Pjesa më e madhe e asaj shpenzohet në ushqim dhe pajisje shtëpiake, dhe mbetet pak për kujdes shëndetësor, e mos të përmendim pushimet dhe rekreacionin. Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare 2015 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, 43% e të ardhurave shpenzohet në ushqim, 30% në strehim, kurse edukimi dhe kujdesi shëndetësor shihet si luks; vetëm 3 për qind e buxhetit familjar shpenzohet në kujdes shëndetësor, vetëm 1 përqind në edukim dhe më pak se 1 përqind në aktivitete rekreacionale.

Këto të dhëna vërtetojnë cilësinë e ulët të jetesës në Kosovë dhe shërbejnë si tregues që kosovarët kryesisht punojnë për të mbijetuar, pak prej tyre kanë kushte për një jetë të kënaqshme dhe të pasurit janë minoritet. Grave, gjysmës së popullsisë së vendit, u mungon qasja në tregun e punës. Për shkak të mungesës së politikave për pushim të lehonisë, ato dekurajohen të kërkojnë punë dhe të punësuarat shpeshherë ‘inkurajohen’ ta lënë punën nëse lindin fëmijë.

Shkalla e papunësisë në rininë mes moshës 15-24 vjeçare shfaqet si problem i madh, edhe pse në një shoqëri normale dhe të drejtë, kësaj grupmoshe duhet t’i ofrohen mundësi të mëdha edukimi dhe të zhvillohen si individë dhe profesionistë. Në anën tjetër, burrat dhe gratë me nevoja të veçanta vazhdojnë të diskriminohen edhe në arsim, edhe punësimit. E njëjta vlen edhe për grupet tjera të margjinalizuara si romët, ashkalitë dhe egjiptasit.

Njëra ndër çështjet kryesore që shtyen njerëzit edhe më thellë në varfëri është mungesa e shërbimeve të përballueshme shëndetësore. Lista e Barnave Esenciale nuk është plotësuar asnjëherë sepse buxheti i qeverisë mund t’i mbulojë vetëm 60% të barnave në këtë listë. Pacientët nuk kanë zgjidhje tjetër veç t’i blejnë barnat vetë, por dhe u duhet t’i blejnë produktet bazike si epruvetat, shiringat dhe gjësende tjera të rëndësishme që do të duhej të siguroheshin nga sistemi publik i shëndetësisë. Kjo situatë nuk pritet të përmirësohet kur kemi parasysh se në vitin 2016 Kosova planifikon të shpenzojë 210.2 milionë euro në rrugë (kryesisht të ndërtuara dobët dhe me nevojë të vazhdueshme të riparimit), kurse vetëm 180.5 milonë në shëndetësi.

Për më shumë, trajtimi i sëmundjeve serioze si kanceri është kryesisht e papërballueshme për familjet. Shkalla e shpeshtësisë së kancerit të gjirit thuhet se është rritur këtë vit. Barnat që do të duhej të ofroheshin nga Ministria e Shëndetësisë shpeshherë nuk sigurohen, gjë që rrjedhimisht detyron gratë dhe familjet të kërkojnë trajtim në institucione të shtrenjta private të shëndetësisë.

“Pagova 230 euro vetëm për një MRI [rezonancë magnetike], është tepërt shtrenjtë për mua edhe pse jam e punësuar,” thotë një grua me të cilën fola së fundi dhe nuk dëshiroi t’i zbulohet identiteti për shkak të privatësisë dhe sëmundjes së saj. Trajtimi i kancerit të gjirit, thotë ajo, është tejet i shtrenjtë kur konsideron se përveç terapive të vazhdueshme ka dhe teste sistematike dhe referenca të vazhdueshme nga mjekët për t’i vizituar kolegët e tyre për testime dhe trajtim të mëtutjeshëm. Edhe pse këto referime i shtyjnë edhe më tutje kufijtë financiarë të individëve dhe familjeve, pacientët e që vuajnë nga kanceri janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo që u jep sado pak shpresë për të mbijetuar.

Me kaq pak mbështetje institucionale, mungesë të buxhetit dhe shërbimeve shëndëtësore, si dhe mungesë të të ardhurave të qëndrueshme financiare, kosovarët që luftojnë llojet e ndryshme të kancerit dhe sëmundje tjera të rënda nuk kanë zgjidhje tjetër veç të kërkojnë ndihmë nga qytetarët tjerë përmes fushatave në bashkëpunim me kompanitë e telefonisë mobile. Fushatat e këtilla përmes thirrjeve të hapura për ndihmë janë të vazhdueshme.

Buxheti i Kosovës ndan vetëm 268.4 milionë euro për arsim dhe shkencë. Investime të ngjashme modeste janë bërë edhe në vitet e shkuara. Sistemi i arsimit në Kosovë vazhdon të jetë një ndër më të dobëtit në rajon ku praktikohet plagjiatura edhe ndër profesorë dhe ka njerëz jokompetentë në krye të Universitetit të Prishtinës, institucionin qendror të edukimit në vend. Status quo-ja jep tmerrësisht pak shpresë për përspektiva të edukimit dhe shkencës në të ardhmen për profesionistë, mësimdhënës dhe ndërmarrës të rinj. Pa këto investime, do të jetë e vështirë të ushqehet një valë e re liderësh që do të krijonin vende pune dhe ta përmirësonin cilësinë e jetesës.

Forcat kapitaliste që ngriten nga qeverisja e dobët, korrupsioni dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale i fryjnë edhe më shumë zjarrit. Kompanitë e mëdha private të drejtuara nga biznesmenë që janë njëkohësisht deputetë apo biznesmenë në bashkëpunim të ngushtë me politikanë ia dalin t’i zhvillojnë bizneset e tyre dhe mburren që ofrojnë punë, por vazhdimisht shtypin punonjësit e tyre me rroga të ulëta dhe keqtrajtim. Nuk është çudi që të drejtat e punëtorëve nuk respektohen dhe shumë pak kanë llogari lënë vendin e punës.

Kosova vazhdon të jetë një vend i varfër dhe i padrejtë me një sistem të korruptuar politik që i mungon kujdesit shëndetësor dhe punësimi. Ajo nuk është as afër përmbushjes së Objektivave bazike të Zhvillimit të Qëndreshëm siç janë zvogëlimi i urisë dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies. Për më shumë, jetesa në Kosovë në këto kushte vështirësohet edhe më shumë kur merret parasysh shkalla e lartë e dhunës ndaj gruas, mungesa e sigurisë së përgjithshme dhe diversionet sikur thirrjet politike për “bashkimin kombëtar”.

Si një shtet i ri që përpiqet ta arrijë një qeverisje demokratike dhe liberale të frymëzuar nga modelet e begata të shumë shteteve evropiane, kosovarët nuk duhen kurrë të mjaftohen me mediokritetin të promovuar nga klasa politike në pushtet. Duhet të heqim dorë përfundmisht nga arsyetimi i “fazës së tranzicionit” dhe të kërkojmë kujdes më të mirë shëndetësor, si dhe një arsimim të rregullt dhe të papolitizuar. Gjithashtu duhet të kërkojmë një standard më të lartë të jetesës dhe punë të mirë me pagesë të arsyeshme si pjesë e një sistemi ku shkuarja në pushime nuk është luks por nevojë, dhe ku teatri, ekspozitat artistike apo çdo mundësi kreative mund të gëzohet nga shumica.