Dy të Arrestuar për Vrasjen në Prishtinë

Policia njoftoi të enjten se për rastin e vrasjes së 14 vjeçarit me inicialet F.K., në oborrin e shkollës “Emin Duraku” të Prishtinës, ka arrestuar dy persona, shtetas të Kosovës.

Sipas policisë, të arrestuar janë 17 vjeçari me inicialet L.S. dhe 24 vjeçari A.S. i pari dyshohet për kryerjen e vrasjes dhe plagosjes, ndërsa i dyti për bashkëveprim në kryerjen e vrasjes.

F.K., u vra të mërkurën, ndërsa gjatë të njëjtit sulm u plagos moshatari i tij Ç. B.

Zëdhënësi i policisë Baki Kelani, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk deshi të flasë për motivet e sulmit, pasi tha se ato i cakton gjykata.

Familja Maliqi-Sekiraqa nga fshati Mazgit i Obiliqit me anë të një deklarate mohoi pjesëmarrjen në këtë vrasje, kjo pasi disa media shkruan se ata ishin kryesit. Kësaj familjeje dikush nga familja e fëmijës së vrarë, ua vrau një djalë nëntorin e vitit të kaluar.

“Është shumë e vërtetë që në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarë të familjes K., pjesëtar i së cilës thonë mediat të jetë edhe fëmiu i vrarë sot, vranë në oborr të shtëpisë djalin tonë Amir Sekiraqa dhe plagosën rëndë babain e tij, Salihun dhe djalin e axhës Mehmet Maliqin. Por, ata u vetëdorëzuan një ditë më vonë dhe tani janë në paraburgim”, thuhet në reagimin e kësaj familjeje.

Ata më pas thonë të jenë ndjerë të prekur nga aludimi medial në ta për vrasjen, duke thënë se i besojnë drejtësisë, ndërsa edhe sikur të ndiqnin Kanunin e Lekë Dukagjinit, nuk do ta vrisnin një fëmijë.

Baki Kelani tha se policia është duke bërë hetime, por nuk deshi të flasë nëse këto dy vrasje, ajo e vitit të kaluar dhe kjo e tashmja kanë lidhje mes vete. Ai shtoi se për të gjitha të rejat do të njoftohen mediat.

Vrasjen dhe plagosjen që ndodhi në Prishtinë, e dënoi edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve- KOMF.

Duke ndjerë keqardhje për këtë rast tragjik, ky rrjet vlerësoi se siguria në shkolla nuk është në nivelin e duhur.

“KOMF-i u bën thirrje të gjitha instancave përgjegjëse dhe veçanërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme që të rrisë menjëherë dhe në mënyrë të padiskutueshme nivelin e sigurisë si në ambientet e shkollave dhe përreth, po ashtu edhe në përgjithësi, në mënyrë që ngjarje të tilla me pasoja fatale ku viktima të drejtpërdrejta janë fëmijët të mos përsëriten”, thuhet në reagimin e 15 organizatave për të drejtat e fëmijëve.

Vrasjen e së mërkurës e dënoi edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

08 01 2014 16:56

Vritet i Riu që Erdhi për Vizitë në Kosovë

Një kalimtar i moshës 14-vjeçare është vrarë dhe një nxënës është plagosur në oborrin e shkollës fillore “ Emin Duraku” në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Jeta në Kosovë Policia Rajonale në Prishtinë. Flora Ahmeti, zyrtare për informim në polici, ka  thënë se një person është vrarë sot në orën 12 e 20 minuta afër shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë dhe një tjetër është plagosur.

Sipas saj, ende nuk dihen motivet e sulmit dhe  se cili nga personat ka qenë caku i sulmit, kurse personi i cili ka gjuajtur ne drejtim te të miturve është ende në arrati.

Policia në një komunikatë të lëshuar pasditen e së mërkurës saktëson se nga ky sulm, plagë që i kanë shkaktuar vdekjen ka marrë 14 vjeçari me inicialet F. K., ndërsa është plagosur moshatari i tij me inicialet Ç. B.

Ndërsa drejtoresha e shkollës fillore  “Emin Duraku”  Valbona Hadri, thotë se rasti nuk ka të bëjë asgjë me shkollën dhe se viktima nuk është  nxënës i shkollës së tyre.

“Ne kemi qenë në mësim kur kemi dëgjuar të shtënat”, tha ajo duke shtuar se viktima as nuk është i lagjes se tyre.

 “ Viktima me sa di unë jetonte jashtë Kosovës, në Suedi dhe ka ardhur në vizitë në Kosovë”, shtoi drejtoresha.

Një gjë të tillë e konfirmoi edhe policia e Kosovës duke mos dashur te japin detaje te tjera rreth rastit.

Kurse Ekrem Blakqori, babai i Çlirim Blakqorit, djalit të plagosur i cili është vetën 14 vjeç, thotë se djali i tyre tani është jashtë rrezikut për jetë.

“ Ia kanë larguar plumbin dhe na thanë se Çlirimi është jashtë rrezikut për jetë”. Ai me tutje shton se familja e tyre nuk ka as një mosmarrëveshje me askënd, dhe nuk e di qëllimin e sulmit.

Vendin ku ka ndodhur krimi e kanë vizituar edhe zëvendësministri i Arsimit Nehat Mustafa dhe drejtori i Arsimit në Prishtinë, Jusuf Thaçi.

Ndërsa Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës ka reaguar në lidhje me rastin, duke i quajtur shkollat si vende jo të sigurta.

“ Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës kërkon nga institucionet e Kosovës që merren me çështjet e sigurisë që nga fjalët të kalojnë në vepra dhe të krijohet një ambient i sigurt i jetesës dhe arsimimit për të rinjtë”, thuhet në deklaratën e Rinisë Evropiane.