Nedzad Avdiç në memorialin e Srebrenicës. Foto: BIRN.

Duke iu Shmangur Vdekjes në Ekzekutimet Masive në Srebrenicë

Pas rënies së Srebrenicës në duart e forcave serbe të Bosnjës më 11 korrik 1995, Nedzad Avdiç, babai i tij dhe shumë burra të tjerë boshnjakë u arratisën nëpër pyjet e afërta në përpjekje për të arritur territorin e kontrolluar nga Ushtria Boshnjake, ku ata mund të ishin të sigurt.

“Babai im më tha se do të shkonte me një varg njerëzish dhe se më takonte mua të vendosja se ku do të shkoja – në kompleksin e Kombeve të Bashkuara (në Potocari afër Srebrenicës) apo përmes pyjeve me të. Ne krijuam një varg të gjatë me njerëz dhe iu drejtuam Zvornikut,” kujton Avdiç.

“Bombardimet filluan menjëherë pasi u larguam nga fshati Susnjari. E humba menjëherë babanë dhe mbeta krejt i vetëm. Unë nuk njihja asnjë nga ata burra,” tha ai.

Burrat që po largoheshin u bombarduan nga forcat serbe dhe situata u bë gjithnjë e më e vështirë.

“Të plagosurit luteshin më kot për ndihmë. Të rrethuar nga frika dhe kaosi, askush nuk u kushtonte vëmendje atyre. Duke përdorur megafonë, ushtarët serbë i ftuan njerëzit të dorëzoheshin,” tha Avdiç.

Trupat serbe i trajtuan njerëzit në një “mënyrë të drejtë dhe korrekte” derisa të gjithë ata dolën nga pylli për t’u dorëzuar, shpjegoi ai – por pastaj ata filluan t’i keqtrajtonin dhe të abuzonin me boshnjakët dhe kërkonin që ata t’u dorëzonin paratë e tyre.

“Ata na çuan në një lëndinë. Filluan të na keqtrajtonin edhe më shumë. Ata na detyruan të brohorisnim parulla si “Rroftë mbreti! Rroftë Serbia” dhe të thoshim “Srebrenica është tokë serbe” e kështu me radhë,” tha Avdiç.

Në fillim të mbrëmjes, boshnjakët iu transportuan nga lugina drejt Zvornikut me kamionë. As Avdiçi dhe as të tjerët nuk besonin se ata po transportoheshin diku për t’u vrarë.

“Njerëzit besonin se ata po na çonin në qytetin e Kalesijës, siç premtuan kur ne u dorëzuam. Megjithatë, kamionët morën një rrugë midis. Menduam se nëse ata donin të na vrisnin, do ta kishin bërë menjëherë këtë. Megjithatë, ata kishin vende speciale për të kryer vrasjet,” tha ai.

Avdiç, i cili u kap në zonën e Bratunacit më 13 korrik 1995 bashkë me boshnjakë të tjerë, më pas u transportua në fshatin Petkovic, pranë Zvornikut, dhe u mbyllën në ndërtesën e një shkolle.

Luftëtarët serbë të Bosnjës rrahën disa nga të ndaluarit nëpër korridoret e shkollës, tha ai.

“Dëgjuam britma dhe të qara. Klasat ishin të tej mbushura. Nuk kishte ujë, ajër… Pimë urinën tonë që të mbijetonim. Njerëz vdiqën nga i nxehti me kuptimin e plotë të fjalës,” shpjegoi ai.

Të njëjtën mbrëmje, ai dhe të tjerë u çuan në digën Petkovci për t’u vrarë më pas.

Gjak në tokë

Sapo ra nata, filluan vrasjet masive.

“Ata merrnin nga dy ose tre burra me radhë. Sapo ata dilnin nga ndërtesa e shkollës, dëgjonim të shtëna me armë. Në atë çast kuptuam se nuk do të na shkëmbenin me të burgosur serbë, por do të na vrisnin,” tha Avdiç.

Atij i erdhi radha rreth mesnatës. E nxorën nga klasa bashkë me një grup burrash, të lidhur, me sytë e lidhur dhe i hipën në një kamion.

“Shkela në diçka të rrëshqitshme. Kuptova se ishte gjak,” tha ai.

Rruga drejt digës Petkovci zgjati rreth dhjetë minuta, pastaj na urdhëruan të zbrisnim nga kamioni dyshe.

“Kur zbritëm nga kamioni, ata do të hapnin zjarr. U përpoqëm të fshiheshim pas njëri-tjetrin, gjë që ishte një reagim i natyrshëm i shkaktuar nga frika. Donim të jetonim edhe disa sekonda më shumë,” tha ai.

Në atë moment, ai kishte vetëm dy gjëra në mendjen e tij.

“Mendova me vete se doja një vdekje të shpejtë dhe pa vuajtje. Dhe mendova se nëna ime s’do ta merrte vesh kurrë se ku vdiqa,” kujton ai.

Pasi zbriti nga kamioni, ai u urdhërua të shtrihej përtokë.

“U rrëzova në tokë. Nuk e di nëse humba ndjenjat apo isha i mbingarkuar nga frika dhe lodhja. Më qëlluan në krahë dhe në këmbë. Dëgjova plumbat të fishkëllenin përreth meje. Një tjetër plumb më goditi në stomak ndërkohë. Dhimbja ishte e tmerrshme. Pashë burrat të rrëzoheshin përtokë të vdekur. Isha i rrethuar nga qindra njerëz të vdekur,” tha ai.

Pas breshërisë së plumbave, pati një pauzë. Avdiç kuptoi se ekzekutimi masiv kishte mbaruar.

“Një nga ushtarët serb i tha kolegut të tij: ‘Jovo, kontrollon trupat. Nëse ndjeni ngrohtësi pranë ndonjërit prej tyre, qëlloni një tjetër plumb në kokë.’ Ai mallkoi dhe tha se të gjithë ishin të vdekur,” tha ai.

“Në atë moment një çizme ushtarake shkeli pranë kokës time. Mendova se në atë çast do të më qëllonin me plumb në kokë. Megjithatë, ata vranë një burrë pranë meje, i cili po rënkonte. Dhimbja ishte e tmerrshme. Iu luta Zotit t’i linte të më vrisnin sepse nuk e duroja dot më atë,” shtoi ai.

Kur motori i kamionit u ndez përsëri Avdiç kuptoi se ekzekutimi masiv kishte mbaruar, të paktën për atë ditë. Pak kohë më pas, ushtarët serbë u larguan dhe Adviç pa një tjetër të plagosur të lëvizte.

“E pyeta nëse ishte gjallë. U rrokullisa mbi trupat e vdekur për të arritur tek ai në mes të natës. Ishte e tmerrshme. Arritëm ta zgjidhnim njëri-tjetrin. Më pas u zvarritën më një hendek në mes të shkurreve para se shtarët të ktheheshin përsëri. Ai burri hoqi këmishën e tij dhe më lidhi plagën që kisha në këmbë,” tha ai.

Duke u fshehur nëpër pyje

Të dy të mbijetuarit u endën nëpër pyje për ditë të tëra, por nuk e kishin idenë se ku ishin. Ndërsa fshiheshin në një pyll, ata panë boshnjakë të tjerë t’i sillnin aty për t’i vrarë.

“Pamë të vrisnin civilë nga ai pyll për ditë me radhë. Skavatorët ngarkonin trupat e vdekur nëpër kamionë dhe më pas i çonin diku,” kujton Avdiç.

“Ne ishim të plagosur dhe flinim në pyll, në një varrezë ortodokse, nëpër shtëpi të shkatërruara. Nuk e dija se çfarë dite ishte. U endëm nëpër fshatra serbe për pesë apo gjashtë ditë. Nuk e dinim se ku ishim apo ku po shkonim. Përveç të gjitha vuajtjeve, duhet të shmangim ushtarët serbë që patrullonin zonën,” tha ai.

Pasi u end për pesë apo gjashtë ditë, Avdiç dhe i mbijetuari tjetër boshnjak dëgjuan një burrë dhe një grua duke folur me njëri-tjetrin në një fshat. Ata ishin myslimanë.

“Dëgjova gruan të thoshte: ‘Allahu do t’i ndëshkojë armiqtë tanë për të gjitha gjërat që ata i kanë bërë popullit tonë.’ Në atë çast kuptova se ishim në territor të lirë. Ende nuk e di si arritëm atje,” tha Avdiç.

Emri i fshatit në të cilin kishin arritur ishte Vitinica. Prej aty, Avdiç u transportua në një spital në Tuzla.

Xhaxhai i tij u vra në Petkovci dhe eshtrat e tij u gjetën në disa varre masive. Babai i tij u vra në një tjetër vend. Shumë nga të afërmit e tij, të cilët shkuan në kompleksin e OKB-së në Potocari pranë Srebrenicës duke kërkuar siguri, u vranë gjithashtu brenda një dite të vetme.

Avdiç më vonë u diplomua për ekonomi në fakultetin në Tuzla dhe që atëherë ka dëshmuar disa herë në gjykatë për ato që ai kaloi në korrik të vitit 1995.

Ai ka folur gjithashtu për eksperiencat e tij të tmerrshme në universitete në të gjithë botën. Universiti i Lutonit në Britani i dha atij një doktoratë nderi për angazhimin e tij për të drejtat e njeriut.

Ai u kthye më në fund në Srebrenicë 12 vjet pas gjenocidit.

“U ktheva përgjithmonë në këtë vend, Srebrenica është histori për disa njerëz, por për ne ajo është jeta jonë,” shpjegoi ai.

Ai thotë se nuk urren asnjë.