Drenasi që ‘Hidhëron’ Heronjtë

Dhjetëra njerëz ka mbytur treni në hekurudhën e cila kalon përmes Drenasit. Sidomos në pikën që duhet kaluar me veturë për t’u futur në qytet. Rasti i fundit ishte ai i dy vajzave të vogla që i goditit lokomotiva e trenit aty pranë stacionit të vjetër të trenit që tani është shndërruar në restorant. Qyteti hapet disi në anën e majtë të rrugës që kalon mbi hekurudhë sapo kalohet rrethi i cili të lidhë me komunën fqinje të Skenderajt.

Pjesa ku ndodhet ndërtesa e komunës duket sikur Bregu i Diellit në Prishtinë. Koncept i njejtë i ndërtesave të ndërtuara në kohën e Jugosllavisë. Janë disi me tulla të kuqe dhe pakëz gjelbërim. Nuk janë të larta po mjaft të mëdha. Të paktën, duken të dinjitetshme për të jetuar në to krahasuar me këto të rejat që vërehen qartë se nuk janë menduar për të rehatuar njerëz, por për të rehatuar pronarët që do të shesin sa më shumë njësi banesash në sa më pak hapësirë.

Drenasi i ka rreth 67 mijë banorë. Buxheti i shtetit që i takon sipas ligjit është diku rreth 12 milion Euro.

Salla e asamblesë ishte e mërdhirë në ndërtesën e vjetër të komunës, ndërkohë që ndërtesa e re e ndërtuar nga BE-ja priste për t’ia bërë përhajër. Disa probleme administrative e ndoshta edhe teknike të ndërtimit e kanë lënë personelin e komunës ende në këtë ndërtesë të vjetër.

Asambleistët e opozitës kishin filluar të mblidheshin para derës së sallës së asamblesë komunale ndërkohë që ata të opozitës po vonoheshin. Disa zyrtarë që vinin e shkonin ndjeheshin keq për sallën e ftohtë dhe që nuk kishin bërë asnjë përpjekje për ta ngrohur para se ekipi i Jeta në Komunë të zbarkonte në Drenas. Tash ishte vonë.

Në të djathtë të sallës, po të shihje nga foltorja e kryetarit vareshin katër fotografi të mëdha. Nga fundi i sallës e tutje vinin Çerçiz Topulli, Fehmi Lladrovci, Adem Jashari dhe një pikturë monumentale e Skenderbeut. Këta të katërt shohin vërenjtur dhe me mosbesim.

Dukej sikur shikimet e tyre gati gati qortuese i drejtoheshin zyrtarëve të komunës që nuk e kishin ngrohur sallën. E këta të fundit, sa hynin në sallë, bënin ndonjë pyetje si për të treguar se po mundohen të ndihmojnë dhe pa një pa dy zbrisnin shkallët e i lëshonin vendin kolegëve të tyre që përsërisnin të njejtën gjë.

Salla tashmë dominohej nga opozita ndërkohë që të pozitës kishin ardhur vetëm kryetari dhe nja 4 asambleistë.

Një letër e madhe e shkruar me dorë në anën e majtë ishte gjëja e fundit që dikush priste ta shihte në një sallë asambleje të rriturish. “Deklaratë e Misjonit:  Ne jemi vizionar dhe të përgjegjshëm në identifikimin dhe ballafaqimin me problemet në bashkësi. Besojmë në sinqeritet dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim me partnerët për krijimin e një ambienti të sigurtë për qytetarët duke respektuar ligjin”.

E kapur me ngjitës në 7 a 8 vende dhe që dukej vërtetë shëmtuar ishte gjëja më fantastike që mund të shihje në asamble. Tani merrte kuptim edhe shikimi i ngrysur i heronjve. Në ndërkohë asambleistët ishin ulur në bankat e tyre dhe dukeshin tamam sikur nxënës.

Kryesuesja e përkohshme Jeta Xharra kishte zënë ulësen e kryesuesit, kryetari ishte në foltore gati dhe debati po fillonte.

Pasi pa klipin dy minutësh të premtimeve që i kishte bërë para dy vitesh, kryetari u entuziazmua dhe tha se këto qenkan shumë pak premtime në krahasim me punët që sipas tij i kishte kryer. Por opozita qe e pamëshirshme. Akuzat filluan me asfaltin që vetëm para pak sekondash kryetari e përmendi si sukses.

Regjia madje nxorri foto të asfaltit të plasaritur, më mirë se kaq ishte një asambleist i LDK-së që kishte bërë fotografi gjatë verës ku bari kishte mbirë mespërmes asfaltit. Ndonëse mund të ngjallë ndjenja mallëngjimi për ndokë me prirje ekologjiste, puna ishte që asfalti i shtruar ishte nga më të hollët që është shtruar në Kosovë. Në fakt, sa i hollë e sa i dobët duhet të jetë asfalti që bari të mbijë mbi të?

Këto akuza kryetari i priste me një agresivitet që për ata që e njohin Nexhat Demakun përbënte një befasi pasi ai njihet si një burrë i ri e i qetë, edhe simpatik do të mund të thoshte ndokush.

Por kësaj radhe, ndoshta pse asambleistët nga radhëe kryetarit në shumicë nuk i kishin ardhur, ndoshta pse akuzat e cënonin egon e tij, ai ishte “agresiv”. Nuk i dëgjonte deri në fund asambleistët dhe shpesh ngrinte turinjtë e mbate gojën hapur kur u drejtohej atyre.

Ca akuza për çështje të ndryshme që shtrohen në çdo komunë, si puna e trotuareve a ndriçimit, a deponive ilegale kaluan si në heshtje. Por kjo që po vinte me radhë nuk duhej t’i ndodhte Drenasit.

Drenasi që njihet për një patriotizëm të theksuar, meqë edhe është në regjionin e Drenicës, emrin zyrtar e ka Gllogoc (versioni serb), por në vulën e komunës e ka shqiponjën dykrenare të flamurit kombtar shqiptar. Pak vetë do të mund ta merrnin me mend se nuk e ka zgjidhur çështjen e kategorive të luftës që nga viti 2000.

Madje në premtimin e fundit të kryetarit Demaku të dhënë gjatë fushatës zgjedhore ishte thënë se do të ndahej një tokë e madhe komunale e do të rregullohej infrastruktura për të ndërtuar një kompleks shtëpish për ato kategori. Kjo gjë nuk ka ndodhur, madje opozita insistonte që as parcelat s’janë ndarë.

E Çerçizi, Ademi, Fehmiu e Gjergji ishin ngrysur së tepërmi. Lëre punët e shtëpisë, por as ato të çështjes kombtare s’i ka zgjidhur ende Gllogoci. E as i ishte përmbajtur deri në përpikmëri betimit nga deklarata e shkruar me dorë në sallën e asamblesë “për krijimin e një ambienti të sigurtë për qytetarët duke respektuar ligjin”.

Por debati vazhdonte. Asambleistët kishin marrë inercion saqë edhe vet asambleisti i PDK-së Xhavit Drenori artikulonte akuza ndaj kryetarit nga partia e vet. Kjo vërtet ishte për tu çuditur.

PDK-ja nuk është se njihet për demokraci kaq të zhvilluar, e thënë të drejtën as Drenasi nuk ishte shquar ndonjëherë për akte demokratike. Megjithatë përpara nesh po ndodhte një akt i pjekurisë politike. Po heronjtë? A mos e kishin tani ata fytyrën të buzëqeshur?

Ata vazhdonin të shihnin vëngër. Nuk i bindte dot demokracia, përballë asaj që duket se kishin dëgjuar më parë e atyre që duket se kishin parë për sa vjet kishin ndenjur varur duke monitoruar asambleistët e komunës së Drenasit.