Drejtori Që Mbikëqyrë Veten

Naser Bajraktari, Drejtor i Departamentit të Ujërave në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka tri vjet që punon edhe si Kryesues i Bordit të ndërmarrjes publike “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

Në bazë të përshkrimit të punës në faqen zyrtare të Ministrisë, Departamentit të Ujërave mbulon “shfrytëzimin e ujërave, mbrojtjen e ujërave dhe mbrojtjen nga veprimet e dëmshme të ujërave”. Ndër të tjera departamenti lëshon leje ujore, bën planifikimin për shfrytëzimin e resurseve ujore, bën propozimin e projekteve kapitale dhe propozimin e buxhetit për financimin e projekteve dhe nevojave tjera për zhvillimin e resurseve ujore.

Bajraktari ishte emëruar drejtor i këtij departamenti më 9 shkurt 2009, ndërsa dy muaj e gjysmë më vonë, më 23 prill 2009, edhe kryesues i Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

Sipas deklarimit të tij të pasurisë në Agjencionin Kundër-Korrupsion (AKK) për Vitin 2011, Bajraktari merr 4,560 euro në vit si mëditje për aktivitetin e tij si Kryesues i Bordit të ndërmarrjes.

Drejtori i Departamentit të Parandalimit të konfliktit të interesit në AKK, Afrim Atashi, ka thënë se agjensioni do të hetojë rastin. “Rregullat e agjensionit nuk lejojnë të flasin diçka më shumë deri sa të arrihet në një vendim final”, ka thënë Atashi, për Gazeta Jeta në Kosovë.

Naser Bajraktari thotë se aktiviteti i tij si kryesues i Bordit të Drejtorëve në KRU “Hidroregjioni Jugor” Prizren nuk paraqet konflikt interesi bazuar në ligjin për ndërmarrjet publike, nenin 15 që rregullon zgjedhjen e drejtorëve të ndërmarrjes publike, nenin 17 për kushtet e kualifikimit dhe përshtatshmërisë profesionale si dhe nenin 21 për zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të ndërmarrjes.

“Kjo është e precizuar shumë qartë”, ka thënë Bajraktari.

Megjithatë, neni 17.2 (l) i ligit për ndërmarrjet publike në Kosovë rregullon se një drejtor nuk plotëson kushtet dhe përshtatshmërinë profesional nëse “ka çfarëdo konflikti të interesave që për nga natyra, do të shkaktonte që ky person të mos jetë në gjendje që në mënyrë rutinore, me besnikëri, në mënyrë të pavarur dhe objektive t’i përmbushë detyrat e tij fiduciare ndaj aksionarëve dhe NP’së”.

Edhe Ramadan Sejdiu, drejtor i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se sipas ligjit për ndërmarrjet publike kryerja e funksionit të kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren nga ana e Naser Bajraktarit nuk bie ndesh me ndonjë dispozitë të këtij ligji.

“Sidoqoftë, institucion kredibil për konstatimin e konfliktit të interesit është vetëm Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK)”, ka thënë Sejdiu.

Drejtori i ujërave Naser Bajraktari insiston se nuk mund të thuhet se ai punon në dy poste pasi aktiviteti në bord nuk është punë e përhershme. “Bordi është i obliguar të mbajë nga 6-12 takime në vit, dhe për ato takime merr mëditje”.

Ai ka shtuar se nuk do të hezitojë të konkurrojë prapë për t’u zgjedhur në bordin e drejtorëve të kësaj ndërmarrje.

“Hidroregjioni Jugor” ofron shërbimet e veta për komunat Prizren, Suharekë, Dragash dhe Malishevë. Në disa raporte të fundit të përformancës, Zyra Rregullatore për Ujë dhe Mbeturina (ZRRUM), që është rregullator i pavarur ekonomik për shërbimet e ujësjellësit dhe mbeturinave në vend dhe i Përgjigjet Parlamentit, kishte kritikuar këtë ndërmarrje për cilësinë e ujit si për zonën e mbulueshmërisë me shërbime për konsumatorët.

Sipas deklaratës së tij të pasurisë në AKK, shihet se Bajraktarit i punon edhe gruaja në një ndërmarrje tjetër publike që merret me ujin – në KRU “Radoniqi”.