A i Drejton Ligji ‘Njerëzit e Shtrembër’?

Disa net më parë, në një debat televiziv për gjendjen e artit në Kosovë, njëri nga debatuesit u ankua se Ligji për Teatrin pengon zhvillimin e këtij zhanri. Sipas tij, për të blerë gjëra elementare si molla, banane apo gjëra tjera të vogla për shfaqje teatrale, nevojitet përcjellja e një mori procedurash, marrja e disa nënshkrimeve, e deri edhe në shpallje të tenderit për shpenzime më të larta.

Një dukuri e tillë vërehet në secilin institucion. Duke u munduar të aprovohen ligje të cilat parandalojnë korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, bashkësia ndërkombëtare fillimisht, e pastaj edhe institucionet vendore, kanë krijuar procedura të komplikuara administrative. Me logjikën se në parim zyrtari publik kosovar është i korruptuar, është vepruar në drejtim të aprovimit të ligjeve të cilat do ti mbajnë nën kontroll këta keqpërdorues. Por, në vend se të ndalojnë keqpërdorimet, këto ligje dhe procedura administrative vetëm se e kanë vështirësuar kryerjen e punëve shtetërore.

Ky komplikim vërehet më së shumti në fushën e prokurimit publik. Duke marr parasysh se një e treta e buxhetit të shtetit shpenzohet përmes procedurave të prokurimit, dhe duke ditur se prokurimi është një ndër fushat me keqpërdorimet më të mëdha, janë krijuar së paku tri agjenci qendrore të cilat do të duhej të parandalonin keqpërdorimet ose të korrigjonin ato; ligji për prokurimin publik është një ndër ligjet më voluminoze dhe më të vështira për tu kuptuar; si dhe në këtë proces janë të përfshirë një numër i madh i zyrtarëve publik. Por prapë se prapë, korrupsioni në këtë fushë nuk ka arritur që të ndalet.

Njësoj janë procedurat edhe sa i përket investimeve në energjetikë. Për tu pajisur me licencë për prodhim energjetik nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji, një investitor potencial në fushën e energjisë së përtëritshme nevojitet të marr pëlqimin e institucioneve komunale në territorin e së cilave bëhet investimi, leje nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës në rast se hapësira investuese është në pronësi të kësaj agjencie, leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, e një mori lejesh tjera të cilat kanë afate të ndryshme të vlefshmërisë dhe shpesh ndodhë që deri në marrjen e licencës nga ZRRE, ndonjë nga pëlqimet e marra të skadojë. Kjo burokraci kaq e madhe ka vështirësuar investimet në këtë fushë.

I njëjti komplikim haset edhe në krijimin e ndërmarrjeve të reja publike me pronësi komunale. Përkundër asaj se Ligji për ndërmarrjet publike ua lejon komunave që të krijojnë ndërmarrje publike të qëndrueshme financiarisht, komunat duhet të aplikojnë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për një leje të tillë. MZHE pastaj duhet ta shtyje këtë kërkesë për aprovim tek Komisioni Ndërministror për Ndërmarrje Publike dhe të pres me muaj të tërë apo edhe vite që ky komision të mblidhet dhe të marr vendim. Pas aprovimit nga Komisioni Ndërministrorë, kërkesa shtyhet tutje në mbledhje te Kabinetit Qeveritar të cilët duhet ti japin aprovimin përfundimtarë. Në disa raste, si shembulli i ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” apo kërkesës së Komunës së Hanit të Elezit, një proces i tillë mund të zgjas deri në dy vite.

Këta dhe shembuj të tjerë tregojnë se ligjet dhe procedurat administrative, me qëllim të luftimit të keqpërdorimeve në sektorin publik, kanë krijuar një situatë të vështirë qeverisëse. Por, përkundër këtyre përpjekjeve për të luftuar keqpërdorimet, ajo çfarë po ndodh në praktikë është se zyrtarët e korruptuar gjejnë mundësi të shumta për të ushtruar veprimtarinë e tyre korruptuese, kurse zyrtarët që punojnë ndershëm e kanë të pamundur që të veprojnë me efikasitet në kuadër të kësaj baze ligjore të çoroditur.

Ky problem nuk duket se është unik për Kosovën e as vetëm i kohës sonë. Mbi 80 vite më parë, Faik Konica shkruante për të njëjtin problem në administratën shtetërore të Shqipërisë. “Besimi i cave se duke shumëzuar kanunet dhe rregulloret, zyrtarë nuk do të mundin të vjedhin është besim i përgënjeshtruar çdo ditë në botë. Për njerëz të shtrembër, s’ka gjë më të lehtë sesa të bëjnë faje e padrejtësira të matura me një mënyrë të tillë që të mos zihen.” – shkruante Konica në esenë e tij “Robotët apo ‘Njerëzit-Makina’”.

Përderisa vendet me historik të gjatë të administratës publike kanë kaluar me vite të tëra nga procesi i ndërtimit të administratës e pastaj tek nevoja për reformim dhe thjeshtëzim, Kosova për një periudhë të shkurtër, vetëm 15 vjeçare, ka kaluar nga procesi i ndërtimit në një nevojë urgjente për thjeshtëzim të procedurave administrative. Andaj, ligjet dhe procedurat aktuale duhet të ndryshohen, me qëllim që ti hapin rrugë kryerjes së punëve shtetërore. Në fjalët e Konicës, njerëzit e shtrembër nuk mund të drejtohen me më shumë rregullore e procedura. Kjo do të duhej ti lihej gjykatave.