'Drejtësia në Kosovë'- Gjithçka që u Shfaq nga Janari në Dhjetor

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” gjatë vitit 2017 transmetoi dhjetëra hulumtime të realizuara në terren. Në përmbledhjen për fundvit e cila u transmetua të premten e fundit të 2017-ës, pjesë e emisionit ishin hulumtimet më të mira që janë realizuar nga ekipet e gazetarëve të “Drejtësia në Kosovë”.

Po ashtu pjesë e emisionit të fundit ishin edhe dy emisionet që u shpërblyen me çmimin e parë kundër korrupsionit për vitin 2017 “Mito në Gjykatë”.

Në vijim të kësaj përmbledhjeje lexoni të përmbledhura të gjitha ato hulumtime që ishin pjesë e emisionit me të cilin “Drejtësia në Kosovë” e përmbylli vitin 2017.

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” i transmetuar në fillim të vitit 2017-të, kryetarja e Gjykatës së Deçanit, Safete Tolaj, pasi u përball me filmimet ku shihej djali i saj duke marrë mito e kishte një porosi për djalin e saj.

“Djalit çka ka me i thanë, i them se ti ke mu përgjigjë patjetër. Ai s’ka me pasë me mu kurgjo”, ka thënë Tolaj. Ajo kishte shtuar se nuk ka qenë në dijeni për atë se çfarë bënte djali i saj mbrapa shpinës së saj.

Vetëm pak orë pas publikimit të njoftimit për emisionin e datës 13 janar Prokuroria e Shtetit kishte kërkuar ndihmën e ekipit të “Drejtësia në Kosovë”. Dhe më pas realizoi bastisje në shtëpinë e gjyqtares dhe djalit të saj, i cili ishte arrestuar nga policia. Ndërsa, gjyqtarja Tolaj ishte shoqëruar për në polici për `t’i sqaruar një mori dokumentesh me vula të gjykatës të cilat iu gjetën në shtëpinë e saj.

Disa muaj më vonë, prokuroria ngriti aktakuzë ndaj gjyqtares Tolaj dhe djalit të saj. Aktualisht ndaj tyre është duke u zhvilluar një proces gjyqësorë në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Hulumtimi i radhës ishte ai për dyshimet për krime lufte më 1998. Në janar u transmetua hulumtimi tjetër për ish-ushtarin e UÇK-së Remzi Shala, i cili është duke u përballur më akuzat e Prokurorisë Speciale për krime lufte. Shala po akuzohet se gjatë qershorit të 1998-ës ka marrë pjesë na grabitjen e Haxhi Përteshit nga fshati Duhël i Komunës së Suharekës, i cili vetëm disa ditë më pas ishte gjetur i vdekur. Remzi Shala që gjatë luftës mbajti nofkën “Molla e Kuqe” në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” mohoi se ishte i përfshirë në privimin nga liria të Haxhi Përteshit në qershorin e vitit 1998.

Emisioni i radhës ishte ai për nder të pavarësisë së vendit i realizuar në kampin ushtarak të FSK-së në Istog. “Drejtësia në Kosovë”, muajin shkurt e përmbylli me pamje festive të përvjetorit të pavarësisë.

Në mars ishte transmetuar hulumtimi radhës i cili zbuloi disa punësime pa konkurse në Mitrovicë që sipas pretendimeve të ish-drejtorit të Arsimit Pajazit Hajzeri ishin mundësuar nga kryetari Bahtiri.

Gjatë këtij emisioni u panë favorizimet që kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri krijoi në punësimin pa konkurs të mbesës së kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Gjithashtu në këtë emision u panë faktet se si bufeja e shkollës së mjekësisë “Xheladin Deda” i ishte dhënë në shfrytëzim me një qira prej 150 eurosh në muaj dhe pa kurrfarë kompensimi tjetër djalit të një aktivisti të AKR-së në Mitrovicë. Të gjeturat e transmetuara në “Drejtësia në Kosovë”, kishin bërë që kryetari Bahtiri  t`i eliminojë në një afat të shpejtë, bufeja e djalit të aktivistit të AKR-së ishte mbyllur për t`i hapur rrugë një procesi konkurrent në përzgjedhjen e fituesve.

Emisioni i radhës ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi një hulumtim disamujor për kontrabandën me naftë në pjesën veriore të Kosovës.

Emisioni paraqiti detajet për çmimet e naftës në veriun e Kosovës duke sjellë dëshmi filmike për çmimet në këtë zonë. Shitësit e karburanteve janë filmuar duke treguar ofertat për naftë e cila varion për disa herë me çmimet në zona të tjera. Në zona të tjera, gazetarët sjellin dëshmi për çmimet më të lira për pijet e gazuara dhe ato energjike, ndërsa reportazhi sjell edhe pamje të rrugëve ilegale të cilat janë duke u përdorur në veriun e vendit. Emisioni dëshmoi edhe paaftësinë e institucioneve të vendit për ta luftuar dukurinë e kontrabandës në veri. Dëshmitë se policia nuk reagon në rast të raportimit të kontrabandës dhe raste konkrete kur policët janë sulmuar mund të ndiqen gjatë këtij reportazhi.

“Drejtësia në Kosovë” në prill transmetoi hulumtimin i cili tregoi për shpronësimin e një toke private dhe kompensimin e saj me tokë publike komunale në Komunën e Malishevës. Hulumtimi tregoi se në vitin 2011, ish- kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, kishte marrë vendim për shpronësimin  e një hapësire prej 30 ari në fshatin Gollubovc, një fshat malor rreth njëzet kilometra larg qytetit të Malishevës. Të gjeturat nga hulumtimi faktojnë se toka të cilën komuna e shpronësoi në një zonë malore, e kompensoi me 60 ari tokë komunale në qytetin e Malishevës. Gjithashtu, ekipi i emisionit ka faktuar se në vitin 2011 këta 30 ari në emër të komunës janë bartur nga një person i cili kishte vdekur në vitin 2005. Pra 6 vjet para se të bëhej ky transaksion pronësor nga një person i vdekur në emrin e shkollës fillore “Kajtaz Ramadani” në Kijevë.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë”, ka kërkuar në fund të vitit përgjigje nga Prokuroria e Speciale nëse kanë zhvilluar hetime rreth të gjeturave të emisionit, por nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje ende.

Në muajin maj Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin që tregoi se si kryetari i Istogut, Haki Rugova, bashkë me vëllezërit e tij me kompaninë e tyre “Macon” kishin ndërtuar një objekt shtatëkatësh në tokën komunale dhe komuna nuk ka asnjë metër katror të atij objekti në pronësi.

Të gjeturat nga hulumtimi dëshmuan se në kohën e ndërtimit të këtij objekti në tokën komunale kryetari Haki Rugova mbante pozitën e kryeshefit ekzekutiv në Komunën e Istogut.

Hulumtimi solli dëshmi nga deklarimi i pasurisë së kryetarit Rugova, i cili në Agjencinë Kundër Korrupsion kishte deklaruar aksionet në kompaninë “Macon”, ndërsa në intervistën dhënë për Emisionin “Drejtësia në Kosovë” i kishte mohuar aksionet në këtë kompani që ndërtoi në tokën komunale.

Po ashtu, pjesë e hulumtimit janë edhe të gjeturat e tjera që tregojnë se Komuna që udhëhiqet nga kryetari Haki Rugova i ka dhënë tender kompanisë, në të cilën, sipas deklarimit të pasurisë, ka hise edhe vetë kryetari.

Me rastin është duke u marrë Prokuroria Speciale. Këta të fundit nuk kanë dhënë detaje se kur do të përfundojnë hetimet. Dhe ajo që dihet tani është fakti se Haki Rugova vetëm pas transmetimit të hulumtimit ka hequr dorë nga aksionet në kompaninë “MACON”.

Dështimi në deradikalizim ishte njëri nga emisionet e radhës të transmetuara gjatë vitit 2017 nga “Drejtësia në Kosovë”.

Në muajin korrik emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi hulumtimin për dështimin e shtetit në deradikalizimin e atyre që morën pjesën në luftërat në Siri e Irak.

Hulumtimi tregoi për sinjalet që dërgoi e pamja për liderin e vetëshpallur të shqiptarëve në Siri e Irak, terroristin Lavdrim Muhaxheri, e hapur në Kaçanik ditën kur u lajmërua vdekja e tij në frontin e luftës atje.  Emisioni madje trajtoi vizitat që iu bënë familjes së Lavdrim Muhaxherit nga pushtetarë të lartë. Ish-ministri Lutfi Zharku, njëri nga të apostrofuarit e kësaj ngjarjeje siç kishte transmetuar “Drejtësia në Kosovë’ asnjëherë nuk kishte pranuar të flasë publikisht për vizitën e tij në familjen e liderit të terrorit.

Sipas hulumtimit në deradikalizim problem tjetër madhor ishte zbulimi i muajit shtator. “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se fëmijët që ishin pjesë e luftërave në Siri dhe Irak nuk po vijonin mësimin si rezultat i një keqpërdorimi në sistemin arsimor. Sot gjashtë muaj pas raportimeve gjendja ende nuk ka ndryshuar.

Arif Beqa nga Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan ka konfirmuar në fund të muajit dhjetor se gjendja ende mbetet e njëjtë dhe se të miturit që ndjekin mësimet në këtë qendër nuk po pajisen me dokumente të vlefshme të cilat do ua mundësonin që pas lirimit të vazhdonin mësimet e tyre.

Emisioni i radhës “Drejtësia në Kosovë” ishte ai për tenderin 100 milionësh për rrugën Prishtinë- Gjilan. Hulumtimi solli rrëfimin e kryetarit të OShP-së Blerim Dina për kërcënimet që iu bënë. Në intervistë ekskluzive, Sami Lushtaku, ish-kryetari i Skenderajt, kishte mohuar se ka gisht në kërcënimin që iu bë Dinës dhe kërkoi që organet përgjegjëse të zbardhin deri në fund faktin se pse ishte lakuar emri i tij në kërcënimin ndaj Dinës. Hulumtimi tregoi për shkeljet ligjore që u bënë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës në këtë tender gjigant.

Po ashtu në emisionin e fundit për 2017, “Drejtësia në Kosovë”, solli edhe deklarimet e kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, i cili ka folur për dështimin në luftën e tyre ndaj korrupsionit.

Blerim Isufaj, kryesues i KPK-së ka folur për  të arriturat në luftën kundër korrupsionit. Por, siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Isufaj e ka pranuar se ka ende për t`u bërë në luftën ndaj korrupsionit.

Nehat Idrizi, kryesues i KGjK-së, në intervistën e tij ka pranuar se kanë pasur probleme më zgjedhjen e kryetarëve të gjykatave, e po ashtu edhe me numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura.

Numri i lëndëve në gjykata është ulur, ndërsa numri i gjykatësve dhe prokurorëve është rritur në mënyrë konstante. Megjithatë për vendin vazhdojnë të jenë sfidë hetimi dhe gjykimi i rasteve të korrupsionit.