Drejtësi për Kulturën

Më është dashur të gërmoj thellë nëpër kolumnat e mia për të parë se kur ju kam shkruar për kulturë herën e fundit. Një herë mendova se këtë e kisha bërë me kolumnën “Shok-terapia kulturore”, por gabova sepse për kulturën ju kam shkruar që në kolumnën time të parë.

Siç po e shihni ky motiv më ka përcjellë që nga fillimi. Vërtet nuk mund të jetoj pa kulturë. Ju kam lutur që të më dërgoni në teatër, kinema, balet… asgjë nuk ndodhi.

Nëse nuk i keni lexuar më parë kolumnat e mia, do t’ju rikujtoj se unë kur mallëngjehem për kulturë i kaloj edhe nga 250 kilometra vetëm sa për të konsumuar dozën e kulturës, e kjo kurrsesi nuk mund të jetë gjë spontane. Kjo kultura ime nuk vjen falas. Para së gjithash, më duhet të shoh nëse kam mjaft para për kulturë. Që nga pagesa e sigurimit të veturës në kalimin administrativ, pasi që të gjithë ne që jetojmë në Kosovë jemi tepër të pasur dhe na duhet të paguajmë për lirinë tonë të lëvizjes. Gjithashtu, para largimit më duhet të sigurohem që nga shefi mund ta nxjerr ndonjë ditë të lirë. Natyrisht të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe mikeshat e mia sepse nuk mund ta konsumoj kulturën e vetme – kjo është një veprimtari kolektive. Çdo gëzim ndahet me dikë.

E kur unë me mikeshat e mia i kalojmë këto 250 kilometrat drejt veriut nga vendbanimi im aktual, unë jam e gatshme për të konsumuar kulturë. Kinema, teatër, shfaqje verore në skena të hapura. Kultura është falas për të gjithë! Kështu, unë e ushqej trurin tim, e zbrazi portofolin mirë dhe kthehem nga kam ardhur.

E pastaj vjen vera. Verën në Graçanicë e dua sepse atëherë na vjen kultura mysafir. Nuk ka shpenzime të panevojshme, sigurime të veturës ose tollovi në Merdarë.

Dëgjuat çfarë thash? Kultura na vjen mysafir… falas! Jam e gëzuar pafund.

E tëra filloi para tri javësh, me hapjen e kolonisë artistike. U grumbulluan artistë, piktorë, ndërsa vargjet e tyre i lexonin shkrimtarë të rinj. Të gjithëve iu shpërnda programi, të cilin pasi e lexova e kuptova se do të ishim nikoqirë të kulturës deri në fund të verës.

E çka ndodhi më pas?

Ndodhi që organizatorët lokalë u fjalosën mes vete! Artistët i kishin bërë gati gjërat, aktorët ishin përgatitur për shfaqje… ndërsa shfaqja po anulohej sepse politikanët lokalë ishin fjalosur lidhur me lokacionin ku do të mbaheshin shfaqjet, mbi pagesat e ku ta di unë çka tjetër. E siç ndodh gjithmonë, kur dy fjalosen – i treti përfiton.

Improvizimet janë nëna e kulturës. Me këtë rast, kultura u zhvendos në rrugë. Mirë, jo bash në rrugë por në një platformë mes dy kafiterish. Pronarët e tyre u kujtuan që tavolinat dhe karriget t’i rendisin asisoj që mysafirët e tyre të mund të ulen dhe të shikojnë shfaqjet.

Shpejt i harruam të gjitha bezditë e mëparshme dhe iu kënaqëm së bashku kabaresë së Goran Sulltanoviqit, i cili luajti në instrumentet e tij muzikore, këndoi e recitoi. Andaj, kultura arriti të gjej vend në rrugë, të joshë publikë dhe kalimtarë të rastësishëm, t’i afrojë ata dhe ta shpalos repertorin para tyre. Ja pra, edhe kultura në mes të rrugës mbetet kulturë.

Shumë dëshira të mia janë joreale ngase shoqëria i ka bërë të tilla. Dëshirat e mia janë tejet modeste, por megjithatë mbesin joreale. Unë në fund të fundit vetëm doja që kultura të vjen mes nesh, të jetojë këtu e të lëshojë rrënjë mes nesh. E unë premtoj se me të njëjtin zell do t’i gëzohem asaj tërë kohën.

Dhe po, unë prapë do të bërtas me zë dhe plot ngazëllim. Bërtas edhe pse kjo nuk është shumë mënyrë e kulturuar. Drejtësi për kulturën! Ndërsa ajo është e sakatosur, e pakuptuar dhe e dëbuar në rrugë. Drejtësi për dashurinë! Drejtësi për kulturën!

Nuk e di për çka do t’ju shkruaj herën e radhës… si duket do të kemi një miniseri kolumnash në të cilat unë do të kërkoj drejtësi.

Ju falemnderit që po i lexoni ato.

Deri në shkrimet dhe leximet e radhës.

E juaja, D.