Drejt në çka synon të qëllojë?

I veshur me jelek të zi lëkure mbi maicë të bardhë e me mjekër të thinjur dhe të mbajtur mirë, krahas predikimeve në ligjëratën e tij të përditshme, Fuad Ramiqi nuk duket dhe nuk është një kosovar i zakonshëm. Rrymat fetare nga Lindja e Mesme, për të cilat ai po shtynë me zhurmë, mund të mos jenë prurja e vetme që burri misterioz synon ndonëse, prapë, këmbëngulë se asgjë tjetër po të drejtat e njeriut bëjnë agjendën e tij të sotme. 

51 vjeçari është një prej udhëheqësve joformalë të rrymave të besimit mysliman që me zhurmë e fuqi po trokasin në dyert dhe forumet e institucioneve të vendit me kërkesa për të lejuar shamitë në shkollat publike, lëndët fetare si dhe ndërtimin e një xhamie të re e të madhe në qendër të kryeqytetit. Kërkesa të tjera mund të dalin ndërkohë. 

Ramiqi ka lindur në Pozharan të Vitisë ndërsa si i ri shkoi në Bosnjë ku mbaroi shkollën e mesme ushtarake të Aeronautikës në Rajllovc, sipas ueb-faqes personale. Ai vazhdoi të jetojë në republikën më multikulturore të federatës së dikurshme gjersa në të njëjtën kohë kreu studimet në Fakultetin e Mbrojtjes në Sarajevë përfshirë shërbimin ushtarak në armatën jugosllave, mes viteve 1991 dhe 1994. 

“Me fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, jam inkuadruar në formimin e Armatës së Bosnjës ku deri në vitin 1994 kam shërbyer si oficer në luftë në funksionin e kryeshefit të shtabit të brigadave 521 dhe 506, të Korpusit të V’të të Armatës së Bosnjës”, thuhet në ueb-faqen e tij. 

Mirëpo njerëzit nuk ngrehin vetullën vetëm për pluhurin që ai çon sot rrugëve me demonstrues. Ata që e njohin nënvizojnë deri edhe biografinë e tij për të shprehur dilema. Njëri prej tyre, Seremb Gjergji, thotë se Ramiqi e ka të kryer vetëm shkollën e mesme për radar. 

“Ai nuk ka lidhje me strategjinë ushtarake, është njohës i radarit dhe nuk ka asnjë lloj shkolle tjetër”, ka thënë Seremb Gjergji, veteran nga brigada 138’të e UÇK-së, ‘Agim Ramadani’. 

Gjergji thotë se mbetet ende disi e mjegulluar se në cilën anë ka qëndruar Ramiqi gjatë luftës në Bosnjë. “Ai nuk luftoi në anën e myslimanëve, po kundër tyre”, deklaroi Gjergji. “Ishte anën e Fikret Abdiqit, një myslimani boshnjak i cili qe kundër forcave ushtarake të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ish-kryetarit Alija Izetbegovic”.

Ramiqi kundërshton këtë pohim. Ai thotë se pikërisht ngase e kundërta është e vërtetë, posedon edhe nënshtetësinë e Bosnjës.

Ndërkohë që lufta vazhdonte, ai u strehua në Tiranë ku qëndroi deri në mbarim të luftës së Kosovës. Sipas versionit të tij, shumë shpejt, më 1995, aty inkuadrohet në Ministrinë e Mbrojtjes të qeverisë paralele të Kosovës në mërgim si ndihmës për çështje të organizimit dhe mobilizimit pranë ministrit Ahmet Krasniqi. Seremb Gjergji përsëri përmirëson duke thënë se Ramiqi në atë kohë ishte emëruar komandant i brigadës për zonën e Karadakut. 

“Ai kishte mbledhur një numër ushtarësh, diku 350 veta, dhe i kishte dërguar në fshatin Papaj në Shqipëri. Aty ai bënte përgatitjen e tyre ushtarake, por edhe mbi teoritë islame (janë falë pesë herë në ditë)”, shprehet Gjergji. “Në kuadër të kësaj brigade e ka pasur një njësi ultra speciale muxhahedinësh”.

Mirëpo, për Ramiqin, i tërë versioni i Seremb Gjergjit është i pavërtetë, i mbushur me akuza të pabaza. “Për këtë, ai mund të ndiqet penalisht”, tha Ramiqi, duke përsëritur se ai ka vetëm një biografi. Ai thotë se ka dëshmi dhe dokumente që e tregojnë se të gjitha që i ka thënë janë të vërteta. 

Pas atentatit ndaj Ahmet Krasniqit, në shtator 1998, pastaj emërimit të ministrit të ri të mbrojtjes Halil Bicaj, Fuad Ramiqi shërbeu si këshilltar e më vonë si ndihmës i tij, mirëpo të tjerët thonë se ai kishte shërbyer në pozitën e inspektorit gjeneral të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, FARK .

Për disa të tjerë, Fuad Ramiqi është njeriu me kapacitete të larta dhe me vlera të shumta humane e shpirtërore. “Nuk mund të them asgjë për lidhjet e tij me fenë, por është kokë e mençur dhe një njeri i mirë”, e përshkruan gazetarja Diana Bunjaku. 

Rrugëve me kthesa për ideale të drejtësisë 

Pas lufte, Fuad Ramiqi së bashku me Ferid Aganin, Sylejman Qerkezin, Qarim Telqiun e të tjerë themeluan Partinë e Drejtësisë, PD, adresuesin më serioz të agjendës myslimane në nivelin politik në vend. 

Ramiqi thotë se u nda me PD’në në vitin 2004 pasi që, sipas tij, kjo parti i shërbente vetëm një njeriu, ‘gjë që ngjet edhe sot’. Por, në Partinë e Drejtësisë thonë se Ramiqi kishte filluar të devijonte nga parimet bazë, gjë që kishte çuar ata në rrugë të ndara. 

Po atë vit Ramiqi doli kandidat i pavarur për deputet për Kuvendin e Kosovës, me logon ‘të ruajmë identitetin tonë’ teksa fotot elektorale që ishin vendosur qyteteve paraqisnin një vajzë të mbuluar me shami dhe një të pambuluar, me të duke qëndruar në prapavijë.

Në programin zgjedhor në atë kohë ai promovonte mes tjerash tri pika: krijimin e ministrisë së mbrojtjes, krijimin e ministrisë për çështje të luftës dhe krijimin e ministrisë për çështje të feve. 

Në zgjedhjet lokale 2007, Ramiqi doli kandidat për kryetar të komunës së Vitisë, ndërsa në 2008 i bashkohet LDK’së, kur aty procesin ‘reformues’ e menaxhonte Blerim Kuqi, tash kryetar i Suharekës si përfaqësues i AAK’së. 

Sado të guximshme të kenë qenë kandidaturat e tij individuale ndër zgjedhje, ai ra në syrin e bashkëkombësve sidomos në Maj 2010 kur u gjend në aksionin humanitar ‘Flota e Lirisë’ për zhbllokimin e rripit të Gazës gjatë të cilit nëntë persona u vranë nga të shtënat e ushtrisë izraelite në anijen e mbushur me ndihmë. 

Praninë e tij në këtë mision shumëkush në Kosovë e kishte parë si shenjë tjetër lidhje me rrymat e ashpra myslimane në Lindjen e Mesme, mirëpo ai mbrohet me insistimin se ka qëlluar aty krejt rastësisht. “E pash mundësinë me apliku për të qenë pjesë e këtij misioni humanitar dhe u pranova”, thotë Ramiqi, duke u nënqeshur me dyshimet që e bëjnë atë person të rrezikshëm për shoqërinë kosovare dhe të afërt me organizata si Hamasi.

“Çështjen e Palestinës e kam përcjellur shumë si i ri dhe përjetimet e mia në luftën e Bosnjës më kanë bërë që unë të ndjejë vuajtjet e këtij populli”, thotë ai. “I kam pasur 600 euro me vete dhe ato kam dashur t’ia dhuroj si ndihmë, aq kam pasur mundësi”.

Pas lirimit nga forcat izraelite, Ramiqi kishte shkruar një deklarim në faqen e tij të internetit. “E falënderoj Krijuesin që ma bëri të mundshëm të jem në një mision të tillë ekskluzivisht humanitar në ndihmë të popullit të robëruar palestinez, duke shpresuar se edhe në të ardhmen do të më frymëzojë për vlerat më fisnike dhe bujare gjatë tërë jetës”. Ai thotë se edhe sot ndihet mirë që ka qëlluar në këtë operacion. 

Nën vellon e re me më shumë prestigj, ai prapë ia mësyu pushtetit politik si kandidat i LDK’së për Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 2010’tës. Por, as ajo nuk mjaftoi dhe më vonë u nda edhe prej partisë që për shumë vjet dominoi skenën politike.

Tash Ramiqi është kthyer në një prej organizatorëve të protestave për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla dhe kërkesës për ndërtim të një xhamie në qendër të kryeqytetit. Ai mund të shihet shpesh duke mbajtur fjalime të zjarrta para masave dhe duke i mobilizuar ata. 

Është akuzuar se po përpiqet t’i shtrijë rrënjët e organizatave islamike radikale në vend. Stephen Suleyman Schwartz, gazetar amerikan i konvertuar në mysliman, ka shkruar dhjetëra artikuj për islamin në Kosovë për të cilin ka thënë se duhet të merret si model. Mirëpo, te Fuad Ramiqi ai ka gjetur një hile në gjithë angazhimin e tij. 

Fuad Ramiqi
Fuad Ramiqi | Foto: Korab Basha

 

Në një artikull të botuar në gazetën ‘Standard’ të Washingtonit me titull ‘Nga Kosova në Gaza’, Schwartz kishte shkruar se Ramiqi është përfaqësues në Kosovë i ‘Rrjetit Evropian të Myslimanëve’ (European Muslim Network) një organizatë fundamentaliste e kryesuar nga Jusuf al-Qaradawi i lindur në Egjipt, por i cili jeton në Katar dhe akademiku Tariq Ramadan.

“Në ditët e bllokimi të Gazës, grupi i Ramiqit kishte preferuar të mbante të fshehtë përfshirjen e tij në gjithë këtë histori. Por, në një dokument të vitit 2007 i shkruar në gjuhën angleze dhe i postuar në sajtin zyrtar të Ramiqit dëshmon ideologjinë e tij”, kishte shkruar Schwartz, raportoi Koha Ditore më 1 Korrik. 

Ramiqi prapë mohon këto të dhëna. Ai dyshon se fjalë të tilla po lëshohen qëllimisht kundër tij dhe se as policia e as shërbimet inteligjente nuk do të gjejnë ndonjëherë prova të tilla konfirmuese për të.  

Ndërkohë, ai vazhdon me aktivitetin e tij. Protestën e fundit e ka mbajtur të premten më 23 shtator.  Ai pothuajse drejton lëvizjen më të zëshme shoqërore në vend për momentin.

“Atyre që na thonë talebanë, hamasistë, fundamentalistë, arabistë ose turqistë ne u themi se jemi shqiptarë dhe se ky është atdheu ynë”, ishte porosia e tij për të tubuarit, të premten. 

“Fuad Ramiqi po do të bëhet avokat i krejt myslimanëve, e me marrë bajraktarizmin”, shprehet  Belul Beqaj, një analist politik që njeh veprimtarinë e Ramiqit. 

Protestën e Fuad Ramiqit nuk e ka përkrahur Bashkësia Islame e Kosovës. Ndonëse BIK po mundohet të artikulojë opinionin e komunitetit mysliman, ata po shmangen nga rryma më ekstreme si kjo e Ramiqit. 

Vitiasi njihet si sportist që luan mirë Bowling, lojë në të cilën është shpallur kampion dhe rekorder i dyfishtë në nivel vendi duke e përfaqësuar atë madje edhe në Toulon të Francës, në kampionatin përkatës Botëror të Bowlingut.

Ai është i zoti në goditjen e birilave, por pakkush mund ta kuptojë se ç’synon të qëllojë në lojën e tij të madhe. 

Duket ndërsa e sigurt se organizimin politik dhe fenë Ramiqi gjithmonë i ka shikuar pranë njëra-tjetrës.