Foto: Ilustrim

Drejt Arkës së Votimit?

Skena e trazuar politike e vitit të fundit dhe mungesa e një konsensusi partiak për zgjidhjen e krizës në fillim të këtij viti, japin pamjen e një rrugëtimi drejt zgjedhjeve të parakohshme përmes mjegullinës së krijuar.

Në thelb, diçka e tillë nuk është risi për qytetarët e vendit, për faktin se nuk është hera e parë që ata orientohen drejt kutive të votimit para kohe.

Por qëndrimet dhe përplasjet e ashpra mes dy llogoreve politike, bartin një barrë të kostos financiare, të cilën do ta paguajnë qytetarët e vendit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën me 8 maj të viti 2014 të shpallura nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga me iniciativën e koalicionit të PDK-së duke u mbështetur edhe nga LDK-ja.

Kësaj here zgjedhjet po kërkohen nga partitë opozitare, duke u parë si ‘zgjidhje e problemit’.

Në anën tjetër, mbetet të shihet edhe gatishmëria e kësaj klase përballë votuesve sa i përket ofertës së “ngutshme” për programin e tyre qeverisës.

Por ndërsa shumica e aktorëve flet vetëm për çmimin politik të zgjedhjeve të mundshme, askush nuk po konsideron çmimin tjetër, atë financiar, të cilin do ta paguajnë qytetarët e Kosovës përmes fondeve publike.

10 milionët e vitit 2014

Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të organizuara në vitin 2014 kishin një çmim total prej rreth 10 milionë eurosh.

Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në vitin 2014 ky institucion kishte buxhet të realizuar prej 9 milionë e 501 mijë e 868 eurosh.

Nga këto 719,517 euro ishin për paga dhe mëditje ndërsa 4,472,974 euro ishin për mallra dhe shërbime.

Subvencionet dhe transferet rezultuan 4,160,674 euro, shërbimet komunale në 41,460 euro, dhe investimet kapitale ishin 107,242 euro.

Në shpjegim të këtij buxheti raporti përmend edhe vendimin e qeverisë për 113 mijë euro dedikuar personelit si kompensime shtesë rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Buxheti për Mallra dhe Shërbime ishte zvogëluar në respektim të vendimit të qeverisë për kursime (me 15 për qind), por ky buxhet u rrit prapë me 390,065 euro për shkak të zgjedhjeve të parakohshme.

Në këtë mënyrë, çmimi tërësor i zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2014 shkoi në rreth 10 milionë euro.

(Sa për krahasim, kaq është borxhi i grumbulluar në vite që ndërmarrjet publike i detyrohen Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), çështje për të cilën ka pasur debate të shumta.)

Barrë tjetër për buxhetin e vendit ishte edhe financimi i partive politike, në bazë të ligjit për financimin e tyre.

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve doli me raport përfundimtar për zgjedhjet e vitit 2014. Ky raport thotë se KQZ më 12 maj kishte marrë vendim që financimi i fushatave të jetë deri në 893,463.50 euro, nga 0.5 për një votues në numrin e përgjithshëm prej 1,786,927 votuesish.

Partitë politike financohen edhe nga donacionet, dhe ligji për financimin e partive politike u kufizon partive politike të pranojnë 2,000 euro në vit nga personat fizikë dhe 10,000 euro në vit nga personat juridikë.

Jo vetëm çeqe

Financuesve të fushatave të partive politike nuk u shkon mundi huq, duke qenë se atyre u kthehet kontributi me tenderë publikë.

Sipas një hulumtimi të Preportr, “Politika e Parasë”, nga viti 2007 deri në vitin 2014, financuesit e partive politike kanë përfituar rreth 220 milionë euro nga tenderët publikë.

Nga zgjedhjet nuk kursehet as ambienti, pasi që për fushatë zgjedhore vendosen materiale reklamuese të subjekteve politike dhe kandidatëve.

Në mbrojtje të ambientit KQZ kishte marrë vendim për ndalimin e posterëve (B2) që kishte shkaktuar pakënaqësi tek Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), shoqëria civile dhe partitë e vogla.

Rrjedha e kohës mbetët të tregojë se a do të jetë vit i zgjedhjeve të parakohshme viti 2016, dhe a do të ecet në gjurmët e viteve të kaluara.

Ndërkohë që Kosova po mundohet të sigurojë financime nga një sërë institucionesh ndërkombëtare për investime dhe reforma të nevojshme, shpenzimet milionere të zgjedhjeve të mundshme do të ishin një luks i tepërt edhe pse i domosdoshëm për financat e trazuara të vendit.