Një sekuencë nga filmi ku tregohen dy protagonistët e tij me një ushtar serb. Foto: www.shokshortfilm.com

Drama e Luftës Çon Kosovën në Hollivud

Është viti 1998 në Mitrovicë, në Kosovën veriore. Petriti është një 12 vjeçar që dëshiron të bëhet sipërmarrës, me një plan të rrezikshëm për të bërë para shpejt dhe blen një biçikletë njësoj si ajo që ka shoku i tij Oki.

Me konfliktin që tashmë ka filluar të përshkallëzojë në zonë, nxënësi fshehurazi merr letra cigaresh nga gjyshi i tij dhe ia shet ato një luftëtari paraushtarak serb; një veterani të njësisë “Tigrat”, drejtuar nga zoti famëkeq i luftës Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani.

Petriti është një djalë trim. Kur Oki shqetësohet se marrëdhëniet e tij me paraushtarakët mund t’i fusin ata të dy në telashe,  ai gjithashtu merr fshehurazi pistoletën e gjyshit të tij dhe ia tregon atë mikut të tij. “E shikon? Të thashë që me mua ishe i sigurt,” thotë Oki.

Petriti dhe Oki janë personazhet kryesorë në “Shok”, një fil 21-minutësh i bazuar në histori të vërteta nga konflikti, i cili është kandiduar si “Filmi më i mirë i shkurtër aksion” në edicionin e 88-të të ndarjes së çmimeve Oskar, kandidatura e parë Oskar për një film kosovar.

Filmi tregon se si ndikon konflikti në jetën e dy djemve – në një skenë, ata janë në një autobus, i cili ndalohet dhe kontrollohet në një pikë kontrolli nga policia serbe, të cilët i sulmojnë ata kur ata gjejnë librat e Okit në gjuhën shqipe. Ndërsa në një skenë tjetër, Oki arrin t’i shpëtojë dëbimit nga paraushtarakët, sepse ai kishte shkuar të flinte në shtëpinë e Petritit natën që shtëpia e familjes së tij bastiset.

Regjisori anglez i filmit, Jamie Donoughue, thotë se ai donte të eksploronte një kohë të rëndësishme në histori, e cila ai mendon se nuk është dokumentuar si duhet.

“Shumë njerëz nuk e dinë atë që ka ndodhur në rajon dhe mësimet nga konfliktet e të kaluarës (dhe ata të të tashmes) nuk janë mësuar ende,” thotë Donoughue.

“E megjithatë, unë doja të tregoja një histori njerëzish të zakonshëm, të cilët janë viktimat e vërteta të luftës. Gjithashtu doja të eksploroja se si një komb mund të rindërtohet dhe të ecë përpara,” shton ai.

Lum Veseli , i cili luan rolin e Petritit në film, është 14 vjeç dhe ka lindur pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, por thotë se ai ka dëgjuar gjithçka në lidhje me ato që ndodhën nga prindërit dhe gjyshja e tij.

Lum Veseli, një nga dy protagonistët e filmit. Foto: BIRN
Lum Veseli, një nga dy protagonistët e filmit. Foto: BIRN

“Mund të pësosh shumë trauma, nëse e përjeton këtë çdo ditë,” thotë Veseli për BIRN. “Në jetën e vërtetë kanë ndodhur gjëra edhe më të këqija.”

Veseli është djali i një aktoreje dhe një muzikanti dhe kjo është hera e parë që ai luan në një film. “Aktrimi ka qenë ëndrra ime,” thotë ai.

Kjo ëndërr u bë realitet në një mënyrë edhe më spektakolare nga ajo që ai mund të kishte imagjinuar ndonjëherë, kur dëgjoi se filmi “Shok” ishte kandiduar për çmim Oskar.

“Ishim në një kafene në Prishtinë me pjesën tjetër të aktorëve, duke parë televizor. U zbeha kur ata përmendën emrin tim. Pastaj festova si i çmendur,” risjell në mendje ai.

Eshref Durmishi është producenti i filmit, por ai luajti gjithashtu rolin e paraushtarakut serb Draganit, i cili blen letrat e cigareve nga Petriti.

Durmishi shpjegon se ngjarjet në film janë gazuar në ato që përjetonin çdo ditë njerëzit që jetonin në Kosovë në atë kohë.

“Çdo njeri në Kosovë ka historinë e tij. Mendoj se të gjithë njerëzit nga Kosova janë përballur me këtë, ose dikush tjetër nga familjet e tyre e ka përjetuar,” thotë ai.

Skena në film në të cilën djemtë ngacmohen në pikën e kontrollit erdhi nga vetë eksperienca e tij personale, thotë ai.

Gjatë viteve 1990, ndërsa ishte student, ai po udhëtonte nga Skënderaj drejt Gjakovës kur autobusi në të cilin ai ndodhej u ndalua nga policia.

“I thashë policit se nuk kuptoja serbisht kur ai më kërkoi kartën e identitetit. Pastaj ai më rrahu. Më pas filloi të fliste rrjedhshëm në shqip. Më tha se herën tjetër, do të duhej t’i flisja unë në serbisht,” kujton Durmishi.

Eshref Durmishi, producent dhe aktor i filmit. Foto: BIRN
Eshref Durmishi, producent dhe aktor i filmit. Foto: BIRN

Ai qesh dhe pastaj shton: “Luajta rolin e policit që më rrahu.”

Donoughue thotë se ai kishte shqetësime përsa i takon eksplorimit të ngjarjeve që ishin shumë traumatike për ata që i përjetuan, por “kishte një ndjenjë të fortë dhe një lloj mirëkuptimi midis të gjithë kastit të aktorëve se kjo ishte diçka me të cilën duhet të përballeshin”.

Ndërsa për faktin që Durmishi luajti rolin e shtypësit të tij serb, regjisori mendon se kjo e bëri edhe më të besueshëm rolin.

“Kjo ishte një pjesë sfiduese, por ai mendonte se askush tjetër s’mund ta luante në mënyrë më efikase sesa ai. Në fund të xhirimit, ky rol i solli atij një lloj mbyllje të këtij kapitulli,” thotë Donoughue.

Ai beson gjithashtu se edhe pse lufta në Kosovë nuk do të harrohet kurrë nga ata që e përjetuan atë, vendi tashmë nuk përcaktohet më nga ajo.

“Brezi më i ri i kupton sakrificat që janë bërë, por ata përfaqësojnë një të ardhme më të shndritshme dhe më pozitive. Njerëz si Lumi tani rriten në një botë të lirë, por duke e vlerësuar vërtet atë liri, e cila i lejon ata të jetojnë në maksimum jetët e tyre,” thotë ai.

Filmi deri më tani ka fituar tri çmime në Aspen Short Fest të vitit të kaluar, por aktorët dhe ekipi i xhirimit tani po presin me padurim 28 shkurtin, kur do të ndahen edhe çmimet Oskar në Los Anxheles.

“Po kryqëzojmë gishtat,” thotë Durmishi.

Traileri i filmit “Shok” nga Jamie Donoughue në Vimeo.