Ilustrim

Dragashi rizgjedh kompaninë e papërgjegjshme për shtrimin e ujësjellësit 

Komuna e Dragashit, nuk po mund ta përfundoj procedurën e tenderimit për shtrimin e ujësjellësit. Kjo komunë serish ka bërë shkelje ligjore, sipas Gjykatës së Tenderëve e cila ka kërkuar që për të satën herë procesi të kthehet në rivlerësim. Tenderi për Ujësjellësin kryesor-vazhdimi i punimeve është nisur shumë kohë më parë, për të cilin Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se kemi pasur shkelje të vazhdueshme të Ligjit të Prokurimit. I njëjti tender është nëpër procedura të prokurimit, me disa ndryshime, që nga qershori i vitit 2016, e për pasojë qytetarët e kësaj komune vazhdojnë të kenë telashe me furnizim me ujë të pijshëm.

Në vendimin e fundit, Gjykata e Tenderëve e ka aprovuar pjesërisht ankesën e operatorit “PUNA SHPK & Infra Plus” e cila si palë e pa kënaqur ka dërguar ankesë në OSHP.

Eksperti shqyrtues, ka thënë se ky rast është gjykuar, janë përsëritur pretendimet ankimore dhe vlerësimi ka qenë i njëjtë, “objekt konteksti është i njëjtë dhe palët janë të njëjta”.

Sipas vendimit të OSHP-s, OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm pasi që nuk përmbush kërkesën kapaciteti teknik dhe profesional kontrata të realizuara jo më pak se 3.032,736.00 të lëmis së kërkuar në periudhën tre vjeçare (2014, 2015, 2016).

Gjykata e tenderëve të njëjtin vendim dhe me të njëjtat arsyetime e kishte marrë edhe në shkurt të këtij viti duke thënë se operatori i rekomanduar për kontratë nuk e ka plotësuar kërkesën në lidhje me kapacitetin teknik dhe profesional ku është kërkuar ‘kontrata të realizuara jo më pak se 3,032,736.00 euro të lëmis të kërkuar në periudhën trevjeçare 2014, 2015, 2016’.

Komuna e Dragashit gjatë rivlerësimi përkundër vendimit të OSHP-s, ka rekomanduar për kontratë OE të njëjtë dhe nuk e ka respektuar vendimin e OSHP-së. Kjo komunë nuk është pajtuar as me mendimin e ekspertit shqyrtues.

Gjatë prezantimit në seancë përfaqësuesi i OE ankues kishte thënë se njëjtë si herën e kaluar Komuna e Dragashit e ka rekomanduar për kontratë ‘Fana Engieneering Lala shpk’, i cili është shpall i papërgjegjshëm  dhe në të njëjtin vendim është shpall i pa përgjegjshëm ‘Alfa Ing & Al Trade’.

“Pra nuk na rekomandon neve të renditur me radhë dhe që plotësojmë gjitha kërkesat”, është thënë në seancë.

OE ankues i ka bërë me dije Komunës së Dragashit se refuzimi i vendimeve përfundimtare të OSHP-s bartë përgjegjësi penale për personat përgjegjës e cila parashikohet me nenin 422 keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet deri në 5 vite burg.

Kurse përfaqësuesi i Komunës nuk është pajtuar me mendimin e ekspertit duke u shprehur të befasuar me këtë mendim dhe ka rekomanduar të vazhdohet tutje me këtë aktivitet.

“Ne nuk pajtojmë me mendimin e ekspertit dhe nuk do të hyjmë fare edhe një herë në rivlerësim pasi që një herë e mirë kemi vendosur sipas LPP dhe rregullave që ka parapa KRPP. Në raport të ekspertizës kontradiktore të ekspertit të datës 13.03.2018 dhe vendimi të panelit që shpall të papërgjegjshëm tri oferta paraprake dhe shpallin të përgjegjshëm ofertën me çmimin e katër që do të thotë po të zbatojmë këtë vendim ne si AK do të humbim rreth 430,000 euro nga buxheti komunal vlerë të cilën nuk mund ta realizojmë nga të hyrat vetanake as për dy vite rresht”, është thënë në seancë.

Paneli shqyrtues kishte konstatuar se konsorciumi i rekomanduar për kontratë nuk i plotëson kërkesat e Autoritetit Kontraktues në lidhje me natyrën e kontratave të lëmis  së kërkuar në vlerë prej 3.032.736.00 euro, për faktin se Autoriteti Kontraktues edhe pas rivlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit, e as në seancën e shqyrtimit kryesor nuk ka arritur të dëshmoj para panelit shqyrtues që dëshmitë e ofruara nga koncorsiumi i rekomanduar për kontratë janë në harmoni me kërkesën e AK.

Gazeta jeta në Kosovë, ka shkruar vazhdimisht për tenderit për shtrimin e ujësjellësit në këtë komunë.

Komuna e Dragashit për disa herë me radhë është dashur ta mbrojë vendimin e saj para panelit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Në dy tenderë të ndryshëm, por për punën e njëjtë, Komuna e Dragashit ka bërë shkelje ligjore duke e zvarritur zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në disa fshatra. 

Që nga qershori i vitit 2017,  ka filluar procedura e prokurimin për këtë tender dhe tri herë OSHP ka marr vendim për anulim të dhënies së kontratës.