Selia e OShP-së. Foto: Kallxo.com

Dosja e Prokurorisë për Kërrcënimin Ndaj Shefit të OShP-së

Në kërkesën e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com pretendohen se Sallahu dhe Lushtaku kanë tentuar ta detyrojnë  Blerim Dinën të kryej veprim kundër pasurisë publike në tenderin prej 21 milion eurosh.

Prokuroria ka përshkruar se është duke tentuar të zbuloj identitetin e dy personave të tjerë të cilët dyshohet të kenë gisht në këtë rast por të cilët ende janë të paarritshëm për prokurorinë.

Në kërkesën e saj prokuroria ka përshkruar edhe veprimet e të dyshuarve. “I dyshuari Sallahu i ka thënë Dinës se “ky tender ka vlerën njëzet e një milion euro, kjo punë duhet të kryhet dhe kushton me jetë “thuhet në kërkesën për paraburgim.

Dy të dyshuarit sipas prokurorisë e kishin pritur Dinën në rrugën “Fazli Grajqevci” deri sa ai ishte duke u kthyer nga puna.

Prokuroria pretendon se fillimisht të dyshuarit kanë tentuar që ta fusin Dinën me forcë në njërin nga lokalet, gjë të cilën Dina e kishte kërcënuar, për çka edhe më pas u kërcënua me jetë nga i dyshuari Sallahu.

“Të njëjtit, e kanë detyruar që pa dëshirën e tij, të flasë në telefonin e personit NN, ku kanë thirre një person deri tani të panjohur, nëpërmjet rrjetit “Whatsapp” duke i thënë “për gjysmë ore takohemi te Grand Store” thuhet në kërkesën e prokurorisë. E njëjta sqaron se Dina i ishte përgjigjur personit me fjalët “nuk takohem me askënd”.

Në dosjen e prokurorisë shpjegohet se një kalimtar i rastit ishte shpëtimtari i Dinës.

“Një kalimtar rasti, i cili duke vërejtur se diçka nuk është në rregull, ka reaguar, për çka edhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes”, shpjegohet në dosjen e prokurorisë.

Presionet kishin vazhduar edhe më tutje kur Dina kishte arritur tek banesa e tij e kishte kuptuar se Shaban Lushtaku ishte duke e pritur tek hyrja e tij e banesës.

“Tek dera e banesës është paraqitur i dyshuari Lushtaku, i cili i është drejtuar Dinës me fjalët “hajde, hajde, dil pak”, gjë kjo e cila sipas prokurorisë ka shkaktuar frikë e ankth tek Dina, pasi që i njëjti është frikësuar se do ti shkaktojë ndonjë të keqe për jetën e trupin e tij” thuhet në dosjen e prokurorisë.

Në një bisedë për KALLXO.com avokati Ilir Ramaj, mbrojtës i Shaban Lushtakut ka konfirmuar se kanë ushtruar ankesë në gjykatën e apelit rreth paraburgimit me pretendimin se në këtë rast nuk kishte kërcënime e as presione.

“Ata janë shokë qysh para 10 viteve edhe Shabani edhe Blerimi kanë shkuar tek njëri tjetri. Shabani ka shku me ftu në kafe se telefoni nuk i ka bo atë ditë”, tha ai, duke shtuar se Lushtaku e Dina kanë qenë kolegë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Për më tepër, avokati Ramaj në seancën dëgjimore kishte ngritur shqetësimin lidhur me cilësimin e veprës penale, pasi që sipas tij në kallëzimin penal vepra është cilësuar si detyrim, derisa në polici klienti i tij është njoftuar për veprën penale kanosje.

Ai ka thënë se në kallëzim penal të Drejtorisë për Krime të Rënda në Prishtinë vepra penale është cilësuar si detyrim, ndërkaq “sa i përket për marrjes në pyetje në polici i mbrojturi im është njoftuar për veprën penale të kanosjes ndërsa për kërkesën e prokurorisë ceket një vepër tjetër”.

Njëjtë është deklaruar në seancën dëgjimore edhe avokati i të dyshuarit Sallahu, Arianit Koci, i cili ka theksuar se klienti i tij Sallahu, kur është marrë në pyetje është marrë për veprën penale të kanosjes, derisa tash po merret në pyetje për veprën penale të detyrimit,

Sipas Kocit, një veprim i tillë nga ana e Prokurorisë bie ndesh me ligjin.

“Prokuroria me rastin e inicimit të kësaj kërkese e ka shkelur parimin e barazisë së armëve”, ka thënë Koci.