Veton Nurkollari | Foto: BIRN

Dokufest Është Duke e Transformuar Filmin Kosovar

Festivali i 16-të Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër në Prizren, Dokufest, do të shfaqë gjithsej 253 filma në qytetin jugor të Kosovës nga 4 deri më 12 gusht nën sloganet “E Ardhmja është Dashuria Ime” dhe “E Ardhmja nuk ka Vdekur”.

Rreth 102 prej këtyre filmave do të jenë në konkurrencë në gjashtë kategori, që përfaqësojnë 50 vende, duke përfshirë dy premiera botërore, dy premiera ndërkombëtare dhe një numër premierash europiane dhe rajonale.

Tetë filma nga konkursi kombëtar i Kosovës gjithashtu do të japin premierën e tyre botërore në festival.

“Tema e këtij viti është e ardhmja dhe jemi optimistë se e ardhmja është e bukur, kështu që ne synojmë ta transmetojmë këtë përmes programit të filmit, programit muzikor, bisedave dhe fushatave”, tha për BIRN, Veton Nurkollari, drejtor i Dokufest-it.

Ngjarja më e rëndësishme kulturore në Kosovë është rritur çdo vit, vuri në dukje ai dhe kështu siç po veprohet, gjithnjë e më shumë regjisorë të njohur po aplikojnë për të shfaqur filmat e tyre, disa edhe si premiera botërore.

Shumë nga filmat që do të shfaqen në Prizren, sipas Nurkollarit, janë të rinj dhe vijnë direkt nga festivalet kryesore ndërkombëtare.

“Ne kemi filmin fitues të kritikëve të festivalit të Kanës dhe fituesit e festivaleve filmike në Berlinale, Sundance dhe Tribeca dhe shumë festivale të tjera të rëndësishme. Një pjesë e madhe e filmave më të mirë të vitit do të jetë në Dokufest.”

Ai shtoi se është bërë traditë që së paku katër ose pesë filma të shfaqur në Dokufest më vonë të hyjnë në garë për çmimet më të rëndësishme ndërkombëtare siç është Oscar.

Ata që përfitojnë më së shumti nga programi i festivalit, sipas Nurkollarit, janë veçanërisht qytetarët dhe filmbërësit e Kosovës.

“Ne do të presim një retrospektivë të dy regjisorëve, regjisorit britanik, John Smith dhe regjisorit amerikan,Travis Wilkerson, të cilët do të mbajnë kurse dhe kjo është një mundësi e jashtëzakonshme sidomos për regjisorët e rinj për të mësuar nga mjeshtrit e kinemasë”, tha Nurkollari.

Nëpërmjet kurseve të tilla mjeshtërore dhe programeve të tjera në festivalet filmike të Kosovës, sipas Nurkollarit, cilësia e filmave në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm.

“Cilësia e filmave tanë është e pakrahasueshme me atë që ishte 16 vjet më parë. Numri i filmave që prodhohen tani është gjithashtu i pakrahasueshëm me numrin e filmave të prodhuar atëherë, kështu që ka arsye të mirë për t’u kënaqur”, shtoi Nurkollari.

Derisa tema kryesore e filmave të pasluftës në Kosovë ka qenë lufta për pavarësi, pasojat e luftës apo temat sociale, Nurkollari zbulon tani një zhvendosje drejt “një porte të vogël drejt filmit eksperimental.”

“Është shumë interesante dhe inkurajuese për mua që regjisorët e Kosovës po përpiqen të eksperimentojnë me të dyja, formën dhe zhanrin. Unë shoh kapacitetin e filmbërësve të rinj të cilët me sy të hapur po i ndjekin trendët dhe janë në gjendje t’i kthejnë ato në filma”, tha ai.

Nurkollari thotë se kinematografia në Kosovë po përmirësohet çdo vit dhe festivalet janë një nga faktorët që kanë ndihmuar.

“Ne kemi filluar kinematografinë nga asgjëja, pasi Kosova nuk ka shkollë filmi. Ne nuk mund të pretendojmë të shkojmë në finalen e Ligës së Kampionëve, kur nuk kemi fushë futbolli, kështu që është e njëjtë edhe me filmin”, tha ai.

Megjithatë, “mos harroni se filmat e Kosovës janë nominuar për Oscar, kanë fituar në BAFTA dhe kanë fituar në Sundance”, shtoi ai.

Vitin e kaluar, “Shok”, i bërë nga regjisori britanik, Jamie Donoughue, u bë filmi i parë i prodhuar nga Kosova për t’u nominuar në një Academy Award, megjithëse nuk arriti të fitonte çmimin Oskar.

Një tjetër bashkëpunim i suksesshëm kinematografik mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës ishte filmi 20-minutësh “Home” i Daniel Mulloy, i cili në muajin shkurt fitoi çmimin BAFTA si Filmi më i Mirë i Shkurtër.

Në vitin 2012, “Kthimi” nga Blerta Zeqiri, fitoi çmimin më të rëndësishëm në Festivalin e Sundance në kategorinë e Filmit të më të Mirë të Shkurtër në botë.