Dobërçani i Gjilanit-Fshati i Pastërtisë Zvicerane

Në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Dobërqan, një hapësirë e gjelbëruar përmes së cilës është e shtruar një rrugë me kubëza, Ramadan Avdyli kosit barin me një mjet dore me motor.

Ai është punësuar për të kryer punët e mirëmbajtjes në këtë fshat nga Shoqata “17 Shkurti”, e themeluar në Cyrih nga dobërçanasit e kurbetit. Kjo shoqatë kujdeset për pastërtinë në fshat nga kontributet e fshatarëve të punësuar jashtë vendit.

600 nga 3 mijë e 500 deri në 4 mijë banorët e fshatit ndodhen në kurbet.

“Si detyrë kam mirëmbajtjen e parkut, varrezave, lumit dhe ujitjen e pemëve”, thotë Avdyli, teksa tregon se ka marrë përsipër këto detyra që një vit e gjysmë dhe është i kënaqur me pagesën nga shoqata dhe drekat që i japin fshatarët kur kryen punë për të mirën e të gjithëve.

Në Dobërçan, fshatin ku jetojnë së bashku shqiptarë e turq, hapësirat e gjelbra janë të rregulluara dhe në rrugët e pastra me kubëza nuk mud të shihen mbeturina.

“Sa i përket pastërtisë meritat i shkojnë shoqatës ‘17 Shkurti’ që i paguan dy punëtorë për mirëmbajtjen e këtij lokaliteti”, thotë Shefki Daku, ish-anëtar i Këshillit të Fshatit dhe veprimtar, ndërsa punëtori Ramadan Avdyli shpjegon se edhe mjetet për kryerjen e punëve i merr nga kjo shoqatë.

Daku tregon se shoqata nuk merret vetëm me mirëmbajtjen, por kryen edhe vepra tjera ndihmuese.

“Shoqata ka ndërtu tri shtëpi për skamnorët deri në çelësa, ndihmojnë nganjëherë edhe klubin e futbollit ‘Studenti’”, thotë Daku.

Avni Kastrati, kryetar i shoqatës me emrin e ditës së pavarësisë, përmend të gjitha investimet e shoqatës për pesë vjet.

“Shoqata 17shkurti.ch për 5 vjet ka investuar në total në të gjitha projektet rreth 250.000 franga zvicerane (205 mijë euro)”, tregon Kastrati.

Sipas tij përveç ndërtimit të tri shtëpive dhe rinovimit të një tjetre për ata që kanë pasur nevojë për strehim, “17 Shkurti” ka rregulluar parkun e fshatit, një klasë për parashkollorë me kushte moderne dhe është përfshirë në projektin për emërtimin e rrugëve.

Kastrati shpjegon se shoqata ka organizuar edhe një fushatë për ruajtjen, mbrojtjen dhe pastërtinë e ambientit.

“Deri më tash vetëm për pastërti dhe ambient (qe 5 vjet) kemi investuar rreth 30.000 franga (24.675 euro). Kemi pasur edhe nje kampanjë para 4 vjetëve për pastërti ‘çka pengon në shtëpi, pengon edhe në rrugë’”, thotë Kastrati.

Shoqata i ka njerëzit e saj edhe në fshat.

“Nuk kemi kurrfarë partie”

Njëri nga përfaqësuesit e “17 Shkurtit” në Dobërçan është Avdylmexhit Sylqevci, i kthyer nga Zvicra pas pensionimit.

“Na kurrnifarë partie nuk kemi këtu se kur na duhet prej tana partive vijnë e na ndimojnë. Këto letra e bërllok çka na i qesin, nuk i hedhin më,  janë vetëdijesu shumë mirë. Edhe nxënësit nuk qesin letra rrugëve”, thotë ai.

Edhe Taip Arifi, po ashtu pensionist lavdëron pastërtinë në fshat, por dëshiron që kjo të zgjasë.

“I sugjeroj rinisë së Dobërçanit që ta ruajnë këtë ambient se për ta e kemi, e për rininë punojmë gjithçka”, thotë Arifi.

Fshati edhe po të mos dallohej për pastërti, i ka veçoritë e tij për të cilat ia vlen të vizitohet.

Mulliri i vjetër

Një mulli që ende punon është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane. Kështu thotë pronari i tij pa e ditur vitin e saktë të ndërtimit.

“Mullirin e ka maru turki para 500 vjetëve. Pesë mulli janë kanë në Dobërçan. Veç ky ka mbet”, flet me dhimbje mullisi Musa Kastrati.

Ai vetë bluarjen e kryen prej vitit 1962, ndërsa shton se për miell misri vijnë këtu banorë të fshatrave përreth.

Mullisi i moshuar ankohet se sasinë e ujit me të cilin punon mulliri shpesh ia zvogëlojnë bujqit që ujisin arat.

“Shoqnia duhet me e mbrojtë vadën e mullinit”, thotë Kastrati.

Banja termale

Edhe më interesant se mulliri është banja termale e Dobërçanit. Pronari i saj Nexhat Ibishi thotë se vizitat varen nga koha që mban.

“Në sezonin e verës varet prej motit, ka vizitorë bukur shumë 20-30 mijë”, thotë Ibishi.

Banja sipas tij shëron disa sëmundje.

“Banja është e njohur më shumë për sëmundjet e lëkurës, syve dhe shumë sëmundje tjera”, deklaron ai.

Mevlud Gërbavci, njëri nga vizitorët e banjës me prejardhje nga Gjilani e me banim në Suedi ka bindjen se uji i këtij vendi i ka ndihmuar. Për këtë edhe është rikthyer për së dyti.

“Vjet më ka ndihmu bajagi shumë në të folme. Më kanë thënë që ndihmon edhe për këmbë, por duhet kohë më e gjatë”, thotë Gërbavci.

Problemet me kanalizim

Por edhe ky fshat i organizuar ka problemet e tij. Ai nuk ka kanalizim.

“Po na mungon veç edhe instalimi i rrjetit të kanalizimit edhe asfaltimi i disa rrugicave, por po shpresojmë që komuna do të na bëjë një zgjidhje”, thotë Shefki Daku banor i këtij fshati.

Zyrtarët komunalë premtojnë rregullim të kanalizimit.

“Janë katër prioritetet e kryetarit Lufti Haziri: uji, kanalizimi, rruga dhe ndriçimi, që jo vetëm Dobërçani, por të gjitha fshatrat e Gjilanit do t’i harrojnë shumë shpejt si probleme”, thotë Arbër Ismajli shef i kabinetit të kryetarit Haziri.

Derisa ky problem të zgjidhet dobërçanasit mund edhe të luajnë shah në parkun e fshatit. Edhe figurat e shahut dhe fusha e lojës shumë herë më e madhe se ajo reale janë dhuratë e Shoqatës “17 Shkurti”.

Kurbetçarët e këtij fshati i merr malli për t’u kthyer.

“Po patjeter që na merr malli per vendlindjen, ne vijmë së paku një herë në vit në Dobërçan. Organizojmë çdo vit javën kulturore sportive, kjo na bashkon të gjithëve”, thotë Avni Kastrati.