Djemtë e Isa Mustafës Fitojnë Tenderë nga Kryeministria

Zyra e Kryeministrit aplikoi procedurë të mbyllur tenderuese për të kontraktuar një kompani për servisim të automjeteve. Nëpërmjet kësaj procedure shpalli fitues kompaninë Makcar që është në pronësi të djemve të kryeministrit Isa Mustafa, Besnikut e Arbenit.

Të njëjtën ditë kur Isa Mustafa u bë kryeministër, më 9 dhjetor 2014, djali i tij u paraqit para gjyqit nën akuzën për falsifikim të dokumentit zyrtar.

NDËRLIDHUR

Dalja para gjyqit e Besnik Mustafës dhe bërja publike në media do të nxiste reagimin e kryeministrit Mustafa. Ai kishte shfaqur nervozën e tij disa muaj më vonë.

Nëpërmjet një statusi në Facebook kishte deklaruar se po bëhet fushatë linçuese ndaj djalit të tij nga mediat dhe njerëz të shërbimeve informative. Nuk kishte saktësuar se kujt i referohej si ‘njeri i shërbimeve’.

E kishte penguar fakti që të akuzuarve tjerë iu referohen me emër e mbiemër ndërsa Besnikut i referohen si ‘djali i kryeministrit’.

“Vërtetë Besniku është djali im. Një djalë i mrekullueshëm, i ndershëm, punëtor i mirë, i cili punon nga agu deri në mbrëmje dhe jeton me punën e tij”, kishte shkruar Mustafa më 8 prill të këtij viti.

Por pjesë e punës së Besnikut, tre muaj e gjysmë pas këtij reagimi, është bërë edhe një kontratë publike.

Kompania Makcar, ku Besniku është pronar bashkë me vëllain e tij Arbenin, fitoi kontratë pikërisht nga Zyra e Kryeministrit e udhëhequr nga prindi i tyre- kryeministri Mustafa- që ankohej se i biri po i linçohej nga shoqëria.

Zyra e Kryeministrit shpalli fitues këtë kompani më 21 korrik të këtij viti. Gjashtë ditë më vonë, më 27 korrik 2015 u nënshkrua kontrata mes Makcar dhe Zyrës së Kryeministrit.

Bazuar në Njoftimin për Dhënie të Kontratës të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, oferta e kësaj kompanie në tenderin për servisimin e automjeteve është në vlerën e 2 mijë e 946 euro.

Person kontaktues për këtë kontratë është Besnik Mustafa.

Njoftimi po ashtu tregon se ZKM-ja përzgjodhi procedurën e kuotimit të çmimeve.

Ligji i Prokurimit që parasheh këtë procedurë i mundëson institucioneve që të mos aplikojnë tenderë të hapur por të shkojnë me procedura të mbyllura.

Kuotimi i çmimeve mundëson po ashtu që Kryeministria t’i përzgjedhë vetë së paku tri kompani për t’i dërguar  ofertat e tyre.

Pastaj Kryeministria, në mesin e tri kompanive të ftuara, vlerëson se cila ofertë është më e denja për të lidhur kontratë.

Përveç këtyre të dhënave që janë bërë publike, Zyra e Kryeministrit ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë që kërkojnë sqarime lidhur me këtë tender të mbyllur.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi sqarime se cilat janë kompanitë tjera që u ftuan përpos kompanisë Makcar që është në pronësi të Besnik e Arben Mustafës si dhe cilat kritere plotësoi kjo kompani për të lidhur kontratë publike.

Besnik Mustafa: Tenderi është  publik

Ndërkohë Besnik Mustafa, që dha përgjigje në emër të kompanisë Makcar, konfirmoi se kjo është kontrata e parë që kjo kompani ka lidhur me institucionin e Zyrës së Kryeministrit.

Kjo kompani vepron që nga 14 prilli i vitit 2010.

Mustafa nuk e sheh si problematik faktin që ka fituar pikërisht nga një zyrë që udhëhiqet nga prindi i tij.
“Përderisa është tender publik të drejten për pjesëmarrje e ka çdo kompani”, thotë ai.

Megjithatë procedura ‘Kuotim i çmimeve’, që ka përdorur ZKM-ja kufizon të drejtën e pjesëmarrjës për çdo kompani të  interesuar pasi i mundëson institcionit të përzgjedh vetë se cilat kompani janë të denja që të dërgojnë ofertë për kontratë.

Ndërkohë Mustafa deklaroi se kjo kontratë ka të bëjë me servisimin e një veture të tipit BMW X5 të blinduar, respektivisht ndërrimin e 8 injektorëve të motorit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar kompaninë ‘Sfishta’ që ka servisuar më herët vetura të tipit BMW dhe vetura tjera për nevoja të Zyrës së Kryeministrit.

Milaim Sfisha, pronar  i kompanisë, tha se nuk është i informuar se kohëve të fundit ka pasur tenderë të shpallur nga Zyra e Kryeministrit.

“Nuk jemi në  dijeni. Nuk kemi pa në faqen e KRPP-së që është hapur tender (v.j Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik publikon njoftimet për tenderë)”, tha Sfishta.

Ndërkohë  Besnik Mustafa që është i akuzuar nga Prokuroria Speciale nuk deshi të komentojë lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij. Tha se këtë do ta bëjë kur të kryhet procesi.

“Po sa të perfundojë procesi edhe unë kam çfarë të flas rreth këtij procesi dhe do të nxirret e vërteta në pah”, tha Mustafa që akuzohet për për keqpërdorim të pozitës apo autorizimit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Ligji i Prokurimit Publik nuk sheh ndalesa të mospjesëmarrjës në tenderë të biznesmenëve ndaj të cilëve ka aktakuza të ngritura.

Mustafa bashkë me dy ish-kolegë të tij të Bankës Për Biznes (BPB) akuzohen se kishin ndryshuar garancionin bankar në vlerë të 500 mijë eurove të biznesmenit Zeqir Smajli duke futur edhe emrin e kompanisë spanjolle “Pronair”.

Kompania Pronair kishte falimentuar më 2009 dhe 1 mijë e 600 mërgimtarë që kishin paguar bileta kthyese nuk kishin mundur të udhëtonin nga Prishtina për në Gjermani.
Udhëtarët nuk ishin dëmshpërblyer.

Biznesmeni Zeqir Smajli pati deklaruar se ndryshimet në garancion ishin bërë pa dijeninë e tij dhe se kishte garantuar vetëm për operimet e kompanisë  “Flybaboo” nga Zvicra dhe jo edhe të kompanisë spanjolle “Pronair”.

Përveç Mustafës dhe dy ish-kolegëve të tij në  BPB, në këtë rast gjyqësor, akuzohen edhe dy biznesmenë dhe dy zyrtarë të  Ministrisë së Infrastrukturës.

Aktakuza u ngrit më 7 mars të vitit 2013 n ga Prokuroria Speciale.

Rasti gjyqësor është në shqyrtim kryesor ku janë dëgjuar palët e dëmtuara. Më pas do të dëgjohen dëshmitarët e pas tyre të pandehurit. Seancat e radhës pritet të mbahen në muajin shtator.

ETIKETA

24 Gusht 2015 - 11:31

Parim Olluri 24/08/2015 - 11:31
NDËRVEPRIMI0