Divjaka Kundër Divjakës: Banorët Brohorasin Projektin ‘Betonizues’ të Behgjet Pacollit

Të premten në drekë, në kinoteatrin e qytetit të Divjakës, disa dhjetëra banorë të zonës u mblodhën për të dëgjuar një prezantim nga kompania Mabetex, ndoshta shfaqja më e madhe në historinë e qytezës, e cila ka 8 mijë banorë dhe në përgjithësi e konsideron veten fshat, pavarësisht se është shpallur qytet në vitin 1996. Ata qenë mbledhur për të dëgjuar disa prezantime nga kompania Mabetex për një megaprojekt që synon të urbanizojë një segment të virgjër të bregdetit shqiptar, nga zona e Vilë Bashtovës pranë grykëderdhjes së Shkumbinit deri te pika ku deti lidhet me Lagunën e Karavastasë, rreth pesëmbëdhjetë kilometra më në jug.

Mabetex është kompania nën pronësinë e Behgjet Pacollit, biznesmenit kosovar që bëri pasuri me kontrata ndërtimore në vende të tilla si Rusi, Kazakistan e Iran, para se të përpiqej pa sukses të bëhej politikan në vendin e tij të lindjes në Kosovë. Pacolli, 66 vjeç, e prezanton veten si ish-president i Kosovës, pavarësisht se ai u zgjodh në këtë post për një javë para se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ta shpallte zgjedhjen e tij të pavlefshme, ka shpallur prej disa kohësh dëshirën për të zbatuar një projekt urbanizimi në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, një zonë natyrore me shkallën më të lartë të mbrojtjes që ligji shqiptar dhe praktika ndërkombëtare jep sot për sot. Por të qenit park kombëtar, me 24 specie në rrezik zhdukjeje dhe me statusin më të lartë të mbrojtjes së territorit nuk e ka penguar Mabetex të punojë për këtë projekt që prej vitit 2012 dhe të planifikojë një urbanizim tërësor të zonës me pallate shumëkatëshe, hotele e vila, të cilat do të shtrihen deri në zemër të parkut kombëtar. [Link]

Sipas dokumenteve të Mabetex, projekti përfshin ndërtimin e 2350 apartamenteve, 370 vilave dhe hotele me 4,300 shtretër. Kompania duket se mburret kur thotë se pothuajse i gjithë projekti i saj shtrihet brenda parkut kombëtar dhe se një pjesë nga 1170 hektarët e synuar për urbanizim, janë “pyll pishe brenda core area” d.m.th, brenda zonës qendrore të parkut.

Sipas Mabetex, projekti planifikohet të zbatohet në dy faza, ku faza e parë do të jetë ndërtimi pikërisht në Divjakë ndërsa e dyta do të përfshijë zonën e Vilë-Bashtovës.

Një studim mjedisor pa probleme

Projekti i resorit turistik në Divjakë. Foto: Mabetex.eu

Pikërisht për të diskutuar këtë projekt, disa përfaqësues të Mabetex hynë në kinoteatrin e Divjakës, ku mbajtën disa fjalime dhe transmetuan një video promocionale me narracion në gjuhën angleze. Sulejman Sulçe, një profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, prezantoi atë që e quajti “Vlerësim Strategjik Mjedisor”, (VSM) një studim që paguhet nga kompania si pjesë e dokumentacionit të kërkuar nga qeveria para miratimit të një projekti.

Pjesëmarrësit në takim ishin jashtëzakonisht të lumtur për projektin, entuziastë, të etur për të parë, atë që e konsiderojnë si “zhvillim”, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u mërzitën dhe u ngritën të iknin gjatë prezantimit të VSM-së.

Thelbi i prezantimit të Profesor Sulçes qe se vlerësimi strategjik mjedisor e ka shqyrtuar projektin në tërësi dhe nuk ka zbuluar asnjë shqetësim në lidhje me mjedisin.

“Gjithmonë ka pasur një konflikt mes njeriut dhe natyrës,” tha Sulçe. “Jemi në kushtet kur Shqipëria dëshiron të zhvillohet dhe do të zhvillohet edhe në afërsi të zonave të mbrojtura,” shtoi ai. Por pak më vonë, gjatë prezantimit, ai shtoi se një ish-repart ushtarak, do të përfshihet në projekt edhe pse gjendet brenda zonës së quajtur “core”, por sipas tij, sërish nuk ka problem.

Sulçe i hodhi poshtë vërejtjet e mjedisorëve duke argumentuar se studimi i tij qe Vlerësim Strategjik Mjedisor ndërsa çdo ndërtesë do të duhet të kryejë Vlerësim të Ndikimit në Mjedis para se të marrë lejen e ndërtimit.

Pyetur se çfarë do të ndodhë me zogjtë gjatë ndërtimeve të tilla intensive, si dhe nga fakti që projekti përfshin ndërtim fushash golfi, të cilat ndryshojnë tërësisht mjedisin gjatë procesit të ndërtimit të qilimit të barit, si dhe të ndërtojë pista helikopterësh për klientë VIP, Sulçe iu përgjigj se grupi i tij nuk kishte qenë në gjendje të “kuantifikonte zhurmat” por shtoi se sipas mendimit të tij, nuk ka problem. “Ne kemi bërë një vlerësim cilësor, jo sasior,” tha ai.

Duartrokitjet qenë të zjarrta gjatë prezantimit të Mabetex. Disa prej pjesëmarrësve e shpallën Behgjet Pacollin një patriot dhe e konsideruan projektin “një mrekulli”.

“Ne po na duket një ëndërr”, komentoi me zë të lartë një nga pjesëmarrësit.

Një punonjës i Mabetex nga Divjaka, i cili u prezantua si personi që ka punuar prej katër vitesh për këtë projekt, i kritikoi zërat e paktë kritikë si sabotatorë dhe deklaroi se banorët e Divjakës duhet të bëjnë çmos, e madje, të ndihmojnë me paratë e tyre, aq sa kanë, patriotin Pacolli për ta bërë realitet “këtë mrekulli”.

Së paku dy banorë u përpoqën të bëjnë pyetje apo të ngrejnë shqetësime mbi mjedisin dhe përfitimin e banorëve të zonës nga projekti, apo mbi shqetësimin e disa dhjetëra bizneseve modeste që mbijetojnë aktualisht duke ofruar shërbime turistike, por ato u tulatën nga agresiviteti i mbështetësve të projektit, të cilët qenë të gatshëm të linçonin çdo zë kundër, pa marrë mundimin të ngrenë pyetje mbi projektin. Një nga ekspertët e mjedisit e gjeti veten përballë pyetjeve agresive nga pjesëmarrësit se “sa lekë ka fituar duke fotografuar pelikanin”.

Natyrë, mushkonja dhe zogj

Zona bujqësore e Divjakës është toka më e pasur në Shqipëri, aktualisht e vetmja sipërfaqe toke që mund të mbillet deri në tre herë në vit. Banorët e Divjakës dhe fshatrave të tjerë të zonës ia detyrojnë jetesën e tyre pjesërisht pyllit të Divjakës, i cili përgjatë shekujve ka shërbyer si barrierë mbrojtëse nga deti dhe nga era.

Pylli i Divjakës dhe një numër kënetash të mëdha e të vogla përgjatë bregut të detit përbëjnë parkun kombëtar më të çmuar në Shqipëri. Çdo vit, deri në 80 mijë shpendë folenizojnë aty apo ndalojnë gjatë migrimit stinor, mes të cilëve, Pelikani Kaçurel, një nga zogjtë më të mëdhenj që gjenden në planetin tokë. Divjaka numëron 24 specie në rrezik zhdukjeje dhe ka gëzuar që pas viteve ’90 statusin më të lartë të mbrojtjes.

Divjaka konsiderohet si një zonë unike në Europë për sa i përket pasurisë dhe larmishmërisë së specieve ndërsa aty gjenden 5 për qind e të gjithë popullsisë së pelikanëve kaçurrel të botës.

Megjithatë, një zonë kënetore si Divjaka ka pashmangshmërisht edhe mushkonja me shumicë si dhe disa miza të cilave banorët vendës i referohen si harrie. Kur flet me banorët e Divjakës apo me ndonjë nga punëtorët apo pronarët e lokaleve të zonës së pyllit, mushkonjat dhe harriet, janë një nga shqetësimet kryesore. Mushkonjat e bëjnë të banuarin në pyll pothuajse të padurueshëm ndërsa plazhi i Divjakës nuk është shumë i pëlqyer për pushime të gjata.

“Ne na është bërë instinkt të lëvizim duart me vrik pranë veshëve apo fytyrës për të larguar mushkonjat,” tha një grua.

Projekti për Divjakën. Foto: Mabetex.eu

Dhe disa nga banorët e Divjakës me të cilët foli BIRN, e argumentuan entuziazmin e tyre mbi projektin “Pacolli” mes të tjerash edhe me argumentin se një investim i tillë do të duhet të kujdeset edhe për dizinfektimin dhe uljen e numrit të mushkonjave.

Një tentativë e tillë dizinfektimi i ndërmor edhe në vitet ’80, kur Lenka Çuko, anëtare e Byrosë Politike, zuri një vilë në pyll. Gjithsesi, dizinfektimi i asaj kohe dha efekte të kundërta. Ndërsa insekticidi vrau një pjesë të mushkonjave për një vit, ato që mbijetuan fituan imunitet dhe u shumuan edhe më shumë në vitet pasardhëse, ndërsa i gjithë zinxhiri biologjik u dëmtua.

Por për momentin, Mabetex nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se çfarë mendon të bëjë në lidhje me mushkonjat, këto insekte të vockla të cilat kanë potencialin ta kthejnë një zonë të gjerë në zonë të pabanueshme. Edhe pjesëmarrësit në konsultimin publik të 28 prillit nuk e ngritën si pyetje.

Një bllok tjetër me pallate

Në faqen e vet të internetit, Mabetex e prezanton projektin e saj për Divjakën si një bllok me pallate shumëkatëshe me një hotel 80 metra të lartë plus disa hotele të tjera. Megjithatë, për të gjithë, një projekt i tillë ndërtimor me 2350 apartamente të shpërndara në një numër të papërcaktuar pallatesh shumëkatëshe rikujton zakonisht Golemin.

Shqipëria ka aktualisht rreth 400 kilometra vijë bregdetare, pjesa më e madhe e të cilës vijon të jetë bosh nga ndërtimet. Megjithatë, në ato pak vende ku është lejuar ndërtimi, pasojat kanë qenë katastrofike, jo aq shumë sa i përket natyrës se sa i përket ekonomisë. Plazhi i Durrësit, ai i Golemit, Vlora, Shëngjini, Orikumi e Saranda, janë që të gjitha vende me pallate shumëkatëshe të cilat qëndrojnë pjesën më të madhe të kohës bosh, ndërsa i vetmi sektor turistik aktualisht në rritje është turizmi i natyrës.

Gjatë prezantimit, një gazetar pyeti kompaninë Mabetex se për çfarë arsyeje qe zgjedhur për këtë projekt Divjaka, në një kohë kur pjesë të tjera të vijës bregdetare janë bosh dhe nuk mbartin shqetësime mjedisore. Përgjigjja e përfaqësuesit të Mabetex na la me gojë hapur: “Kemi zgjedhur Divjakën se këtu ka zogj dhe për shkak se Behgjet Pacolli është patriot”. Fjala e tij u prit me duartrokitje të zjarrta në sallë. “Ne na pyesin se pse në Shqipëri dhe jo në Greqi apo Kroaci,” tha Arsim Gosalci nga Mabetex. “Ne kemi ardhur këtu për zogjtë dhe për shkak se Zoti Pacolli është patriot”.

Natyrisht që ka një arsye më praktike për zgjedhjen e Divjakës. Si park kombëtar, bregdeti i Divjakës është nën pronësi publike dhe siç ndodh zakonisht në Shqipëri, prona publike mund të përfitohet falas. Pyetur nga BIRN se me çfarë regjimi ligjor kompania pret të marrë nën pronësi tokën, përfaqësuesit e Mabetex nuk dhanë përgjigje.

Banorët e Divjakës, të cilët morën fjalën gjatë seancës dëgjimore, kishin vetëm lavde për projektin ndërsa pothuajse askush prej tyre nuk ngriti ndonjë shqetësim.

Një zonjë, e cila nuk u prezantua me emër, tha se familja e saj kishte tokë në zonën e kularit dhe se nuk kishte tokë në Divjakë. “Toka ime është në kular, ne nuk e përdorim, pse të mos përdoret kjo tokë?”, tha ajo shoqëruar me duartrokitje. Por komentuesja nuk ngriti pyetjen se si do të trajtohej pronësia e saj dhe as nuk shpjegoi nëse kishte arritur ndonjë marrëveshje me Mabetex. Kulari është një zonë e krijuar mes derdhjes së vjetër të lumit Shkumbin dhe derdhjes së re. Një lloj ishulli i cili gjatë dekadave të fundit është shfrytëzuar si kullotë lopësh ndërsa projekti e përfshin si zonë për ndërtim vilash luksoze.

Një banor tjetër, i cili gjithashtu nuk u prezantua, tha se ai zotëronte një lokal modest në zonën e plazhit të Divjakës, por ai nuk guxoi ta përfundojë pyetjen se çfarë do të bëhet me këto biznese pasi u mbyt nga euforia e mbështetësve të projektit. Mabetex nuk u përgjigj se çfarë do të bëhet me lokalet e zonës.

Ristan Lala, mësues në pension, mori fjalën me kujdes: “Nuk dua të bezdis dhe të tjerët këtu me fjalën time dhe se unë s’kam shumë nivel… Natyrisht që nuk jam kundër projektit,” tha ai para se të ngrinte shqetësimin për ndotjen që pritet të krijohet kur në Divjakë të banojnë, sipas vlerësimeve të projektit, 18 mijë turistë. Sulejman Sulçe, nga grupi i ekspertëve mjedisorë, në të cilin bëjnë pjesë edhe Jamarbër Malltezi, Spase Shumka, Ferdinand Bego etj., nuk kishte një përgjigje se çfarë do të ndodhë me ujërat e ndotura, por deklaroi se zgjidhja mund të jetë “individuale ose e integruar”.

“Më falni se e zgjata, por kam edhe një pyetje tjetër,” tha butë mësuesi Lala: “Kjo është  pasuri publike, tokë shtetërore e me radhë , çfarë do të ndodhë kur të ndërtohen? Do të privatizohen si banesa apo jo?”

Mabetex nuk u përgjigj për këtë pyetje.

Shqetësimi tjetër i ngritur nga publiku lidhej me aksesin në plazh pas ndërtimit të projektit. “Ne jemi popull i varfër,” tha njëri, “dhe shkojmë në plazh me bukë me vete. A do të ketë sërish plazh publik dhe a do të administrohet nga bashkia?” Mabetex tha se aksesi në plazh do të jetë i hapur, por nuk foli për administrim nga bashkia.

Mjedisorët në gjyq publik

Taulant Bino, orintolog që ka kryer studimet e tij kryesore në Lagunën e Divjakës, u përpoq gjatë prezantimit të ngrinte pyetje mbi fatin e bizneseve të vogla familjare që aktualisht funksionojnë në Divjakë si dhe për shqetësimet që lidhen me mjedisin, por e gjeti veten në një agresion të gjerë publik nga pjesëmarrësit si dhe në një lloj gjyqi publik.

“Kam vite që punoj që zonën e Divjakës, që në vitin 1992 dhe një pjesë të mirë tuaj e njoh dhe kam jashtëzakonisht respekt  për Divjakën…” tha Bino. “Kam jashtëzakonisht respekt për popullin e Divjakës kam jashtëzakonisht respekt për ato klube që janë bosh, që do të thotë se njerëzit punojnë. Unë e bëra këtë  sqarimi sepse dua që të mos ketë keqkuptim për fjalët e mija. Unë jam për zhvillimin e Divjakës jam për  zhvillimin e zonës por duke ruajtur natyrën atë që ju e keni ruajtur prej shekujsh”, shtoi ai.

Ende pa e përfunduar argumentin Bino, një nga salla thirri me zë të lartë: “Pse këtu me ju do të rrimë ne?” Një tjetër bërtiti: “Ato janë interesat e xhepit tënd. Nuk të han barku ty për Divjakën.”

“Dëgjojeni se për interesin tonë po flet,” kundërshtoi një tjetër, por ai qe në pakicë.

Bino ngriti ndër të tjera shqetësimin se prezantimi i Mabetex para publikut qe përqendruar te hotelet, pa folur shumë për blloqet e apartamenteve, por e gjeti veten të linçuar nga publiku, i cili i konsideroi shqetësimet e tij si sabotazh.

Një i moshuar u ngrit menjëherë dhe tha: “E di Taulant kur erdhën ata gjahtarët Italian ku ishe ti? Ku ishe ti… dëgjo, dëgjo…  Ti ke për detyrë që të bësh transparencën e fonde që ke marrë  nga Europa dhe çfarë ke hedhur këtu… të përgjigjesh përpara këtij populli. Je përfitues…” Populli reagoi me duartrokitje dhe brohoritje.

“Italia, Greqia, Kroacia, janë të këqij, janë agresiv dhe na duan të na fundosin,” vijoi ai. “Çfarë humbi Kina që i dha 100 vjet Hong Kongun Britanisë?, asgjë zotëri por u zhvillua… Unë i quaj si ëndërr këto që pamë.  Unë dua të besoj se këta janë njerëz serioz besoj tek zoti Pacolli, i cili është një patriot”, shtoi ai ndërsa salla shpërtheu për të njëqindtën herë në duartrokitje dhe brohoritje.

Artikull i marrë në Reporter.al