Diskualifikimi nga Pjesëmarrja në Panair, Revolton Kompaninë Konkurruese

Kompania Sefa Wine po synon që prodhimet e saja të verës të fillojë t’i shesë edhe në tregun europian. Një mundësi e mirë për të gjetur tregun e ri, kjo kompani e ka parë në panairin “ProWein 2018” që do të mbahet në Dyseldorf të Gjermanisë. Ajo ishte regjistruar në këtë panair në gjysmën e vitit 2017, ndërsa në muajin shkurt kishte konkurruar në konkursin e MTI-së për pjesëmarrje në shtandin shtetëror të Kosovës në këtë panair.

Përkundër plotësimit të dokumentacioneve, këtë kompani e ka eliminuar një kusht i vendosur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA). Ajo ka vendosur që në këtë panair të dërgojë vetëm kompani që aktualisht janë duke eksportuar verë. MTI/KIESA i ka përzgjedhur pesë kompani të cilave do t’ua mbulojë të gjitha shpenzimet.

Labinot Shulina, nga ‘Sefa Wine’, ka shprehur zhgënjimin me MTI-në që ia ka pamundësuar që t’i eksportojnë prodhimet që sipas tij janë të një cilësie shumë të lartë.

Thotë se KIESA-a është duke i shkatërruar prodhuesit vendorë, jo duke i promovuar.

“KIESA kërkon që eksportuesit që kanë eksport t’i dërgojë në promovime, ndërsa ne që jemi në kërkim të eksportit nuk kemi të drejtë të shkojmë sepse nuk kemi eksportuar në vitin 2017 edhe pse ne jemi të regjistruar në panair qysh në vitin 2017 me datën 31/07/2017, salla me numër 15, numri i shtandit 15KO03 ProWein 2018”, ka thënë ai.

Thotë se kriteri për t’i mbështesin vetëm eksportuesit është diskriminues, sepse bën dallime në mes të kompanive bazuar në një kriter që nuk tregon potencial për eksport, e as cilësi.

“I kanë bo disa diskriminime. Prodhuesi vendor që nuk ka eksport nuk mundet me shku. Tash kjo të diskriminon”, tha Shulina.

Në konkursin i cili ishte shpallur me 6 shkurt 2018, kanë konkurruar 8 kompani, ndërsa vetëm 5 prej tyre janë përzgjedhur të përfshihen në shtandin shtetëror, ku shpenzimet do t’i kenë të mbuluara nga KIESA.

KIESA, përkrahjen e këtyre kompanive thotë se e ka bërë me qëllim të promovimit të kompanive prodhuese të verërave kosovare në gjetjen e tregjeve të huaja për eksport.

Në MTI thonë se Kosova për këtë panair ka një hapësirë të limituar prej vetëm 27 metrash katrorë.

Sipas MTI, konsultimi për numrin ideal të ndërmarrjeve është bërë me organizatorët e panairit “Messe Düsseldorf GmbH”, me qëllim paraqitjen dhe promovimin sa më të suksesshëm të Kosovës.

“Përmes këtyre konsultave, kemi përfunduar me pesë ndërmarrje kosovare pjesëmarrëse në shtandin shtetëror për të promovuar produktet e tyre dhe një kënd për zyrtarët e MTI-KIESA ku do të promovohet në përgjithësi Kosova, potenciali ekonomik dhe sektorët ekonomikë kyçë të Kosovës”, thuhet në përgjigje.

MTI-KIESA pretendon se ka udhëhequr një proces tërësisht transparent që nga thirrja publike për aplikim me kritere dhe kushte të qarta dhe objektive, e deri te përzgjedhja e ndërmarrjeve pjesëmarrëse në shtandin shtetëror në ProWein 2018.

“Kufizimin për pjesëmarrje të vetëm pesë ndërmarrjeve në këtë shtand shtetëror e ka përcaktuar hapësira e limituar fizike prej 27 m2, përkundër përkushtimit dhe vullnetit të MTI-KIESA që të mbështesë një numër sa më të madh të ndërmarrjeve kosovare. Në vitet në vijim, konform kërkesave të sektorit privat dhe mundësive buxhetore tona, do të tentojmë të sigurojmë një hapësirë më të madhe për të mundësuar pjesëmarrjen e më shumë ndërmarrjeve kosovare në shtandin e përbashkët të Kosovës në panairin ProWein”, thuhet në përgjigje të MTI-së.

Arsyeshmëria e KIESA-s, për kriterin e konkursit që kompanitë të kenë eksport janë vendosur për të garantuar kthim më të madh investimi për tatimpaguesit përmes ndërmarrjeve që objektivisht kanë potencialin më të madh për rritjen e eksportit.

“Kriteret janë përcaktuar mbi tri parime: i) përfituesit e mjeteve të tatimpaguesve përmes qeverisë të mos kenë detyrime juridike apo financiare ndaj Qeverisë, ii) kriteret të jenë sasiore, jo cilësore, në mënyrë që Komisioni vlerësues të mos ketë në diskrecion asnjë pikë vlerësuese subjektive, por tërësisht pikë vlerësimi objektive dhe iii) të garantojmë kthim më të madh investimi për tatimpaguesit përmes ndërmarrjeve që objektivisht kanë potencialin më të madh për rritjen e eksportit”, thuhet në përgjigje.

Ky konkurs ishte hapur me 6 shkurt 2018, thirrja publike për aplikim ka qenë e hapur deri më 14 shkurt ku kishin aplikuar tetë ndërmarrje të cilat kanë kërkuar afat shtesë për të plotësuar dokumentacionin, veçanërisht vërtetimin nga gjykata që nuk janë nën hetime.

MTI–KIESA e kishte aprovuar këtë zgjatje të afatit deri më datën 20 shkurt. MTI – KIESA, thotë se shumica dërrmuese e ndërmarrjeve aplikuese kanë kompletuar tërë dokumentacionin e kërkuar.

“Të gjitha këto aplikacione, duke marrë parasysh dhe ankesat eventuale të subjekteve aplikuese, janë vlerësuar nga një komision vlerësues profesional, raporti përfundimtar i të cilit është i publikuar në uebfaqen e KIESA-s”, thuhet më tutje duke pretenduar se MTI-KIESA ka udhëhequr një proces tërësisht transparent që nga thirrja publike për aplikim me kritere dhe kushte të qarta dhe objektive e deri te përzgjedhja e ndërmarrjeve pjesëmarrëse në shtandin shtetëror në ProWein 2018.

SefaWein, i ka munguar vërtetimi nga dogana për eksport, sepse kjo kompani nuk ka eksport fare.

Labinot Shulina thotë se pas përgjigjes negative, ata kanë shqyrtuar mundësinë e udhëtimit me mjete vetanake, por edhe kjo tentativë ishte e pasuksesshme.

“Në mungesë të vizave nuk do të marrim pjesë në këtë panair”, tha Shulina për Gazetën JnK. “Është fatkeqësi, sepse vera jonë e ka marrë medaljen e bronztë në Londër në vitin 2007, në mesin e 17,200 mostrave”, tregoi ai.