Dielli Sikur Asgjë

Është një hit botëror ‘asgjë sikur dielli’, një grup kosovar roku me të njëjtin emër dhe pranimi i sotëm përgjatë planetit se energjia diellore është alternativa më e sigurt. Mirëpo, thirrjet nga arti dhe metodat e shkencës janë të vogla përpara vendimmarrësve kosovarë. Dielli dhe burimet tjera të ripërtërishme nuk bindin autoritetet që kanë plane të pathyeshme me linjit. 

Shumë kohë ka për të kaluar derisa kosovari do të furnizohet me energji elektrike që nuk ndotë ambientin. Rreth 97 për qind e energjisë prodhohet dhe do të vazhdojë kështu duke djegur linjit krahas trepërqindshit të mbetur që vjen nga uji, kryesisht nga Ujmani dhe tri hidrocentrale të vogla që KEK’u i ka dhënë me koncesion. 

Se ndryshimet nuk do të ndodhin shpejtë sugjerojnë edhe dokumentet qeveritare. Ka mjaftuar një faqe nga libërthi – dokument për strategjinë e energjisë në Kosovë – që të përfshihet i tërë koncepti për energjinë e ripërtërishme. Madje, aty më shumë flitet për përparësitë e saj, se sa që sqarohen kushtet dhe mundësitë që të rritet pjesëmarrja e energjisë nga burimet përkatëse. 

“Qeveria ka vendosur një cak për Kosovën, që është arritja e një përpjese të energjisë nga burimet e ripërtërishme, prej 7 për qind deri në vitin 2016”, është fjalia më qenësore në dokumentin  ‘Strategjia e energjisë e Republikës së Kosovës 2009-2018’, të miratuar nga ekzekutivi në fillim të këtij viti.

Një hulumtim i OJQ’ve, i cili u pasua me reagim të ashpër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, nënvizon se ‘strategjia është e bazuar në thëngjill’. Organizatat thanë se edhe pse Qeveria cekë se do të bëhen studimet për energjinë alternative, ato nuk kanë janë realizuar deri më tash.

Nezir Sinani, hulumtues dhe analist në institutin KIPRED dhe njëri nga autorët e hulumtimit ‘Projektet Energjetike në Kosovë’, thotë se vendi ka informata sa i përket potencialit hidrik, por nuk i ka ato se sa mund të kontribuojë energjia diellore, e erës dhe ajo gjeotermale në pasqyrën e gjithëmbarshme energjetike në vend. 

“Nuk janë bërë studime që ofrojnë këto të dhëna. Rrjedhimisht, e kam të pamundur të them se si do ta përmbushë Kosova një kriter që e kanë vendet e BE’së, përkatësisht që 20 për qind e energjisë të prodhohet nga burimet e ripërtërishme”, thotë Sinani.

Megjithatë, ka investitorë që nuk presin kompletimin e dokumenteve dhe të studimeve. Ata kanë siguruar letrat e nevojshme dhe kanë nisur investimet për prodhimin e energjisë elektrike na uji dhe era.  

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), si autoritet i vetëm për të dhënë autorizimin për investime dhe lejen për punë, deri më tash ka pranuar 14 aplikacione për ngritjen e kapaciteteve energjetike, kryesisht duke shfrytëzuar ujin dhe erën. 

Disa prej aplikantëve tanimë janë pajisur me autorizime, pak kanë licenca, ndërsa nuk është i vogël numri i atyre që janë në proces e sipër të marrjes së tyre. Disa aplikime ende nuk janë konsideruar, pasi që janë në pritje të vendimeve të reja të Qeverisë.

Afrim Ajvazi, numri një i çështjeve ligjore në ZRRE, thotë se përgjegjësia për këso ndërmarrjesh u takon vet investitorëve. 

“Nëse investitorët vlerësojnë se ka parakushte për investime në këto kapacitet prodhuese dhe nëse i plotësojnë kriteret tjera, ne japim autorizimin e më vonë edhe licencën për punë”, thotë ai. 

Pa matje të sakta për erën  

Katër autorizimet e ZRRE’së për energjinë e erës janë dhënë janë dhënë për instalimin e pajisjeve përkatëse në Golesh, Bostan të Artanës, Dardanë dhe në Shtime me fuqi prej 103 megavatësh. 

Kompania “Wind Power” ka ecur më së shumti në këtë drejtim pasi ka dhënë kilovatët e parë të prodhuar nga fuqia e erës.

Por, autoritetet kontrollojnë entuziazmin. 

“Ka pak mundësi për prodhimin e energjisë nga era”, thotë Sabit Gashi, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Energjisë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. “Nuk janë bërë matjet duhura. Fuqia e erës duhet të jetë 4-8 metra për sekondë”.

Në ZRRE thonë se vet investitorët kanë hetuar vendet se ku do të vendosin gjeneratorët, prandaj, mbetet përgjegjësi e tyre se a do të ketë mjaft ditë me erë cilësore gjatë vitit. Madje, sipas tyre, ka pasur raste kur investitorët , siç është ai “Kosova Ter. Winparkcompany” janë në hamendje për të vazhduar investimet shkaku i studimeve të tyre që kanë dhënë rezultate dekurajuese.

Një tjetër hulumtim, i këtij viti, ishte kryer nga një kompani private e jashtme dhe sërish rezultatet për potencialin e erës nuk kishin dalë aq premtuese. Matjet ishin kryer për një vit të plotë, gjatë 2010, në dhjetë pika në Kosovë – nga dy në Lipjan e në Therandë, nga një në Gjilan, Klinë, Rahovec, Prizren, Kaçanik dhe në Arbëri të Epërme. Matësit qenë instaluar në një lartësi mbidetare prej 578- 1.667 metrash. Kompania nuk ka pranuar t’i përmendet emri.

Sipas hulumtimit, kur është në pyetje shpejtësia e erës, vetëm në një pikë, në Budakovë të Therandës, janë evidentuar parametrat që mundësojnë ndërtimin e potencialeve prodhuese. Mesatarja vjetore ka qenë 7 metra në sekondë. Ndërkaq, pas saj ishin radhitur Arbëria e Epërme me 4,6 metra, Duhla me 4,4 metra dhe Stagova e Kaçanikut me 4,1 metra. 

Ndonëse mesatarja e këtij treguesi është mbi minimumin e kërkuar, megjithatë shumë ditë gjatë vitit kanë qenë pa erë, përkatësisht shpejtësia e saj ishte nën katër metra për sekondë.

“Shfrytëzimi i erës kërkon shumë investime dhe zakonisht lokacionet mund të jenë larg nga rrejti i largpërçuesve”, thotë Sabit Gashi i Ministrisë. “Kjo edhe më shumë rritë koston e investimeve, por edhe çmimin përfundimtar të një kilovati. Prandaj, momenti social dhe ekonomik në Kosovë nuk e bën shumë atraktive energjinë nga ky burim, meqenëse ajo është mjafte shtrenjtë”.

Edhe një raport i Komisionit Europian i kryer për Qeverinë e vendit, i vitit 2008, të cilin e ka parë Gazeta Jeta në Kosovë, thotë se edhe pse potenciali i energjisë nga era mund të jetë i pranishëm në disa zona të Kosovës, ‘të dhënat aktuale nuk sinjalizojnë që ka burime të mjaftueshme të energjisë së erës”. Raporti u kishte sugjeruar sidoqoftë autoriteteve një program monitorimi më të detajshëm të burimeve të kësaj energjie.

ZRRE ka një udhëzim administrativ, sipas të cilit, çmimi i një kilovati të prodhuar nga fuqia e erës do të jetë 85 euro. Madje, me kusht që pajisjet e instaluara të jenë të reja, ndërkaq me vjetërsimin e tyre ky çmim bie. Këtu është bazuar edhe burimi i një mosmarrëveshje me kompaninë  “Wind Power”, e cila gjeneratorët i ka vendosur në shpatet e Goleshit dhe në Bostan.

Kompanitë ankohen se përkundër vendeve të Bashkimit Europian ku energjia alternative subvencionohet duke u liruar nga taksat e ndryshme, kjo nuk ndodhë në Kosovë. Edhe raporti i Komisionit Europian të paktën sugjeronte një lëvizje të tillë, duke rritur po ashtu taksat në naftë dhe energji elektrike linjiti. 

Çmimi i lartë që do të ngarkonte konsumatorët është një argument i patejkalueshëm që përmendet nga Ministria. Sabit Gashi thotë se kostoja për prodhimin një megavati nga qymyri arrin në 28 euro, kurse duke shfrytëzuar diellin kërkohen 250 deri në 600 euro, e erën 85 euro. 

Megjithatë, raporti i Komisionit Europian thoshte se kualiteti i rrezeve të diellit është shumë më i fortë në Kosovë në krahasim me vendet e BE’së. Ndonëse praktikisht vetëm një pjesë e territorit mund të përdorej për kolektorët që thithin energjinë diellore për të nxehur ujin ose prodhuar rrymë, raporti thoshte se kjo do të mund të përdorej lehtë për të nxehur ujin për çka harxhohet 20 për qind e energjisë në vend.

Për më shumë, Nezir Sinani i KIPRED’it sheh gabime në mënyrën se si nxjerr përfundime Ministria e Zhvillimit. Ai thotë se në çmim duhet të përfshihen edhe kostoja mjedisore dhe ajo e ndikimit në shëndetin e njeriut. 

“Vet fakti që BE zbaton një program për energji të ripërtërishme tregon orientimin e vendeve të zhvilluara”, dedukton ai për zhvillimet në vendet tjera. “Në SHBA, gjatë presidencës së Bushit është miratuar një plan për ndërtimin e mbi 150 termocentraleve të reja me qymyrin si lëndë djegëse, 146 prej të cilave janë ndaluar të ndërtohen tash”.

Sinani thotë se Qeveria duhet të përcjell se si BE dhe SHBA po orientojnë sektorët e tyre energjetikë. Ai paralajmëroi se organizatat joqeveritare së shpejti do të prezantojnë një pasqyrë të tyren të burimeve reale të energjisë alternative si dhe koston e termocentralit të ri të linjitit që po shtyhet nga Qeveria.  

Termocentrali ‘Kosova e Re’ është planifikuar të këtë potencial prodhimi prej rreth 600 megavatë orësh nga 1400 sa i duhen Kosovës, për shembull në vitin 2015, sipas parashikimeve zyrtare të qeverisë.  

Evidencat mjekësore kanë elaboruar qartë ndikimin e madh negativ që ndotja nga KEK’u ka tash dhe ka pasur në të kaluarën në shëndetin e banorëve që jetojnë në zonën përreth. 

Pa Zhurin uji është pak 

Sabit Gashi i Ministrisë së Zhvillimit thotë se bazuar në të dhënat e konfirmuara uji është alternativa më e mirë për shkak të sigurisë së lartë që fiton sistemi energjetik.

Matjet e Ministrisë për potencialin energjik të ujërave tregojnë se janë identifikuar 77 pika ku mund të ngritën hidrocentrale të vogla, të cilat, sipas tyre, gjatë vitit mund të prodhojnë 623 gigavatorë energji elektrike. 

“Pa përfshirë hidrocentralin Zhurit, atë të Ujmanit dhe tri të tjera më të vogla që janë në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës, nga uji mund të kemi kapacitet për 128 megavat energji elektrike”, shton Gashi, i cili sqaron se matjet janë bërë në të gjithë lumenjtë “madje edhe përroskat” e vendit.   

Vlerësimi i Ministrisë duket i vogël në krahasim me kërkesat për aplikacione tek Zyra e Rregullatorit, gjë që sinjalizon për mundësi më të mëdha në terren. 

Kompania ‘Kelkos Energy’, vjet dhe sivjet, ka marrë dy aplikacione për ngritjen e minihidrocentraleve, përkatësisht të nëntë turbinave me fuqi prej 81 megavatesh.

“Vetëm këto dy autorizime marrin dy të tretat e shifrës së përmendur (128 megavateve)”, thotë Afrim Ajvazi nga ZRRE.

Në tavolinat e rregullatorit janë edhe gjashtë aplikacione tjera për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla me një fuqi të përbashkët rreh 45 megavatesh.  Pra, vetëm tetë aplikacione e arrijnë pothuajse krejtësisht shifrën që MZHE përmend –  e që parashihej për 77 pika minihidrocentralesh. 

Prapëseprapë, ekspertët thonë se gjendja në strukturën e prodhimit dhe në eliminimin e ndotësve të ambientit, përderisa nuk ngritët Hidrocentrali i Zhurit me fuqi prej 305 megavatesh, vështirë se do të ndryshojë. Rreth këtij projekti Qeveria ka heshtur, ndoshta ngase është e zënë rreth ndotësit të ardhshëm, TC ‘Kosova e Re’.

Në bazë të standardeve evropiane duhet që 20 për qind e energjisë të prodhohet në mënyrë të pastër, ose të ulet emetimi i gazrave për 20 për qind, ose në atë masë të zvogëlohet përdorimi i energjisë nga qymyri dhe nafta.

 “Atë standard nuk mund ta arrijmë pa Hidrocentralin e Zhurit”, thotë Luan Shllaku, ekspert i çështjeve energjetike dhe të ambientit. “Edhe me të afrohet pak, por nuk arrihet niveli optimal”. 

Nuk ka me linjitin tonë 

Thonë se uji është pak. E gjendja me diellin, erën dhe burime tjera u duket e mjegulluar. Ata janë të sigurt vetëm me linjitin tradicional. 

Sabit Gashi i Ministrisë thotë se kur bëhet fjalë për investime në energjinë e prodhuar nga linjiti gjithçka është e qartë. 

Këtu dihen edhe detajet.

“Zhvillimi i energjetikës është mbështetur në shfrytëzimin e rezervave të linjitit. Këtu ka potenciale dhe është krejt e natyrshme që rezervat e tij të jenë oferta jonë kryesore për investime në këtë sektor”, thotë Gashi.

Brenda autoriteteve qeveritare ka të tillë që besojnë se kjo ofertë është bërë edhe më nxitëse sidomos duke pasur parasysh pasojat e tërmetit të muajit mars në Japoni, kur pasiguritë e shkaktuara nga fakti i pamundësisë së projekteve të njerëzve për të qenë të përkryera e afruan lindjen e largët me një katastrofë bërthamore të nisur nga Fukushima. 

Deri atëherë shumë shkencëtarë promovonin energjinë nukleare si burimin kryesor, më të pastër e më të sigurt për energjinë në të ardhmen. 

Sa i përket energjisë gjeotermale, në raportin e Komisionit Europian thuhet se studime të mëtejme duhet të bëhen për të hulumtuar mundësitë përkatëse.  

“Zgjidhje madje do të ishte edhe një termocentral nga gazi”, thotë Sabit Gashi. “Por, kjo ide lidhet me konceptin evropian të rrjetit të gazpërçuesve”. Ky i fundit është projekt shumë politik për të pasur ndonjë shans e mbështetje në Kosovë.

Fakte:

Në Kosovë hidrocentralet kanë kapacitet prodhues 43,3 megavatesh, ndërsa termocentralet (tri nga ‘Kosova A’ dhe dy nga ‘Kosova B’) kanë kapacitet rreth 1000 megavatesh. 

Në Shqipëri janë dhënë rreth 110 koncesione për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël,është ndërruar vetëm një. 

Në Bosnjë- Hercegovinë janë  250 koncesione, ndërsa prodhimi ka filluar në një hidrocentral.

Në  Maqedoni parashihen që me koncesion të ngritën 100 hidrocentrale, kurse ende nuk ka përfunduar asnjëri prej tyre.

Rreth 7 për qind të konsumit të energjisë në Gjermani vjen nga burimet e ripërtërishme. Gjysma e saj vjen nga energjia e erës, një e katërta nga biomasat dhe nga uji. Energjia diellore zë një pjesë të vogël të konsumit të përgjithshëm.