Dhurata e Kundërligjshme e Komunës së Prizrenit

Komuna e udhëhequr nga Ramadan Muja – kryetari i Prizrenit i akuzuar javën e kaluar nga EULEX-i për korrupsion – ka dhënë një prokurim të shpejtë edhe në prag të Vitit të Ri në kundërshtim me legjislacionin e vendit.

Më 28 dhjetor 2012, komuna e Prizrenit kishte publikuar një njoftim për kontratë për “furnizim me artikuj ushqimorë të anëtarëve të kuvendit dhe shërbyesve civilë të administratës komunale të komunës së Prizrenit”, sipas së cilës, operatorët e interesuar ekonomikë duhet të dorëzonin dokumentet e tyre deri më 7 janar 2013, në orën 15:00.

Vetëm një ditë më herët, shpërblimin e asamblistëve dhe anëtarëve të administratës me nga 100 euro e kishte miratuar Asambleja e Prizrenit.

Njoftimi për dhënie të kontratës, kompanisë Ben-Af, është lëshuar më 23 janar 2013 dhe ka vlerën e përgjithshme të 43,600 eurove ose 100 eurove për person.

Mirëpo, asamblistët dhe punonjësit e administratës i kishin bërë këto shpenzime përpara Vitit të Ri në Ben-Aff, përpara se tenderuesi të ishte zgjedhur.

Sipas ligjit për prokurimin publik të Kosovës, nenit 7 të tij, pritet që “autoriteti kontraktues do t’i trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente”.

Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik thotë se zyrtarit komunal të prokurimit mund t’i merret edhe ceritikata që i kërkohet për të kryer këtë punë.

Eksperti i KRPP-së, Abdullah Limani, thotë se në këtë rast kishte shkelje të rënda të rregullave të prokurimit.

“Ajo çfarë ka ndodhur me tenderin për furnizim me artikuj ushqimorë në Prizren, është kundër çdo standardi të prokurimit”, tha Limani. “Asnjë furnizim, punë ose shërbim, nuk guxon njëherë të kryhet, e pastaj të zhvillohet procedura”.

“Kjo është shkelje e rëndë e ligjit të prokurimit”, shtoi Limani. “Ne do ta monitorojmë dhe hetojmë këtë rast dhe në bazë të asaj që do të gjejmë, kemi të drejtë që t’i rekomandojmë OSHP-së që zyrtarit të prokurimit t’i merret certifikata profesionale e prokurimit, që ai më nuk mund ta ushtrojë atë profesion”.

 
Avdyllah Limani  

Do të ndihmoheshin 45 familje

Asamblisti opozitar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Fatmir Kastrati, tha se ka marrë artikuj ushqimorë në Ben-Af, për Vitin e Ri.

“Vendimi asamblesë ka qenë i ligjshëm, por pastaj është shkelur ligji i prokurimit që nuk është problem i këshilltarëve komunalë”, tha Kastrati.

Departamenti për informim i partisë tjetër opozitare në Prizren, Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar me një komunikatë, sipas së cilës, ende pa u përmbushur afatet ligjore të prokurimit, komuna paragjykonte fituesin e tenderëve duke eliminuar konkurrencën reale dhe shkelur ligjin.

Abdullah Thaçi, nga departamenti për informim i LDK-së, tha se “komuna i përcaktoi vetë fituesit e pastaj formalisht i shpalli tenderët”.

Shoqëria civile kritikon prioritizimin e këtij vendimi nga organet e komunës. Sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), me të u mor edhe kryetari Ramadan Muja. 

Naim Cahanit, zyrtar i kësaj organizate, tha se, në bazë të përllogaritjes së KDI-së, me shumën prej 43, 600 eurove, 45 familjeve me raste sociale ka qenë e mundur t’i ndahen nga 80 euro në muaj për një vit të plotë.

Edhe asamblistja Kimete Hoxha, e vetmja që kishte votuar kundër, thotë se asambleja më parë është dashur të shpërblente “familje të Prizrenit që janë raste sociale”.

“Kryetari u gjend para aktit të kryer”

Zyrtari ligjor i Ben-afit, Besnik Kuqi, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se firma kishte plotësuar të “gjitha kushtet e kërkuara për konkurrim” dhe se ajo ishte shpallur fituese e tenderit.

“Besoj që i mbetet Komunës së Prizrenit ta bëjë arsyetimin e saj në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar nga ne”, tha Kuqi.

Ushtruesi i detyrës së shefit të zyrës së prokurimit në komunë, Alban Susuri, tha se kontrata ende nuk është nënshkruar për shkak se komuna nuk ka mjete.

Susuri shtoi se nuk e din “pse ka ndodhur që paraprakisht janë marrë artikujt ushqimorë” nga asamblistët dhe zyrtarët komunalë.

 
Ymer Berisha  

Por zëdhënësi i komunës Ymer Berisha tha se vendimi është marrë në përputhje me procedurat komunale nga asambleja.

“Disa zyrtarë, përfshirë këtu edhe kryetarin e komunës, nuk i kanë tërhequr ato mjete”, tha Berisha. “Konfirmoj para qytetarëve se jemi brenda praktikave të vendimmarrjes”.

“Vendimi është i kuvendit”, shtoi ai. “Kryetari, i gjendur para një akti të kryer, ka kërkuar që të zhvillohen procedurat administrative”.

Mbi 900 mijë euro, por shtëpia e kulturës në Zhur nuk kryhet

Partitë opozitare me të cilat ka biseduar gazeta kanë kritikuar ndërkohë komunën se që nga viti 2009 ka investuar rreth 900 mijë euro për ndërtimin e qendrës së kulturës në Zhur, por ajo nuk është përfunduar.

Hajdar Elezkurtaj, drejtori i ansamblit të shoqërisë kulturore në fshatin Zhur, tha se, si rrjedhojë, shfaqjet mbahen “për faqe të zezë” në objektin e shkollës në fshat.

Kulmi i objektit ka krisur dhe e gjithë puna e suvatimit të brendshëm të këtij objekti ka shkuar huq.

 
Kulmi i objektit, Zhur  

Punimet për ndërtimin e këtij objekti, sipas kontratës së lidhur në mes të komunës së Prizrenit dhe firmës “Elshani”, është dashtë të kryhen brenda periudhës prej 150 ditësh. Deri më tani, kanë kaluar rreth 800 ditë.

Florim Beqiri, drejtor i departamentit të auditimit për qeverisje lokale në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm në Prishtinë, tha se kishte bërë auditimin e objektit dhe kishte gjetur se ndërtimi i tij “nuk kishte qenë fare i paraparë me planin e prokurimit publik”.

Komuna thotë se do t’i ndëshkojë kompanitë përgjegjëse, por kompania “Elshani” thotë se asaj i kishin dalë punë shtesë përveç atyre të kërkuara me kontratë.