Dhjetë Kryetarë Komunash të Akuzuar ose Dënuar

Gjithsej 35 zyrtarë komunalë të dalë nga zgjedhjet e fundit komunale përballen me akuza nga organet e drejtësisë në vend.

Prej tyre nëntë kryetarë komunash dhe 17 zyrtarë tjerë më të vegjël i takojnë Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë një kryetar, një ish-kryetar, një kryesues asambleje dhe gjashtë zyrtarë tjerë komunalë. 

Të dhënat janë grumbulluar nëpërmjet monitoruesve të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në gjykatat e vendit.

Në zgjedhjet e vitit 2009 kanë marrë pjesë më shumë se 50 subjekte politike. Ato garuan me 6,575 kandidatë për të zënë 989 ulëse nëpër 31 asambletë komunale, përfshirë edhe tri komunat në veri të vendit. PDK doli fituese në to duke marrë 16 komuna.

Artikuj të zgjeruar në lidhje me performancën e komunave më të mëdha këtu:
Prishtina e Kritikuar Synon Përmbyllje të Projekteve (TV)
Komuna e Prizrenit në Kaosin e Projekteve (TV)
“Çarshia e Vjetër”, Lak në Qafën e Pal Lekajt (TV)

Votimet e reja për udhëheqjet lokale, sipas ligjit, do të duhej të mbaheshin këtë vjeshtë.

Albert Krasniqi nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED, thotë se vetë partitë duhet të jenë më rigoroze ndaj zyrtarëve të akuzuar pasi përveç dëmit në detyrat publike, po ndikojnë edhe në reputacionin e subjekteve politike.

Krasniqi, i cili rishtazi ka organizuar një trajnim me partitë politike në lidhje me demokratizimin e tyre, tha se të gjithë zyrtarët që janë të dyshuar duhen të pezullohen nga detyra ndërsa atyre që dënohen nuk duhet t’u lejohet kthimi në institucione shtetërore.

“Gjithashtu, është edhe në dorën e votuesit që t’i ndëshkojë me votë ata kryetarë të cilat kanë kryer vepra penale”, tha Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“Është edhe në dorën e votuesit që t’i ndëshkojë me votë ata kryetarë të cilat kanë kryer vepra penale. Albert Krasniqi

Të drejtë vote në vend kanë 1,705,272 njerëz, sipas Agjencionit për Regjistrim Civil që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. 

Por, sipas Krasniqit nga KIPRED, si masë parandaluese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej të aplikonte edhe kritere më të ashpra duke shikuar në detaje biografinë e kandidatëve para se t’i certifikojë ata për të garuar në zgjedhje.

Legjislacioni zgjedhor ndalon kandidimin e kryerësve të dënuar të veprave penale në tri vitet e fundit ose nëse kështu merr vendim ndonjë institucion përgjegjës brenda KQZ-së.

Nga dhjetë kryetarët e akuzuar komunalë të dalë nga zgjedhjet e 2009-ës, dy qenë dënuar – Bajrush Xhemajli i Ferizajt dhe Xhabir Zharku i Kaçanikut. Njëri ka shkuar në rigjykim, tjetri gjendet në arrati nga drejtësia.

Blerand Stavileci, ministër i bujqësisë dhe njëherësh zëdhënës i PDK-së, nuk deshi të komentojë nëse partia do të lejojë zyrtarët e akuzuar që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja. “Nuk mund të paragjykojmë për proceset gjyqësore”, tha Stavileci. 

 “Nuk mund të paragjykojmë për proceset gjyqësore. Blerand Stavileci

Por zëdhënësi thotë se akuzat ndaj këtyre zyrtarëve të partisë nuk kanë dëmtuar imazhin e saj. “Nuk e besoj se votuesit krijojnë bindjet e tyre në baza ditore. Treguesit faktikë janë zgjedhjet e fundit (Ferizaj e Kaçanik të rifituara nga PDK) si dëshmi e ngritjes së imazhit”, tha Stavileci.

As Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka vendosur ende, sipas deputetit dhe anëtarit të kryesisë Arben Gashi, se a do të lejohen zyrtarët që përballen me akuza të kandidojnë.

Megjithatë, shtoi Gashi, çdo krahasim i zyrtarëve të saj të akuzuar me ata të PDK-së do të ishte absurd “për shkak të veprave penale që ata ngarkohen”.

“Por nëse ndonjë zyrtar i LDK-së ka kryer vepra penale, ai duhet të japë vetë përgjegjësi”, tha deputeti Gashi. “LDK beson se drejtësia duhet të vendosë për to”. 

“Por nëse ndonjë zyrtar i LDK-së ka kryer vepra penale, ai duhet të japë vetë përgjegjësi. Arben Gashi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se çdo akuzë për ndonjë zyrtar “dëmton edhe partinë”. Edhe Aida Dërguti, nënkryetare e Vetëvendosjes, thotë se sidomos akuzat ndaj zyrtarëve komunalë të PDK-së janë reflektim i asaj çka është duke ndodhur edhe në nivel qendror.

“Dallimi i vetëm janë shifrat milionëshe në nivel qendror në krahasim me ato të nivelit lokal”, tha Dërguti”. “Meqenëse shteti është kapur nga krimi i organizuar, goditja ndaj korrupsionit vjen në nivele më të ulëta dhe procedurat me qëllim zvarriten deri në përfundimin e mandatit”.

Petrit Zogaj nga organizata jo-qeveritare “Fol” thotë se kryetarët komunalë të akuzuar sillen si mbretër të komunave pasi asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dorëheqje ose nuk ka pezulluar vendin e punës deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Kjo nuk është e obligueshme me ligjet e vendit, por vitin e kaluar zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi dhe zëvendësministri i financave Astrit Haraqija kishin pezulluar postet për shkak të akuzave të ngritura për korrupsion në ish-ministrinë e shëndetësisë përkatësisht të kulturës. Ata aktualisht gjenden në procese gjyqësore.

Sipas Zogajt, në nivelin lokal kërkohet më shumë vëzhgim nga mediat dhe shoqëria civile. “E më shumë se gjithçka tjetër, sot na duhet një zë qytetar reagues”, tha ai.

Drejtuesit komunalë të akuzuar / dënuar

Bajrush Xhemajli, ish-kryetar i Ferizajt (PDK). Më 26 nëntor 2010 nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë ishte shpallë fajtor për shkaktim të aksidentit, duke u dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim. Ai për mese dy vjet sfidoi me mjete ligjore dënimin me burg dhe tash së voni fitoi të drejtën e rigjykimit.

Xhabir Zharku, ish-kryetar i Kaçanikut (PDK). Është gjetur fajtor për veprën penale të detyrimit ku është dënuar me 3 vjet heqje lirie. I arratisur.

Ramadan Muja, kryetar i Prizrenit (PDK). Akuzohet për keqpërdorim pronash publike dhe komunale. Po ashtu, për këto vepra akuzohen edhe zyrtarët e tjerë komunalë, si Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci dhe Minir Krasniqi. Në këtë komunë, më 17 qershor janë shpallur të pafajshëm Nexhat Çoçaj, Reshit Kushaj dhe Nezir Osmani të cilët dyshoheshin për shpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me tenderë për ekskursione nxënësish. Hasan Hasani, Sadik Paçarizi, Zekë Tejeci dhe Sokol Hadri akuzohen mes tjerash, se duke falsifikuar procesverbale, kanë shitur disa automjete të konfiskuara nga komuna me vlerë më të vogël sesa vlera e tyre reale, duke e dëmtuar kështu komunën.

Sami Lushtaku, kryetar i Skenderajt (PDK). Lushtaku është në proces gjyqësor ku akuzohet për krime lufte. Ai dhe katër të pandehur të tjerë ndërkohë më 5 qershor janë liruar nga një kolegj i gjyqtarëve të EULEX-it në akuzat për kërcënim dhe shkelje të statusit të barabartë të qytetarit të vendit ndaj gazetares Jeta Xharra, drejtoreshës së Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN).

Nexhat Demaku, kryetar i Drenasit (PDK). Aktakuza është e ngritur për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare lidhur me një pronë në Drenas. Po ashtu, në këtë rast akuzohet edhe drejtori i kadastrit, Mehdi Kurrumeli.

Bajram Mulaku, kryetar i Vushtrrisë (PDK). Mulaku, dy drejtorë departamentesh Sami Istrefi dhe Bajram Beqiri dhe një asambleist komunal Gani Imeri akuzohen me dyshimin e bazuar se ata kanë vepruar duke keqpërdorur buxhetin komunal duke shtruar rrugë jo publike me kubëza betoni.

Begzad Sinani, ish-kryetari i Kamenicës (PDK). Në fillim të vitit 2012, kryetari aktual i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, ka akuzuar Sinanin dhe Hasan Keqmezin, menaxher i prokurimit, për shpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas aktakuzës shuma e keqpërdorimeve kap vlerën prej 178 mijë eurosh, të cilat janë përdorur gjatë shpërndarjes së ndihmave ushqimore dhe sanitare gjatë fushatës së zgjedhjeve komunale 2009.

Nexhmedin Arifi, kryetar i Vitisë (PDK). Akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare duke de-rajonalizuar para tri vitesh ndërmarrjen publike KRM “Higjiena” dhe duke krijuar ndërmarrjen NP “Universal” kundër sugjerimeve të nivelit qendror.

Salim Jenuzi, kryetar i Dragashit (PDK). Jenuzi akuzohet se ka urdhëruar drejtorin e urbanizmit/kadastrit që të bartë pronën shoqërore, patundshmërinë në sipërfaqe prej 29,7 hektarësh, prej pronarit të ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhim” në pronë të KK të Dragashit. Bashkë me të akuzohet edhe kryetari i asamblesë, Lulzim Rifaj.

Sami Hamiti
, kryesues i asamblesë së komunës së Prishtinës (LDK). Hamiti dyshohet për zhvatje dhe për vepra të tjera të lidhura me korrupsion. Në këtë komunë akuzohen edhe Ekrem Rexha, ish-shef i prokurimit tani menaxher i projekteve ekonomike, Ridvan Shahini drejtor i infrastrukturës, Refki Sadiku kryetar i organit mbikëqyrës të kontratës, Halil Fejziu anëtar i organit mbikëqyrës, Hazir Krasniqi anëtar i organit mbikëqyrës dhe Qazim Bajrami kryesues i organit mbikëqyrës. Këta dyshohen se kanë vepruar kundërligjshëm kur komunarët transferuan mbi 800 mijë euro tek një kompani me bazë në Prizren, në lidhje me një tender.

Shaip Surdulli, kryetar i Kamenicës (LDK). Surdulli po hetohet për shpërdorim të pozitës zyrtare. Ai po hetohet për tenderin e varrezave të dëshmorëve, që kap vlerën 155 mijë e 700 euro. Hetimet ndaj Surdullit kanë nisur pas kallëzimit penal që ka ngrehur Policia e Gjilanit.

Sali Asllanaj, ish-kryetar i Suharekës, tani deputet (LDK). Ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, akuzohet se më 27 gusht 2008, kishte nënshkruar paligjshëm marrëveshjen për shfrytëzimin e tokës ndërtimore në pronësi shoqërore, duke ia mundësuar organizatës “Ben-Af”, ndërtimin e një strukture afariste banesore, duke e garantuar investitorin për shfrytëzim të përhershëm të ngastrës kadastrale. Me këtë rast, “Ben-Af” përfitoi materialisht më shumë se një milion euro.