Devijimi Shumëmilionësh

Atëherë, i ndjeri Holbrooke fliste për rrezikun e sigurisë për shkak të pozicioneve në anët e udhëkryqit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe forcat e qeverisë së Serbisë në konflikt. Shumë vjet më vonë ai pati lënë të kuptohet se i kishte sforcuar deklaratën për të gjetur vend në vëmendjen e shtypit.

E tash, pas shumë vitesh, këtë fshat të Malishevës e sjell në vëmendje të shtypit një vendim i qeverisë së Kosovës për të zhvendosur disa kilometra të rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë.

Në muajin prill u botua një listë e pronarëve pronat e të cilëve do të shpronësohen, e cila pritet t’i kushtojë asaj rreth 5.8 milionë euro. Vetë ndërtimi nga zeroja është tjetër temë.

Bëhet fjalë për trasenë nga Mleqani e deri në dalje të Kijevës, por devijim  po kontestohet nga qytetarët, nga Ministria e Bujqësisë dhe ekspertë të ekonomisë.

Ky devijim po ngrit pyetje të vazhdueshme se a po bëhet në dëm të planit zhvillimor bujqësor vetëm e vetëm për të përfituar disa persona të cilët, edhe një muaj para se qeveria ta shpallte shpronësimin e tokave kah kalon devijimi, kanë blerë parcela nga pronarët serbë.

“Me propozimin e kompanisë projektuese dhe aprovimin e grupit teknik nga ish-Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, tani Ministria e Infrastrukturës, është miratuar varianti i devijimit të rrugës së segmentit në gjatësi prej 2750 metra në llotin 3. Fehmi Mujota

Krejt kjo filloi kur në vitin 2010, atëherë ministria e transportit kishte aprovuar projektin e zgjerimit të kësaj traseje, projekt i njohur si Lloti 3, por me devijim 2.75 km nga pjesa e epërme e rrugës së tanishme. Në njoftimin për kontratë të cilin e ka shpallur Ministria e Infrastrukturës për zgjerimin e kësaj rruge, më 12 mars, shkruan zgjerim i magjistrales, e jo devijim.

Kjo zhvendosje e rrugës është arsyetuar para deputetëve nga ministri i infrastrukturës, Fehmi Mujota.

“Me propozimin e kompanisë projektuese dhe aprovimin e grupit teknik nga ish-Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, tani Ministria e Infrastrukturës, është miratuar varianti i devijimit të rrugës së segmentit në gjatësi prej 2750 metra në llotin 3”, thoshte ai, më 16 maj 2013 në kuvend.

Sipas ministrit, ndër arsyet për devijim kanë qenë pamundësia e zgjidhjes teknike të kalimit të rrugës së re nëpër Kijevë, për arsye se aty ndodhen objektet e ndërtuara shumë afër rrugës ekzistuese; rruga ekzistuese e ka gjerësinë vetëm 7 metra të asfaltuar, ndërsa në të dy anët e saj ka vetëm nga 1.5 metra bankina, që do të thotë gjithsej 10 metra, ndërsa rruga e re, sipas tij ka gjerësinë prej 26.20 metra.

Ai ka përmendur edhe varrezat që janë afër rrugës ekzistuese në dalje të Kijevës, duke e cilësuar atë si çështje të ndjeshme, si dhe pamundësinë e ndërtimit të udhëkryqit në fshat.

Pa konsultimin e ministrisë së bujqësisë

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), devijimi i trasesë tjetërson hiç më pak se 13 hektarë tokë bujqësore.

“Sipërfaqja e tokës që shpronësohet për pjesën që keni bërë pyetje është rreth 13000 metra katrorë ose 13 hektarë”, thotë MMPH.

Në pjesën kah pritet të kalojë devijimi i trasesë, toka është shumë kualitative.

Idriz Gashi, zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), i tha gazetës se toka në atë pjesë është ndër tokat më të mira në Kosovë.

“Duke u bazuar në standardet e FAO-së dhe standardet e Organizatës Botërore për Referencë dhe Siguri në Ushqim dhe Bujqësi, në bazë të këtyre rezultateve vlerësohet se ajo tokë është tokë e kualitetit shumë të mirë, duke pasur parasysh se ka tipin shumë të mirë, ka teksturë, kullim, kështu që, i jep një arsye shumë të mirë për të thënë se është një ndër tokat më të mira në atë pjesë”.

Por, për këtë çështje ka munguar koordinimi ndërmjet MBPZhR-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës, edhe pse të dyja ministritë drejtohen nga PDK. Madje, Idriz Gashi nga Ministria e Bujqësisë thotë se Ministria e Infrastrukturës nuk ka bërë kërkesë zyrtare për tjetërsimin e atyre tokave kah kalon rruga e re.

“Ministria e Infrastrukturës nuk ka dërguar ndonjë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Bujqësisë për të shikuar mundësinë e ndërrimit të destiminit prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore, në mënyrë që të ndërtohet kjo pjesë e rrugës”, thotë Idriz Gashi. “Prej klasës 1-4 çdo ndërrim i destinimit duhet ta ketë pëlqimin nga Ministria e Bujqësisë në bazë të dispozitave dhe ligjeve në fuqi”, shton ai.

Ministria e bujqësisë duhet të japë pëlqim për ndërrimin e përdorimit të tokave bujqësore, sidomos nëse ato vlerësohen kualitative.

“Toka në atë pjesë është ndër tokat më të mira në Kosovë. Idriz Gashi

Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, lidhur me mos koordinimin për marrjen e lejes nga Ministria e Bujqësisë, arsyetohet duke thënë se projekti është aprovuar qysh moti nga Ish-ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.

“Ky projekt daton kohë më parë, është aprovuar dhe ka kaluar diskutimin publik, ka kaluar gjithë filtrat dhe është aprovuar si i tillë, dhe si i tillë ne presim të zbatohet”, thotë Nitaj. 

Ai thotë se me devijimin e rrugës, kursejnë miliona euro, por nuk precizon shifra të sakta. “Kursejmë miliona euro, kursejmë shumë para të taksapaguesve, kursejmë shumë para nga buxheti i vendit, edhe ofrohet rrugë shumë më e mirë”, shton Nitaj.

Ministri Mujota e ka elaboruar këtë qasje në Kuvendin e Kosovës, në maj, duke thënë se “shpronësimi në pjesën ku ka ndërtime të mëdha është shumëfish më i shtrenjtë sesa në pjesët ku nuk ka ndërtim”.

Ibrahim Rexhepi, gazetar shumëvjeçar i ekonomisë, nuk pajtohen me këto arsyetime të ministrisë. Ai thotë se në fakt devijimi do të kushtojë më shumë sesa zgjerimi i trasesë së vjetër.

“Është shumë më e logjikshme, edhe ekonomikisht është më e qëndrueshme, të vazhdohet me trasenë e vjetër”, thotë Rexhepi.

“Unë do të thosha që një vendim i tillë i ministrisë, devijimi, është krejtësisht në frymë të zakonshme të mënyrës se si punon – meqenëse në asnjë rast, qoftë nëse është në pyetje autostrada, nuk ka një synim përfundimtar se çka duhet të ndërtojë, deri ku, cila do të jetë traseja, sa do të jetë kostoja e përafërt”, shtoi ai.

Ankohen bizneset

Devijimi i trasesë nuk dëmton vetëm tokat bujqësore, por edhe bizneset që operojnë përgjatë trasesë së vjetër, sipas këtyre të fundit.

Projektin e devijimit rreth 25 biznese e konsiderojnë si fatal për ta, për shkak se, siç thonë, investimet që i kanë bërë përgjatë viteve, u shkojnë huq.

Një ndër bizneset që rrezikohet nga devijimi është Fabrika e Gurit në Kijevë, e cila bën përpunimin e gurit. Pronari i saj, Osman Morina, thotë se me devijimin e rrugës humbin shumë si biznes.

“Ne po e kundërshtojmë me arsyen se kemi bërë investime shumë të mëdha, për shkak se e kemi rrugën këtu, i kemi ndërtuar objektet. Kemi shumë punëtorë që varemi krejt prej rrugës. Në rast se nuk na vizitojnë njerëzit që jeni përballë rrugës, ne nuk kemi se si të bëjmë biznes”, thotë Morina.

Kur magjistralja të devijohet, ajo do të jetë rreth 800 metra larg fabrikës.

Edhe Burim Kryeziu, pronar i NTSh Wolf që merret me auto-pjesë, thotë se humbin shumë si biznes. Madje ky biznes, që nga 2008-a ia paguan taksën vjetore Ministrisë së Infrastrukturës mbi 650 euro për kyçje në magjistrale, kurse tash traseja po e anashkalon biznesin e tij.

“Ne dëmtohemi si biznes. Nuk është e arsyeshme pse të devijojë rruga. Ne për hatër të kësaj rruge e kemi blerë këtë tokë… Na ka ardhur një faturë që na është dashur ta paguajmë për shfrytëzimin e rrugës. Mbi 652 euro paguajmë taksë vjetore për kyçje në rrugë”, thotë Burim Kryeziu.

Telashe të njëjta ka edhe Fadil Mazreku, pronar i mobilerisë NTSh “Delfina”. Ai thotë se para lokalit të tij ka mjaft hapësirë për t’u bërë zgjerimi i trasesë së vjetër.

“Rruga ka pas me qenë këndej. Është e paguar në vitet e ’70-a, posaçërisht unë jam larguar 10 metra prej asfaltit, 10 metra është shoqërore, diku 28 metra është këtu përpara”, thotë Fadil Mazreku.

Devijimi i trasesë e ka prekur edhe pompën e benzinës “Euro Benz”, ku pronari i saj, Haki Kryeziu, thotë se devijimi i trasesë pos që e dëmton si biznes, ai thotë se do të ndikojë edhe në uljen e vendeve të punës.

“Rrugën po e kundërshtojmë për arsye se kemi investuar shumë në këtë pjesë, jemi shumë biznese. Ne punojmë prej viteve ’90-a… Për firmën time është një dëm shumë i madh, shitjen kryesore që ma bën rruga kryesore që vjen Pejë – Prishtinë”, thotë Hakiu.

E në anën tjetër, Lah Nitaj nga Ministria e Infrastrukturës (MI), thotë se i kupton shqetësimet e bizneseve, por sërish thotë se projekti është aprovuar më parë dhe duhet të zbatohet.

“Ne i kuptojmë shqetësimet e qytetarëve, ato janë legjitime dhe ne i mirëpresim të gjithë ata që kanë vërejtje, por po flasim për një projekt të aprovuar kohë më parë, për një projekt të kaluar nëpër të gjithë mekanizmat përkatës, po flasim për realizimin e buxhetit për të cilin ne obligohemi me ligj”, thotë Nitaj.

“Rruga ka pas me qenë këndej. Është e paguar në vitet e ’70-a, posaçërisht unë jam larguar 10 metra prej asfaltit, 10 metra është shoqërore, diku 28 metra është këtu përpara. Fadil Mazreku

Përfaqësuesit e rreth 25 bizneseve thonë se janë ankuar në Ministri, por askush nuk është marrë me ta. Madje thonë se janë ankuar edhe te Kryeministri dhe Avokati i Popullit.

Gazeta i ka shkruar Kryeministrisë për të marrë vesh se çka ka ndodhur me ankesën e këtij komuniteti, por nuk ka kthyer përgjigje. Kurse Institucioni i Avokatit të Popullit, thotë se kërkesa e tyre është duke u shqyrtuar.

“Palët janë njoftuar për pranueshmërinë e rastit dhe ankesa është në proces e sipër”, thuhet në përgjigjen e IAP-së.

Për të marrë vesh për më shumë detaje për projektin e devijimit, gazeta ka kontaktuar kompaninë projektuese “Pro-ing”, e cila e ka bërë projektimin e devijimit, ku drejtori i saj, Nebi Pllana, përmes e-mailit e ka konfirmuar se ka qenë kompania projektuese, por nuk ka dhënë shumë detaje, me arsyetimin se nuk ka të drejtë, pasi që tash pronar i projektit është vetë Ministria e Infrastrukturës.

Ndërkohë i blenë parcelat nga serbët…

Bizneset dyshojnë se devijimi i trasesë po bëhet për interesa personale të njerëzve të caktuar.

Fadil Mazreku, pronar i mobilerisë NTSh “Delfina”, thotë se devijimi po bëhet për interesa personale, por nuk jep emra.

“Andej po bëhet devijimi për shkaqe personale. Janë disa persona, ata e dinë se për çfarë arsyesh. Jam si biznes edhe nuk ka nevojë me emra me fol”, thotë Fadil Mazreku.

Pronari i Fabrikës së Gurit në Kijevë, Osman Morina, thotë se ka pasur kërcënim prej dy personave pikërisht për tokat kah kalon devijimi.

“E kemi pas një kërcënim prej dy personave, Valdet Bacaliu dhe Avdi Dërguti (Gashi), të dytë m’u kanë kërcënuar në vend të punës edhe lënda është në gjykatë. Ata na kanë thanë se ‘në rast se i blen ato toka, ne të vrasim’”.

Rastin e ka konfirmuar për gazetën policia në rajonin e Prizrenit.

“Lidhur me atë që keni kërkuar, ju njoftoj se rasti me numër 2013-GE-86 Kanosje është iniciuar nga stacioni jonë më datë 06.02.2013 pas ankesës së Osman (Muharrem) Morina nga fsh. Qypeve e Malishevës dhe pas intervistimit të dyshuarve rasti është dërguar më datë 15.02.2013 në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, me Kallëzim Penal kundër të dyshuarve:  Avdi Hajdin Gashi DL.27.04.1968 nga fsh.Kijevë”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Gazeta ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ku Kryeprokurorja Shpresa Bakija, ka konfirmuar se lënda është në Prokurori. Madje, sipas saj, ndaj këtyre dy personave është ngritur edhe aktakuzë.

“Pas shqyrtimit të lëndëve, kemi gjetur se në bazë të kallëzimit penal të të dëmtuarit Osman Morina, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë ndaj të akuzuarve Avdi Gashi dhe Valdet Bacaliu, është ngritë aktakuza PP/II.nr.415/2013 më dt.21.05.2013 dhe lënda është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë dega në Rahovec”, thuhet në përgjigjen e Kryeprokurores Bakija.

Për të kuptuar më shumë detaje për këtë rast, Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe me Valdet Bacaliun dhe Avdi Gashin, të cilët akuzohen ta kenë kërcënuar Osman Morinën.

Avdi Gashi përmes telefonit shkurtimisht i ka mohuar pretendimet e Osman Morinës se gjoja e ka kërcënuar atë. “Nuk e kam kërcënuar askënd”, ka thënë shkurtimisht ai.
 
Kurse Valdet Bacaliu e pranon se ai bashkë me Avdi Gashin kanë shkuar në fabrikë te Osman Morina, por thotë se kanë shkuar për t’u marrë vesh, e jo për ta kërcënuar atë.

“Andej po bëhet devijimi për shkaqe personale. Janë disa persona, ata e dinë se për çfarë arsyesh. Fadil Mazreku

“Në fabrikë kemi shkuar edhe hyrë në bisedë përnjëherë. Veç i kemi thënë se këto toka jemi duke i punuar ne, edhe e kemi në tri anët në mexhë, fillimisht neve na takon t’i blejmë. Nëse ne nuk jemi të interesuar, lirisht mundesh m’i marrë”, thotë Valdeti. “Jo kurrë nuk e kam kërcënuar, jo atë por askënd”. 

Madje Valdeti thotë se pronari i Fabrikës së Gurit, Osman Morina, i ka shkaktuar dëm në parcelën mbrapa fabrikës së tij, duke e mbushur atë me dhe, pa e pyetur. Përkundër këtij rasti, Valdeti thotë se është i gatshëm të pajtohet me Osman Morinën.

Osman Morina pranon se e ka qitur dheun në atë parcelë, por thotë se atë e ka bërë në vitin 2004, kur pronari ishte serb.

Gazeta ka hulumtuar dhe ka gjetur se Valdet Bacaliu, njëri nga dy personat që akuzohet se e kishin kërcënuar Osman Morinën, ka parcelën pikërisht kah kalon devijimi i trasesë, me sipërfaqe 71.87 ari dhe me numër ngastre 513-0. Këtë parcelë ai e kishte blerë më 5 mars 2013 nga Branka Rikiq. Po ashtu, Valdet Bacaliu me 18 mars 2013, kishte blerë parcelë prej 40 ari nga Ranko Spasiq, ku nëpër këtë parcelë kalon po ashtu traseja e re.

Gjithashtu, gazeta ka hulumtuar dhe ka gjetur se Bashkim Gashi, djali i axhës së Avdi Gashit, njëri prej dy personave që po akuzohet ta ketë kërcënuar Osman Morinën, ka disa parcela kah kalon devijimi i trasesë.

Bashkim Gashi, më 19 mars 2013, kishte blerë parcelë me sipërfaqe prej 89 ari nga Ranko Spasiq, me numër ngastre 512-0.

Po i njëjti person, më 15 mars 2013, kishte blerë parcelë me sipërfaqe prej 26 ari nga Misha Gjuriq, me numër ngastre 214-1.

Më 22 shkurt 2013, Bashkim Gashi ka blerë dy parcela, njëra me sipërfaqe prej 92 ari dhe tjetra 73.88 ari nga Gjorgje Stefanoviq, me numër ngastre 530-0 dhe 515-0.

Të dhënat për parcela të blera nga serbët sivjet, gazeta i ka vërtetuar edhe në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Malishevës.

Bashkim Gashi e pranon se ka blerë parcela në atë pjesë.

“Po, është shumë e vërtetë, i kam blerë para 4-5 muajve rreth dy hektarë e gjysmë prej pronarëve serbë, vlera e tyre duhet të jetë diku rreth 40 mijë euro”, thotë Bashkim Gashi.

Ka pasur dyshime se ky person nuk ka aq shumë kapital sa për të blerë aq shumë toka. Por gazeta, me lejen e Bashkim Gashit, ka siguruar qarkullimin e tij bankar, ku shihet se që nga janari 2013 e deri në qershor, qarkullimi monetar ka qenë mbi 50 mijë euro, kurse toka të cilën ai e ka blerë është afro 40 mijë euro.

Koha kur janë blerë këto parcela dhe ajo kur qeveria e Kosovës e ka shpallur shpronësimin e tyre koinçidojnë.

Parcelat e përmendura, të gjitha, janë blerë në muajt shkurt dhe mars 2013, kurse vendimi i qeverisë për shpronësim të tokave kah kalon devijimi është bërë pak më vonë, më 10 prill 2013.

Shpronësimi në devijimin e Kijevës, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, do të kushtojë 5.8 milionë euro.

E kostoja e ndërtimit të trasesë nuk dihet.