Nail Salihoviç dhe veteranet protestues ne nje nga tendat e tyre jashte parlamentit te Federates. Foto: BIRN.

Dëshpërimi i Përditshëm i Veteranëve Protestues të Bosnjës

Fusha me bar para ndërtesës qeveritare të entitetit të Federatës ka qenë shtëpia e Nail Salihoviçit për më shumë se dy muaj – aq shumë saqë tani ai duket se është mësuar të mbajë veshur pantofla në qendër të Sarajevës.

Gjatë 78 ditëve të fundit, dhe gjatë një vere jashtëzakonisht të nxehtë, Salihoviç dhe disa dhjetëra veteranë të tjerë kanë ngritur tendat jashtë ndërtesës së qeverisë, duke u përpjekur të tërheqin vëmendjen për gjendjen e tyre të varfër.

Ata janë aq të vendosur saqë javën e kaluar, 16 prej tyre morën pjesë në një grevë urie tre ditore. Ata thonë se janë gjithashtu të përgatitur të kalojnë edhe dimrin e ashpër të Sarajevës këtu, nëse është e nevojshme.

“Do të rri këtu derisa kërkesat tona të përmbushen. Nëse duhet të vdes këtu, ashtu qoftë,” tha Salihoviç, 60 vjeç, për BIRN.

Protestuesit kanë tre kërkesa të rëndësishme – e para është krijimi i një regjistri të unifikuar i veteranëve në Federatë, të cilët ishin anëtarë të Ushtrisë Boshnjake dhe Këshillit Kroat të Mbrojtjes.

Kërkesa e dytë është t’i jepet fund financimit të asaj që ata e shohin si shoqata të panevojshme veteranësh nga Federata dhe qeveritë kantonale, dhe e treta janë pagesat për veteranët.

Veteranët shprehen se një regjistër i unifikuar do të tregonte një ide të saktë se sa njerëz nga entiteti i Federatës Boshnjako-Kroate luftuan vërtet në konfliktin e viteve 1992-1995.

Ata dyshojnë se shifrat aktuale janë fryrë shumë, me njerëz që regjistrohen si veteranë si një lloj ryshfeti në këmbim të mbështetjes politike.

Në muajin shkurt, Ministri i Federatës i Çështjeve të Veteranëve, Salko Bukvareviç, zbuloi shifrat e hartuara nga ministria e tij, që tregojnë se më shumë se 570,000 njerëz ishin të punësuar nga Ushtria Boshnjake dhe Këshilli Kroat i Mbrojtjes dhe agjencitë e tyre përkatëse policore, ose nga spitalet ushtarake dhe industria ushtarake.

Të dhënat vinin nga Ministria e Mbrojtjes së Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila tani është shpërbërë, dhe bazoheshin në të dhënat e certifikatave të lëshuara veteranëve.

Protestuesit pretendojnë se shumë nga ata që morën këto certifikata nuk ishin në të vërtetë veteranë dhe duan që të dhënat të kontrollohen dhe të rishikohen.

“Pas luftës ne kishim rreth 280,000 ushtarë të çmobilizuar në Federatë. Sipas qeverisë së Federatës, tani kemi më shumë se 570,000 veteranë ,” tha Nazil Veliç, 50 vjeç, një veteran nga Bugojno i cili tani është i papunë.

“Kush janë këta njerëz? Sipas vlerësimeve të qeverisë, askush nuk vdiq kurrë. Për ta, madje lindën më shumë veteranë. Lufta me siguri nuk do të zgjaste katër vjet nëse do të kishim aq shumë njerëz në radhët tona,” shtoi Veliç me ironi.

Kërkesa e dytë e veteranëve protestues është që qeveria e Federatës dhe të dhjeta qeveritë kantonale të ndalojnë financimin e të gjitha shoqatave të veteranëve në entitet.

Aktualisht janë rreth 1,600 shoqata veteranësh në Federatë, por protestuesit pohojnë se ata ekzistojnë vetëm që politikanët të mund “të blejnë” paqe sociale duke u dhënë shuma të mëdha parash.

“Nëse ndalojmë së financuari ato organizata, do të kursenim një sasi të madhe parash,” shpjegoi Veliç.

“Nëse ia dalim mbanë në kërkesën tonë të parë dhe më të rëndësishme, regjistrin e unifikuar të veteranëve, mund të heqim rreth 300,000 nga ata veteranët e rremë që atje dhe do të kishim mëse mjaftueshëm para për të financuar kërkesën tonë të tretë – pagesat për veteranët,” shtoi ai.

Protestuesit po kërkojnë 326 marka boshnjake (rreth 167 euro) në muaj pagesë për veteranët e papunësuar dhe që çdo ish-ushtar të marrë dy ose tre marka boshnjake (një deri në 1.5 euro) për çdo muaj që shërbyen gjatë kohës së luftës.

“Ata e kanë këtë në Republikën Srpska, kështu që s’po kërkojmë asgjë të pamundur,” tha Veliç.

Tendat e veteraneve jashte parlamentit. Foto: BIRN.

“Shumë shoqata veteranësh”

Ministria e Federatës për Çështjet e Veteranëve dhe Veteranëve të Gjymtuar të Luftës Çlirimtare Mbrojtëse konfirmoi për BIRN se në Federatë ka vërtet rreth 1,600 shoqata veteranësh të regjistruara.

Ministria megjithatë paralajmëroi se “asnjë nga këto organizata nuk financohet nga buxheti i Federatës, por disa nga projektet e tyre po, përmes tenderëve publikë”.

Ministria gjithashtu konfirmoi se 577,261 persona janë regjistruar sikur kanë shërbyer gjatë luftës – “qoftë kjo edhe nëse kanë shërbyer vetëm një ditë apo gjatë gjithë periudhës së luftës”.

Ministri i Veteranëve, Salko Bukvareviç, shprehet se shumica e kërkesave të veteranëve po përmbushen dhe se vetëm një grup i vogël i tyre është ende i pakënaqur.

Bukvareviç tha për BIRN se në prill të këtij viti, edhe para se veteranët të mblidheshin para ndërtesës së qeverisë për të protestuar, qeveria e Federatës dhe Ministria e Veteranëve të saj kishin hartuar një projektligj për ndryshimet e propozuara në Ligjin për të Drejtat e Veteranëve, përfshirë edhe krijimin e një regjistri të vetëm të unifikuar.

“Ligji tashmë është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe ne presim që ai të miratohet gjithashtu nga Dhoma e Popullit në fillim të shtatorit,” tha Bukvareviç.

Ministri tha se 570 milionë marka boshnjake (291.3 milionë euro) janë caktuar për veteranët në buxhetin e Federatës çdo vit.

Ai tha se ai gjithashtu ka përmbushur kërkesën e veteranëve që federata të ndalojë financimin e të gjitha organizatave të veteranëve nga 1 gushti deri kur të miratohet një Ligj për Shoqatat e Veteranëve me Rëndësi të Veçantë Sociale.

Ligji synon të përcaktojë se cila prej shoqatave aktuale përfaqëson vërtet numrin më të madh të veteranëve.

Vetë Bukvareviç beson se 1,600 shoqatat e veteranëve duhet të shkrihen në një të vetme.

Ka kaq shumë shoqata, sepse ligji lejon “tre shtetas të formojnë një shoqatë veteranësh”, ka thënë në të kaluarën ministri.

Në një intervistë me faqen e internetit të lajmeve Fokus, ai tha se më shumë se 12 milionë marka boshnjake (6.15 milion euro) aktualisht shkojnë për shoqatat e veteranëve çdo vit në Federatë, por se buxheti i qeverisë së entitetit financon vetëm një pjesë të vogël të kësaj shume – rreth 360,000 marka boshnjake (184,010 euro) në vit – ndërkohë që kantonet japin shuma shumë më të mëdha.

Bukvareviç tha se edhe pse Federata do ta ndalojë financimin e shoqatave nga 1 gushti, ai nuk është zyrtarisht i autorizuar t’i ndalojë kantonet dhe komunat që ta vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Lavamani i improvizuar ne kampin e protestes. Foto: BIRN.

Pagesa e pensioneve “financiarisht e pamundur”

Ministria vlerëson se rreth 55,000 veteranë aktualisht janë të regjistruar në zyrën e papunësisë dhe 15,000 të tjerë që janë të papunë, por nuk janë të regjistruar.

Kjo do të thotë se kërkesa e tyre për përfitime financiare është një çështje më problematike për autoritetet e Federatës.

“Kërkesa e tretë, që t’i jepen nga 326 marka boshnjake çdo veterani të regjistruar në zyrën e papunësisë dhe që nuk ka asnjë të ardhur, shkon përtej mundësive tona, sepse një shtesë prej 280 milionë markash boshnjake (143 milion euro) çdo vit është e nevojshme për ta arritur këtë gjë,” tha ministri Bukvareviç.

Edhe pse një rritje në financim për veteranët është e pamundur, ministri tha se ai nënshkroi një marrëveshje me shoqatat më të mëdha të veteranëve të Bosnjës në qershor, e cila përcakton se shuma e ndarë aktualisht për çështjet e veteranëve nuk do të reduktohet brenda pesë viteve të ardhshme.

“Unë besoj se kjo është zgjidhja e vetme reale dhe i bëj thirrje përfaqësuesve të veteranëve për dialog,” tha ai.

Në një intervistë më të hershme me kanalin lokal të lajmeve N1, ai theksoi gjithashtu se kur pati një program midis vitit 2006 dhe 2010 për t’i paguar 150 marka boshnjake (77 euro) në muaj çdo veterani të papunë, dhjetëra mijëra ish-ushtarë që ishin të punësuar hoqën dorë nga kontratat e tyre të punës që të mund të merrnin pensionet.

Kjo bëri të mundur që shumë prej tyre të vazhdonin të ishin të punësuar si punëtorë sezonalë, por të ruanin statusin e tyre zyrtar të të papunit dhe të merrnin përfitimet.

Për Bukvareviçin, problemi kryesor është se ligji për të drejtat e veteranëve, i cili thotë se veteranët dhe anëtarët e familjeve të tyre duhet të marrin trajtim preferencial kur aplikojnë për punë, nuk respektohet, sepse nuk ka sanksione nëse ai injorohet.

“Unë besoj se detyra e parë për të gjitha nivelet e qeverisë duhet të jetë që ne të punojmë drejt punësimit të veteranëve dhe anëtarëve të familjeve së tyre,” tha ai.

Nje veteran duke pushuar ne tenden e tij. Foto: BIRN.

Një mënyrë shpëtimi për të dobëtit

Numri i madh i shoqatave të veteranëve është pasojë e sistemit politik kompleks të vendit, shpjegoi Elvis Sudar, zv/kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Paraplegjikë të Luftës në Federatë dhe kryetar i së njëjtës shoqatë në nivel kantonal.

“Ju keni një shoqatë në nivelin e Federatës, dhjetë më shumë për dhjetë kantone në Federatë dhe organizata komunale,” tha ai për BIRN.

Sudar tha se nëse shoqata e tij nuk organizohej në shoqata në nivel kantonal, ajo s’do të mund të lobonte si duhet për të drejtat e anëtarëve të saj për shkak të sistemit të të administratës në vend.

Ai tha gjithashtu se ndalimi i financimit të shoqatave do të ketë pasoja të rënda.

“Ata po harrojnë se shumë veteranë të demobilizuar dhe fëmijë të veteranëve do të humbnin vendet e tyre të punës. Ne jemi një shërbim për kategorinë e njerëzve që ka më shumë nevojë për ndihmë, në dispozicion të anëtarëve tanë 24 orë në ditë,” tha ai.

Përveç informimit të veteranëve paraplegjikë për të drejtat e tyre, shoqata e Sudarit vepron si një litar shpëtimi për anëtarët e saj, duke i vizituar ata dhe duke marrë rregullisht përditësime mbi shëndetin e tyre.

Kur shoqata mëson se një nga anëtarët e saj është i sëmurë, por nuk ka mënyrë për të shkuar në spital, ajo dërgon dikë që ta marrë veteranin. Ajo siguron gjithashtu ndihmë financiare në raste të caktuara, siç është të ndihmojë për ilaçet dhe funeralet e anëtarëve të saj.

“Një nga anëtarët tanë ka qenë në koma për 22 vjet. Ai ka vetëm një nënë dhe një motër. Kush do të mbetet pasi ato të mos jenë më?” pyeti ai.

Sudari beson se punësimi i veteranëve duhet të kishte qenë përparësia e qeverisë pas përfundimit të konfliktit – një mundësi që tani s’është më.

“Lufta përfundoi 22 vjet më parë. Pse ministria nuk hapi fabrika dhe vende ku të gjithë këta njerëz të mund të punësoheshin që atëherë?” pyeti ai.

“Sot ata janë shumë më të moshuar dhe askush nuk i merr në punë. Njëzetë e dy vjet më parë, ata ishin në vitet e tyre më të mira për të punuar dhe të gjitha paratë e investuara do t’u ishin kthyer nëpërmjet kontributeve të punës,” shtoi ai.

“Kampi i Veteraneve te Mashtruar”. Foto: BIRN.

Humbje besimi

Banorët e Sarajevës tashmë janë mësuar duke parë tendat e veteranëve protestues, banderolat dhe flamujt e tyre në fushën me bar jashtë ndërtesës së qeverisë të entitetit të Federatës. Nëse burrat do të largoheshin tani, hapësira do të dukej bosh.

Një banderolë aty para shkruan “Kampi i veteranëve të mashtruar”. Është e mirë organizuar – ata kanë ngritur tualete portative, një kuzhinë në terren dhe madje edhe një lavaman me ujë të rrjedhshëm ku ata rruhen dhe lajnë dhëmbët në mëngjes.

“Unë kam tre vëllezër në shtëpi, por tani këtu kam edhe 50 të tjerë,” tha Salihoviç.

Njerëzit vijnë dhe ikin dhe ndonjëherë lënë disa para për veteranët, gjendja e të cilëve është vështirësuar edhe më shumë nga sistemi kompleks dhe konfuz administrativ i Bosnjës dhe Hercegovinës së pasluftës, me shtresat e saj të shumëfishta të qeverisjes.

Ata nuk kanë besim se veteranët do t’i ndihmojnë – edhe ata si ministri i veteranëve Salko Bukvareviç, i cili këmbëngul se po bën aq sa mundet me paratë e disponueshme për të kënaqur dëshirat e tyre.

Burrat shohin çdo mëngjes se si një e nga një makinat e tyre të shtrenjta parkohen para ndërtesës së qeverisë ngjitur me ta.

Dy veteranë ulen te shkallët e një ndërtese pranë kampit, duke lexuar gazetat.

“Shiko,” i thotë njëri tjetrit, duke treguar diçka në gazetë ku janë fotografitë e anëtarëve të elitës së Sarajevës – përfshirë edhe gratë e politikanëve – duke ecur në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

“Çanta e saj e dorës me siguri kushton sa pensionet e një gjysme viti.”