Dëshmitë e Filmuara për Korrupsionin në Gjykatën e Deçanit

Fisnik Tolaj, djali i përgjegjëses së Gjykatës në Deçan, ishte shndërruar në shitës të vendimeve të kësaj Gjykate.

Një hulumtim i emisionit “Drejtësia në Kosovë” dëshmoi se Fisnik Tolaj u kërkonte deri në 20 mijë euro palëve për t’ua zgjidhur lëndët të cilat i gjykonte nëna e tij, Safete Tolaj.

Hulumtimi i transmetuar në dy seri dëshmoi me pamje filmike momentet kur familja Kelmendi i kishte paguar Fisnik Tolajt 2,000 euro e po ashtu i kishte dhënë një tokë si kompensim për kryerjen e një lënde.

Gjithçka nisi në një seancë gjyqësore, ku djali i gjyqtares së Deçanit, Safete Tolajt, iu afrua dëshmitarit Berat Kelmendi që t’i ofrojë një marrëveshje për të mbyllur lëndën të cilën xhaxhai i tij, Agroni, e kishte në gjykatë.

“Djali i kryetares, Fisi, ulej afër kryetares. Nja dy herë e kam pa dhe ka ardhë te publiku edhe m’ka thirrë me dal jashtë. Kur dola më ka pyet ‘a je i interesum me ta kry këtë punë, mos me zgjat kjo procedurë, ta kryj unë këtë shumë shpejt’. Më ka thanë kjo është nana jem a po e shef, unë shkoj ulna atje edhe nuk më thotë kurgjo”, rrëfen  Kelmendi.

Pas këtij takimi debati kishte vazhduar në familjen Kelmendi. Xhaxhai Agroni e kishte udhëzuar nipin që t’i përmbushë kërkesat e Tolajt por edhe të siguronin prova për paratë dhe pronat të cilat po i kalonin në pronësi.

“Erdha fola me axhën tim, Agronin, edhe i thash që Fisi po i lypë 20 mijë euro, se kish folë me nanën e vet edhe më tha që e kryer është kjo punë. Ai (xhaxhai) më tha se në rregull pasi ke vendos. Shkova në Deçan edhe i thash (Fisit) a je i sigurt për këtë punë. I thash nëse ta ofroj një pllac në vlerë 20 mijë euro edhe thash po barazohem. Ai (Fisi) tha jo unë po du edhe pare. E pyeta sa pare pi don, ai tha edhe 5,000 euro”, ka thënë Berat Kelmendi për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Mito nga Djali i Gjykatëses

Kelmendi një takim të cilin e kishte pasur me Fisnik Tolajn e kishte xhiruar me telefon, nga ku mund të dëgjohet se si Berat Kelmendi thotë se dëshiron ta mbyll lëndën, e ku Fisnik Tolaj shpreh kërkesat e tij.

Ditë më vonë, familja Kelmendi ishte takuar me Fisnikun, të cilit i kishin dhënë një tokë në fshatin Raushiq dhe ia kishin dorëzuar 2,000 euro.

Për t’i humbur gjurmët toka ishte vendosur në emër të Agron Ahmetxhekajt, një miku të Fisnik Tolajt.

Ahmetxhekaj thotë se nuk di asgjë për pazaret por pranon se tokën e ka marrë nga Agron Kelmendi, ndërsa për kompensim i kishte dhenë dy makina djalit të gjykatëses, Fisnik Tolajt.

E pyetur në lidhje me këtë rast, Safete Tolaj, ka mohuar se ka qenë në dijeni për pazaret e djalit të saj dhe në emër të saj.

Pasi që Fisnik Tolaj e kishte i bindur për mbylljen e lëndës që ishte në duart e nënës së tij, Berat Kelmendi kishte vendosur të shkonte ta takonte gjykatësen Safete Tolaj, pasi që djali i saj pretendonte se për të gjitha këto marrëveshje ishte në dijeni ajo.

E pyetur nga “Drejtësia në Kosovë” nëse ishte takuar me Berat Kelmendin, gjykatësja Tolaj e ka mohuar një takim me të. Por, pasi shikoi një video të siguruar nga “Drejtësia në Kosovë”, gjykatësja tha se ajo u njoftua për rastin ndërsa shtoi se i kishte thënë Beratit për gjërat që e presin më pas nëse kjo është e vërtetë.

Safete Tolaj Insistoi se nuk dinte asgjë lidhur me rastin e djalit të saj sekser, i cili bëri negociata në emër saj. Kjo e fundit tha se ‘ky rast nuk do lëshim’.

“Kjo asnjë minutë nuk don lëshim. Absolutisht s’kam ditë… Unë e kam vendos lëndën sipas bindjeve ligjore. Në mënyrë absolute, pse janë ba këto të zeza”, ka thënë Tolaj.

Ajo më tutje ishte shprehur se djali i saj do të përgjigjet në lidhje me veprimet e tij. “Djalit çka kam me i thanë, i them se ti ke mu përgjigje patjetër. Ai s’ka me pasë me mu kurgjo”, ka thënë Tolaj.

Por e gjithë kjo nuk mori fund. Negociatat vazhdonin. Lënda ishte mbyllur sipas ‘bindjeve’ të gjykatëses së rastit Safete Tolaj.

A u mbyll lënda e Berat Kelmendit?

Berat Kelmendi, i cili priste nga djali i gjyqtares së Gjykatës së Deçanit, Safete Tolaj, ta mbyllte një lëndë për të cilën kishin bërë marrëveshje, kishte thënë se lënda nuk ishte kryer.

Edhe pse i kishte treguar Fisnik Tolajt për xhirimet që i posedonte Berat Kelmendi tha se Fisniku nuk frikohej pasi që ‘nënën e kishte gjyqtare’.

“Nuk është kryer puna, I kam thanë që t’kam incizu, ka thanë s’ka dert se nuk tutna prej kërkujt se e kam nanën gjyqtare. E kam pritë që pe kryn e nuk e ka kry”, tha Kelmendi.

Ai tregoi se pas takimit me Safete Tolajn, kjo e fundit kishte biseduar me djalin e saj dhe kishin rënë dakord për t’ia kthyer shumën e parave të cilën Fisniku ia kishte marrë për të mbyllur lëndën në gjykatë.

Hetimet shtesë

Pas transmetimit vetëm të promos së emisionit “Drejtësia në Kosovë”, ku flitej për dyshimet për korrupsion në Gjykatën e Deçanit, u vu në lëvizje Prokuroria e Shtetit.

Prokuroria Intervenon në Deçan, Arrestohet Djali i Gjykatëses

Në një aksion të drejtuar nga prokurorja Valbona Haxhosaj u bastisën zyrat dhe shtëpia e gjykatëses Tolaj. Në bastisje Policia zbuloi disa dokumente përfshirë dokumente blanko me vula të Gjykatës, të cilat nuk janë të lejuara.

Aksioni i Policisë dhe Prokurorisë në Shtëpinë e Gjykatëses Tolaj

Me pretendimet për ushtrim ndikimi, Fisnik Tolaj po mbahet në paraburgim me vendim të gjykatëses së Pejës, ndërsa nëna e tij, gjykatësja Safete Tolaj është nën arrest shtëpiak.

30 Ditë Arrest Shtëpiak për Gjykatësen Safete Tolaj

Lajmi i fundit rreth këtij skandali është suspendimi i gjykatëses Safete Tolaj nga pozita e përgjegjëses së Degës së Gjykatës së Deçanit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi.

http://kallxo.com/suspendohet-gjykatesja-safete-tolaj/

25 Janar 2017 - 20:58

Adelina Ahmeti 25/01/2017 - 20:58
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend